E për t‘i dalë para një kundërshtimi të mundshëm në Kuvend, qeveria e ka përjashtuar paraprakisht datën e festës kombëtare. Në krye të projektligjit që përcakton listën e festave zyrtare, thuhet se është punuar duke respektuar historinë, kulturat dhe traditat e popullit të Kosovës dhe shtetasve të saj. "Kosova është shtet, i ka festat shtetërore, por natyrisht se respektohen edhe festat kombëtare", tha Kryeministri Hashim Thaçi pas mbledhjes së qeverisë, i pyetur për këtë çështje nga gazetarët. Thaçi nuk tregoi se kush e kishte detyruar që të ndryshonte projektligjin e hartuar nga qeveria e kaluar, i cili ka qëndruar nëpër sirtarë prej kohësh. Por burime konfidenciale, thanë për "Shqip" se është pikërisht Zyra Civile Ndërkombëtare, kryesuar nga Pieter Faith, ajo që u ka kërkuar t‘i heqin këto festa. Kjo zyrë ka funksion themelor pikërisht mbikëqyrjen e implementimit të Paketës së Ahtisarit nga institucionet e Kosovës. Drafti i parë i projektligjit që është punuar para 1 viti nga qeveria e kaluar, e kishte të shënuar 28 nëntorin si festë zyrtare të Kosovës dhe 5 marsin si ditën e dëshmorëve të Kosovës. Ai draft u procedua në Kuvend atëkohë, por presioni ndërkombëtar e shtyu qeverinë që ta tërhiqte. Më pas, projektligji shkoi në Zyrën Civile Ndërkombëtare dhe qëndroi për disa muaj, për t‘u kthyer të hënën në qeveri, pa dy datat kryesore të popullit shumicë në Kosovë. Festat zyrtare të Republikës së Kosovës, sipas projektligjit do të jenë: Viti i Ri, Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, 17 Shkurti, Dita e Kushtetutës së Kosovës, 9 Prilli, Dita ndërkombëtare e Punës, 1 Maji, Dita e Evropës, 9 Maji, Bajrami i Madh, Bajrami i Vogël, Krishtlindjet Katolike, Krishtlindjet Ortodokse, Pashkët Katolike dhe Pashkët Ortodokse.
Festa kryesore normalisht mbetet 17 Shkurti, dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në fakt, mbledhja e qeverisë ishte vetëm një formalitet, pasi ndërkohë që ajo zhvillohej, projektligji ishte proceduar në Kuvend.
Festat
Festat zyrtare të Republikës së Kosovës, sipas projektligjit do të jenë: Viti i Ri, Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, 17 Shkurti, Dita e Kushtetutës së Kosovës, 9 Prilli, Dita Ndërkombëtare e Punës, 1 Maji, Dita e Evropës, 9 Maji, Bajrami i Madh, Bajrami i Vogël, Krishtlindjet Katolike, Krishtlindjet Ortodokse, Pashkët Katolike dhe Pashkët Ortodokse
Marre nga Gazeta Shqip











