Biznesmenet kliente ne treg per arme

Biznesmenët, klientë në treg për armë
Hetues të çështjes thanë se ka dhjetëra grupe që sjellin në Shqipëri armë të tilla, ku i blejnë për një "copë bukë" në Kosovë dhe i shesin disa herë më shtrenjtë në tregun shqiptar, ku "klientë" janë biznesmenët dhe politikanët. Edhe pse në ligjet shqiptare është ilegale të shesësh dhe të mbash armë, të pasionuar pas pistoletave të vogla, biznesmenët arrijnë t‘i gjejnë në treg këto produkte, madje me çmime të arsyeshme.

Çmimet e armëve

Në Shqipëri po lulëzon tregu ilegal i armëve të vogla. Revolet gjenden me lehtësi. Mjafton të bësh një kërkesë dhe arma të vjen pas disa ditësh. Me gjithë shkatërrimin e disa grupeve kriminale nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ende evidentohen disa individë të veçantë, të cilët arrijnë të marrin "lëndën e parë" përmes kanaleve të kontrabandës nga Kosova, Maqedonia dhe Turqia. Hetues të prokurorisë deklarojnë se një pistoletë e vogël e tipit "mini blow" mund të variojë nga 150-200 euro. ndërsa pistoleta më të mëdha, si TT apo beretë italiane, mund të kushtojnë nga 300-400 euro, sipas gjendjes së armës. Ndërsa në tregun e zi të armëve mund të gjenden edhe armë të kalibrave të ndryshëm. Sipas informacioneve të akuzës, një "shut-gun" amerikan mund të kushtojë nga 450-500 euro. Ndërsa çmimi është i njëjtë për armët e gjuetisë, çmimet e kallashnikovëve varen prej vendit ku ata prodhohen. Një kallashnikov i prodhuar në vendet e Lindjes, si në Rusi dhe Serbi, mund të kushtojë 350 deri në 400 euro, kurse kallashnikovët e prodhuar në Shqipëri shiten rreth 300 euro.

Dosjet e trafikut

Në Shqipëri pushkët automatike dhe jo-automatike janë shumë më të lira se pistoletat, pasi kërkesa për pistoleta është ende e lartë dhe furnizimi është më kompleks. Këtë e treguan të arrestuarit e operacionit të koduar, "Cikoli 1", të cilët po tentonin të kalonin për në Kosovë mijëra fishekë. Ata kanë dëshmuar në gjykatë se ishin njohur me një kosovar në Milot në tregun e makinave. Gjatë pazarit të makinave, shtetasi kosovar, pasi i ka parë të veshur me rroba ushtarake, u ka thënë se i nevojiteshin disa fishekë, pasi gjendja në Kosovë sa vinte dhe përkeqësohej. Ata kanë rënë dakord për të gjitha kushtet e vendosura nga kosovari dhe i kanë premtuar se do t‘ia gjenin fishekët. Një nga të arrestuarit tregoi se për gjashtë muaj ka mbledhur në fshatrat e Beratit dhe Fierit fishekë pas trazirave të ‘97-ës për në Kosovë. Gjatë kësaj periudhe ka mbledhur rreth 57 mijë fishekë, ndërsa i ka sistemuar në një qendër në qytezën e Urës Vajgurore në Berat. Në bazë të hetimeve të mëvonshme u vërtetua se fishekët janë marrë në depot e reparteve ushtarake në Berat. Gjithsesi, hetuesit thanë se në kërkim është shpallur kosovari që ka porositur fishekët. Mësohet se fishekët e sekuestruar në Lushnjë do të këmbeheshin me pistoletat "Blow" të sekuestruara në qytetin e Kukësit. Dyshohet se një nga të arrestuarit e grupit të oficerëve mund të ketë lidhje me një shtetas të arrestuar teksa transportonte 22 pistoleta për në Shqipëri.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama