Kreret e shtetit braktisin Shqiperine

Krerët e shtetit braktisin Shqipërinë
Tre drejtuesit më të lartë të vendit kanë zgjedhur pikërisht fillimin e muajit gusht për t‘u relaksuar nga zhurma e përditshme e politikës. Topi, Berisha dhe Topalli kanë ulur armët dhe kanë zbarkuar secili me familjet e tyre për të pushuar në ditët e para të gushtit. Nuk është hera e parë që kjo ndodh me institucionet e larta shtetërore. Vlen të kujtojmë këtu rastin kur krerët e shtetit lanë vendin vetëm për të marrë pjesë në ceremoninë e funeralit të ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugovës, ku përpos të gjithave, ata udhëtuan të gjithë me të njëjtin avion.

Thyerja e protokollit

Presidenti, Kryeministri dhe Kryetarja e Kuvendit e kanë rritur dozën e menefregizmit, duke shkelur me të dyja këmbët protokollin e shtetit. Është hera e katërt që kryetarët e shtetit i kanë thyer rregullat e brendshme brenda një viti dhe janë larguar njëkohësisht nga Shqipëria, pa marrë parasysh se në duart e kujt po e linin shtetin dhe ata që i votëbesuan në 3 korrik të 2005-ës. Në protokollin e shtetit është specifikuar qartë që Presidenti, Kryeministri dhe Kryetarja e Kuvendit të vënë në dijeni paraprakisht protokollin e shtetit për lëvizjet e tyre jashtë vendit dhe udhëtimet të koordinohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë Shqipërisë. Protokolli i shtetit merret me procedurat zyrtare të organizimit të vizitave, nga përgatitja deri në përfundimin e tyre, megjithatë edhe këtë herë, ashtu si tri herët e para, Berisha, Topi dhe Topalli i kanë lënë bosh zyrat e tyre për të shijuar pushimet.

Berisha në Kinë

Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike ka qenë shkaku kryesor që Kryeministri Berisha dhe bashkëshortja e tij, Liri Berisha, kanë shkuar në Pekin në ditët e nxehta të gushtit. Shefi i qeverisë është nisur drejt Kinës dy ditë para fillimit të Lojërave Olimpike dhe do të qëndrojë afërsisht një javë, duke pasur mundësi të shijojë edhe mrekullinë e Pekinit, por edhe të zhvillojë takime me krerët e lartë të shtetit komunist kinez. Pushime në vendin e komunistëve është zgjedhja e radhës së Kryeministrit Berisha, pas fundjavës së nxehtë në brigjet e Vlorës, ku u fotografua duke notuar bashkë me familjen e tij.

Topalli dhe Topi me pushime

Ndonëse stafi i ngushtë i Presidentit Topi është treguar i rezervuar, duke mos e dhënë adresën e saktë se ku po i kalon pushimet kreu i shtetit, por është mjaftuar duke bërë me dije se Presidenti është duke pushuar me familjen jashtë vendit, punonjësit e administratës së kryeparlamentares Topalli janë treguar të hapur, duke deklaruar se shefja e Parlamentit është duke pushuar në Kroaci. Verën e kaluar, Presidenti ndodhej për pushime në Itali, Kryeministri për pushime disaditore në Zvicër dhe vendi drejtohej për disa ditë nga Kryetarja e Kuvendit, derisa edhe ajo u nis me takime zyrtare jashtë shtetit, për t‘ia lënë të gjithë barrën e shtetit ish-zv/kryeministrit Gazmend Oketa.

Vendi, në dorë të Pollos

Pas mesazhit të Kryeministrit Berisha në aeroportin "Nënë Tereza", ku i është drejtuar delegacionit që e ka përcjellë me fjalët "po nisem", dhe pas kësaj vendi ndodhet në duart e të sapoemëruarit zv/kryeministër, Genc Pollo. "Fatlumi" Pollo do të drejtojë për një javë rresht të gjithë vendin, duke marrë parasysh se edhe Presidenti i Republikës dhe Kryetarja e Kuvendit ndodhen jashtë shtetit për të kaluar pushimet. Shteti shqiptar i ditëve të sotme ndodh shpesh që të mbetet pa tre drejtuesit kryesorë, ku prestigji i drejtimit i ngelet ish-ministrit të Arsimit, Genc Pollos.

