Timo Flloko nga A ne Zh

Timo Flloko nga A në Zh
A si Amerika. “Nuk ika për të mos u kthyer, ashtu edhe siç nuk jam kthyer për të mos ikur”, ka thënë në një nga intervistat. E nëse një ofertë do t’i vinte prej andej, me siguri që do të ishte gati të merrte sërish rrugën, me siguri për t’u kthyer sërish më pas.

B si babai, nga i cili duket se e ka trashëguar talentin e që, sipas të birit, ishte një komik i lindur, këndonte kanconeta komike italiane me mandolinë dhe shpesh Timos i dukej si Çaplini. Kur i tha se do të konkurronte për aktor, ai i tha: “Ose në majë, ose hiç, sepse s’ka gjë më dëshpëruese se mungesa e talentit te një aktor i rëndomtë”.

C si censura e atëhershme, që shpesh i ka prerë momentet më të bukura nga një rol, mbase më të mirat e tij si aktor, siç ka ndodhur me monologun e Aleksit te “Ballë për ballë” apo tek filmi “Binarët”.

Ç si Çerçiz Topulli. Do të mjaftonte ndoshta vetëm ky rol që portreti i Timo Fllokos të mbetej i mirëskalitur në historinë e kinemasë shqiptare. Në fakt, më shumë sesa me personazhe “negative”, ai është bërë i dashur pikërisht me figura heronjsh.

D si De Niro. Është krahasuar jo pak herë me të. E nëse fati do ta kishte lidhur që herët me Hollivudin, me siguri që do të kishte një De Niro të dytë.

E si Edi Karbone, roli i tij i fundit, i cili e riktheu me sukses në teatër. Një rol i fuqishëm, një figurë komplekse dhe realiste, që ndeshet me problemet sociale në Amerikë, por që ngec në një çengel, ku mbetet i varur në ndërgjegjen e tij. Është si dashuria e paarsyeshme ndaj mbesës së gruas, Ketrinës. Kryekëput ndryshe nga të gjithë rolet e deritanishme të Fllokos.

F si filmi. Rikthimi në teatër vështirë se mund të bëjë atë ndarjen e madhe. Sepse Timo Flloko do të vazhdojë gjatë të ngelet artist i lidhur ngushtë me filmin. S’mund të ndodhte ndryshe, përderisa është lidhur që në fillim me ekranin e jo me skenën.

G si Grabocka, bashkëshortja e tij. Një martesë e hershme, që duket se nuk është kërcënuar kurrë nga vitet. Një arsye më shumë që ata të kthehen në një nga çiftet më të njohur të Tiranës.

Gj si gjashtëdhjetë vitet e tij. Nuk janë pak, por për të duket se koha ka ndaluar diku tek fundi i të dyzetave. Të paktën portreti i tij vështirë se mund të dëshmojë për të kundërtën.

H si Hollivudi. Nga të paktët artistë Shqiptarë që e ka prekur prej vërteti. Sepse regjisorët hollivudianë nuk mund të ishin indiferentë ndaj portretit, aksentit, ekspresivitetit, natyrës së tij të veçantë dhe atë çfarë ishte tipike në karakterin e tij për të luajtur në “Bad Guys”.

I si idhujt e tij. Naim Frashëri në skenën e teatrit e, pas përvojës së tij hollivudiane, duket se refleksioni e çon tek Ndrek Luca, një aktor i ndryshimeve të spikatura nga roli në rol.

J si joshës. Vazhdon të ngelet një ndër aktorët më sharmantë. Pesha e viteve duket se nuk i rëndon. Të paktën jo në fizikun e tij të drejtë e sportiv.

K si “Kur zbardhi një ditë”, filmi që shënoi fillimin e karrierës së tij të plotë në kinematografi, në vitin 1970.

L si Linda, e bija, e cila si natyrë duket se ka marrë gjithçka nga i ati, por që ka vendosur të zgjedhë profesionin e gjyshit të saj, të bëhet mjeke e jo aktore apo regjisore si e ëma.

M si mësuesi te “Lulëkuqet mbi mure”, një nga rolet e tij më të spikatura në kinematografi, por edhe një nga filmat e tij më të dashur, që e përmend sa herë që i kërkohet të përzgjedhë mes shumë të tjerëve rolin e tij të preferuar. 

N si “Nata e parë e lirisë”, ku ai luan rolin e hamallit të quajtur Çeçen. Një rol nga ata që një aktor i madh do t’i konsideronte si të vegjël, por që Flloko e ka realizuar në të atillë mënyrë sa, edhe nëse ngjarjet apo titullin e filmit askush nuk i mban mend, Çeçenin e kujton medoemos.

Nj si “Njeriu me top”, një nga rolet e shumtë që e rivendos sërish në figurën e heroit.

O si Olimpi. Ishte drama e Ismail Kadaresë “Stinë e mërzitshme në Olimp” ajo që i rihapi rrugën e teatrit Timo Fllokos, të njohur më së shumti nga publiku i gjerë për rolet e tij në film. Plot 35 të tilla.

P si poezia, pasioni i tij që nga rinia, por që shumë pak ia njihnin deri pak vite më parë, atëherë kur emri i tij nisi të përhapej si autor tekstesh për këngë. Vetëm tek të ‘50-at aktori nisi ta mposhtte ngurrimin e adoleshencës për të shfaqur lirikat e veta dhe atëherë të gjithë mundën të mrekulloheshin pas vargjeve të Fllokos. Sipas tij, poezia është një shfrim, një nevojë shpirtërore, një meditacion, një bisedë me veten, eksplorim, madje vetënjohje.

R si “Rob i Manive”, titulli i përmbledhjes poetike, i pari dhe i vetmi botuar rreth katër vjet më parë, që ka bërë bashkë vjershat e shkruara që nga rinia, të fshehura ndrojturazi sirtarëve, e deri tek poemat e lirikat e panjohura të Fllokos.

Rr si “Rrethim i vogël”, një nga filmat më të suksesshëm të fundit të ‘80-ës, ku Flloko ka dalë nga kostumi i heroit.

S si “Syri magjik”, më i fundit film i Kujtim Çashkut, i cili suksesin e vet ia ka besuar pikërisht Fllokos. As që ka menduar tjetër, por thuhet se ka qenë një zgjedhje gati-gati e lindur bashkë me rolin.

Sh si Shekspiri dhe “Hamleti”. Nëse ka një peng në jetën e tij, është pikërisht kjo ëndrra që vazhdon të ngelet në sirtar: të veshë petkat e Hamletit. E nëse erërat e fatit do ta çonin tek ky personazh, atëherë Timo Flloko vështirë të ketë më pengje.

T si teatri, dashuria e tij e përjetshme, që në fakt e ka takuar rrallë. Ama, ashtu si edhe në ekran, shkëlqen me po të njëjtën forcë edhe në skenën e teatrit, në mos më shumë.

V si “Vdekja e kalit”. Ai është një nga filmat e tij të preferuar. Por edhe filmi që do të thyente tabutë e do të realizonte për të parën herë një skenë erotike. Edhe pse pas atij roli i kanë thënë: “Ti s’di të puthësh”.

Xh si xhinset. Janë të rralla rastet kur i duhet t’i ndërrojë xhinset me kostum e kollare. Sepse është përshtatur me veshjen sportive me po aq lehtësi sa do t’i përshtatej edhe një roli që e bën të ndihet brenda natyrës së tij.

Y si Yllka Mujo, një nga partneret e tij në film dhe teatër. Fillimisht të dy, ende të rinj, do të ndanin sheshin e xhirimit në “Malet me blerim mbuluar”, derisa një vit më parë, me përvojën e fituar mbi supe edhe në teatër, do të realizonin rolet më të bujshme të skenës së sotme teatrore. Fillimisht me “Hotel Franca” dhe tashmë me “Pamje nga ura”.

Z si zëri i tij mjaft i dallueshëm për tonet e ëmbla lirike. Aq sa kur mendohet për recitim të poezive, mendja të shkon pikërisht tek interpretimi i zërit të tij.

Zh si zhurma e fundit që shkaktoi roli i tij në dramën “Pamje nga ura”, që dyndi kryeqytetasit në sallën e Teatrit Kombëtar dhe riktheu Timo Fllokon më fuqishëm se kurrë. 
 
Nga Revista Jeta

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama