TIRANE-Gjithsej 32 deputetë të djathtë kanë firmosur dhe kanë depozituar dje menjëherë, propozimin e bërë nga disa deputetë demokratë për diskutimin në ndryshimet e Kushtetutës edhe të variantit për zgjedhjen e presidentit nga populli. Firmosja dhe depozitimi u bë menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së grupit kuvendor të PD-së. Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, e zhvilluar dje pasdite, është shoqëruar me debate nga deputetët që kundërshtojnë propozimet e bëra për amendamentet që parashikojnë zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Besnik Mustafaj është shprehur ashpër ndaj kryeministrit dhe njëkohësisht kryetarit të Partisë Demokratike, duke nënvizuar faktin se ndryshimet në Kushtetutë janë bërë pa u konsultuar më parë në grupin parlamentar të PD-së. “Ju keni marrë një proces jo transparent dhe keni bërë ndryshime kushtetuese pa e diskutuar me ne. Unë do të votoj vetëm një variant, atë që propozon zgjedhjen e Presidentit nga populli dhe nuk do të pranoj asnjë variant tjetër”, - është shprehur Mustafaj gjatë kësaj mbledhjeje dhe më pas është larguar pa pritur as përfundimin e saj. Ndërkohë, deputeti Pal Dajçi i ka bërë të ditur kreut të PD-së, se grupi i deputetëve që mbështet zgjedhjen e presidentit nga populli, do të ndërmarrë një iniciativë për fillimin e procedurave parlamentare, për dërgimin e propozimit të firmosur pranë komisionit të Ligjeve, për t’u diskutuar dhe miratuar më pas. “Ne do të fillojmë procedurat parlamentare dhe do të gjejmë mbështetjen jo vetëm të aleatëve, por edhe nga të majtët për zgjedhjen e presidentit nga populli. Nuk jemi në minorancë, por numri i mbështetësve tanë po rritet”, - u shpreh Dajçi. Kritika kanë ardhur edhe nga deputetja Arenca Trashani, e cila përveç propozimeve për reformën zgjedhore, solli në të njëjtën kohë edhe propozimet që parashikonin zgjedhjen e presidentit. Bujar Leskaj u shpreh gjatë mbledhjes, se “e kemi mbështetur qeverinë pas ngjarjes së Gërdecit për vazhdimin e reformave, por reforma zgjedhore nuk duhet të ngatërrohet me kompetencat e presidentit”. Ndërkohë, akuza për mosfunksionim siç duhet, ai ka bërë edhe në drejtim të qeverisë. Burime bëjnë të ditur se Leskaj është shprehur se “qeveria është në gjumë, reformat s’kanë shkuar atje ku duhet, të rivlerësohen marrëdhëniet me aleatët”.
Deklarata
Nëse ju arrini që të gjeni 28 firmat për ta dërguar propozimin tuaj në komisionin e Ligjeve, unë jam plotësisht dakord. Kështu iu është përgjigjur kreu i demokratëve, deputetëve që kërkuan me ngulm dhe deklaruan iniciativën e tyre. Por, Berisha ka nënvizuar se deputetët duhet të kenë parasysh edhe faktin se për të miratuar ndryshimet në Kushtetutë dhe pikërisht propozimin e tyre, deputetëve do t’u duhej që të siguronin të paktën 94 votat që janë të parashikuara për votime të tilla. “Unë e kam shprehur idenë e zgjedhjes së presidentit nga populli që në 2005-ën, e shoh se nga ana tjetër nuk e kam këtë konsensus, mënyra më e mirë është që të zgjidhet ashtu siç kanë propozuar të majtët, pasi reformat duhet të ecin përpara.
Lista e firmëtarëve
1 Bujar Leskaj
2 Besnik Mustafaj
3 Spartak Ngjela
4 Pal Dajçi
5 Engjëll Cara
6 Dashnor Sula
7 Ndriçim Babasi
8 Sami Gjergji
9 Sali Shehu
10 Edmond Spaho
11 Mevlan Xhindoli
12 Besnik Bisha
13 Ndue Shpani
14 Genc Sharku
15 Artur Hasanbelliu
16 Frok Gjini
17 Ymer Tola
18 Rexhep Uka
19 Spiro Peçi
20 Nard Ndoka
21 Fatmir Mediu
22 Gazmend Oketa
23 Preç Zogaj
24 Edi Paloka
25 Eris Hoxha
26 Lajla Përnaska
27 Arjan Madhi
28 Aleksandër Biberaj
29 Osman Metalla
30 Hajrulla Paturri
31 Alfred Gega
32 Mehmet Xheka
Artemida Çollaku : BalkanWeb.com