Hera e katërt

Që nga gushti i vitit të kaluar dhe deri më sot, krerët e shtetit i kanë thyer rregullat e protokollit katër herë, duke u larguar jashtë vendit dhe duke e lënë shtetin vetëm

Në protokollin e shtetit është specifikuar qartë që Presidenti, Kryeministri dhe Kryetarja e Kuvendit të koordinojnë udhëtimet që të mos jenë në të njëjtën kohë

Rastet e përsëritura

Mungesa e komunikimit sjell përplasje në protokoll

Rregullat e thyera nga zyrtarët e lartë

Ashtu si verën e kaluar, të gjithë liderët e shtetit ikën sërish jashtë për ta lënë vendin vetëm. Destinacioni i verës së zyrtarëve të lartë ka zbrazur jo vetëm administratën, por ka thyer edhe protokollin. Të tre institucionet e larta, siç është Presidenti, Kuvendi dhe Kryeministri përdorin protokollet e tyre, duke injoruar atë zyrtar, që kërkon minimalisht njërin prej drejtuesve më të lartë në krye të detyrës në çdo kohë. Kryetarja e Kuvendit është duke pushuar për disa ditë në Kroaci, ku ka shkuar bashkë me familjen e saj, Kryeministri Berisha u nis këtë të mërkurë për në Pekin për të ndjekur nga afër ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike, por edhe për të pushuar dhe shijuar mrekullinë e Pekinit, ndërsa Presidenti Topi, ndodhet me pushime në një vend fqinj me Shqipërinë. Duket se tre krerët më të lartë të shtetit nuk ua bën syri "tërr" për të thyer rregullat kur bëhet fjalë për pushime. Moskordinanca mes Topit, Berishës dhe Topallit ka ardhur si pasojë edhe e mungesës së komunikimit të vazhdueshëm mes këtyre tri institucioneve. Nuk është hera e parë që ndodh diçka e tillë. Herën e fundit që ndodhi, punonjësit e protokollit të shtetit kërkuan falje për mungesën e koordinimit, duke shfajësuar zyrtarët e lartë. Por, këtë herë kush vallë do ta marrë fajin përsipër që të gjithë u kujtuan t‘i bëjnë pushimet në të njëjtat ditë gushti. Lodhjen e politikës së përditshme, krerët e shtetit e kanë kërkuar te relaksi, për t‘iu rikthyer më pas edhe fushatës elektorale dhe luftës së ashpër për të siguruar pushtetin. Në fund të gushtit të vitit të kaluar, Berisha zgjodhi Zvicrën për të kaluar fundjavën e tij, ndërsa Presidenti Topi ishte duke shijuar 10-ditëshin e tij të parë të pushimit pas zgjedhjes në krye të Presidencës në Itali. Në tetorin e vitit të kaluar, njëkohësisht ndodheshin jashtë vendit, Berisha në Angli, Topalli në Kanada dhe Topi në Belgjikë bashkë me dy nënkryetarët e Kuvendit.

Protokolli i shtetit

1- Protokolli i Shtetit vihet në dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të tre personaliteteve kryesore jashtë shtetit. Vizitat koordinohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit

2- Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit kryejnë vizita të nivelit të lartë jashtë shtetit. Protokolli i shtetit merret me procedurat zyrtare të organizimit të vizitave, nga përgatitja deri në përfundimin e tyre. Në funksion të këtij programi bashkëpunohet me kabinetet përkatëse

3- Përgatit anën protokollare për vizitat zyrtare jashtë shtetit të Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe të ministrit të Punëve të Jashtme. Protokolli i Shtetit, në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike shqiptare dhe me institucionin homolog të shtetit pritës, përpunon programin e vizitës së personaliteteve të mësipërme.

4- Koordinon takimet e Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, ministrit të Punëve të Jashtme dhe të anëtarëve të tjerë të qeverisë me përfaqësuesit diplomatikë të akredituar në Republikën e Shqipërisë



Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama