DIETA - Nuk e dimë nëse Diego ka ndjekur ndonjë dietë të vetën, duke hequr dorë nga pijet alkoolike, ato me gaz, ëmbëlsirat dhe yndyrnat. Nuk e dimë nëse argjentinasi i është besuar një dietologu të rreptë, i cili ia ka bërë të qartë se trupi i tij nuk do ta kishte të gjatë, pa një ushqim të kualifikuar. Ajo që dimë është se Maradona, i parë në fitoren 3-0 të Boka Zhuniorsit ndaj venezuelianëve të Marakaibos, është njeri i paraqitshëm e që nuk ndruhet ta tregojë. Një fizik i tillë i gëzon simpatizantët e shumtë të Diegos, të cilët, në një të kaluar jo shumë të largët, kanë menduar se nuk do ta shihnin më në jetë.
FAMILJA - Maradona mbërriti në stadium i shoqëruar nga ish-bashkëshortja e tij Klaudia dhe vajza Dalmita; kjo e fundit shumë tifoze me Bokën. Ishte një moment i lumtur, në një jetë të mbushur plot me episode të këqija dhe çaste të rrezikshme. Një jetë që nuk ka qenë asnjëherë e mëshirshme me kampionin, që u bë "hero" në Napoli. Pikërisht këto ditë, Maradonës i duhet të zgjidhë edhe çështjen gjyqësore me ish-menaxherin dhe mikun e tij Guilermo Kopola, me atë me të cilin ka qenë më shumë i lidhur në pjesën e lavidshme të karrierës së tij.
SHKAKU - Kampioni e ka hedhur në gjyq menaxherin për mënyrën sesi u mbyll marrëdhënia, në lidhje me reklamat. Kopola i ka paraqitur gjykatës një seri dokumentesh që tregojnë se ai ka hequr dorë nga të gjitha aktet ligjore, që kishte marrë përsipër mbi Maradonën, duke ia dorëzuar të gjitha kompetencat ish-gruas së tij, Klaudia Vilafane. Kopola këmbëngul me vendosmëri se nuk ka më borxhe për t'u shlyer, mes tij dhe Maradonës.
Burimi Gazeta Shekulli











