Çfare surprize Maradona elegant!

Çfarë surprize, Maradona elegant!
Një Maradonë i tillë nuk shihej prej shumë kohësh. Mos mendoni se "El Pide d'Oro" është kthyer në fushën e lojës dhe e ka mahnitur stadiumin me numrat e tij prej "xhokoljeri", që në të kaluarën e kanë bërë futbollistim më të mirë të të gjitha kohërave. Gjithashtu, mos mendoni ta shihni në gjendje të tmerrshme, për shkak të sëmundjeve dhe abuzimit me drogën. Eshtë një Maradonë në stil modeli, që luan rolin e një tifozi të çmendur, ai që u shfaq në tribunën e "Bombonerës" së Buenos Airesit, për të parë Bokën e tij të dashur. Ai e ka bërë edhe herë të tjera diçka të tillë, por tani është ndryshe. Ndryshe, do të thotë më i dobët e më elegant.

DIETA - Nuk e dimë nëse Diego ka ndjekur ndonjë dietë të vetën, duke hequr dorë nga pijet alkoolike, ato me gaz, ëmbëlsirat dhe yndyrnat. Nuk e dimë nëse argjentinasi i është besuar një dietologu të rreptë, i cili ia ka bërë të qartë se trupi i tij nuk do ta kishte të gjatë, pa një ushqim të kualifikuar. Ajo që dimë është se Maradona, i parë në fitoren 3-0 të Boka Zhuniorsit ndaj venezuelianëve të Marakaibos, është njeri i paraqitshëm e që nuk ndruhet ta tregojë. Një fizik i tillë i gëzon simpatizantët e shumtë të Diegos, të cilët, në një të kaluar jo shumë të largët, kanë menduar se nuk do ta shihnin më në jetë.

FAMILJA - Maradona mbërriti në stadium i shoqëruar nga ish-bashkëshortja e tij Klaudia dhe vajza Dalmita; kjo e fundit shumë tifoze me Bokën. Ishte një moment i lumtur, në një jetë të mbushur plot me episode të këqija dhe çaste të rrezikshme. Një jetë që nuk ka qenë asnjëherë e mëshirshme me kampionin, që u bë "hero" në Napoli. Pikërisht këto ditë, Maradonës i duhet të zgjidhë edhe çështjen gjyqësore me ish-menaxherin dhe mikun e tij Guilermo Kopola, me atë me të cilin ka qenë më shumë i lidhur në pjesën e lavidshme të karrierës së tij.

SHKAKU - Kampioni e ka hedhur në gjyq menaxherin për mënyrën sesi u mbyll marrëdhënia, në lidhje me reklamat. Kopola i ka paraqitur gjykatës një seri dokumentesh që tregojnë se ai ka hequr dorë nga të gjitha aktet ligjore, që kishte marrë përsipër mbi Maradonën, duke ia dorëzuar të gjitha kompetencat ish-gruas së tij, Klaudia Vilafane. Kopola këmbëngul me vendosmëri se nuk ka më borxhe për t'u shlyer, mes tij dhe Maradonës.

Burimi Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama