Tendencat e modes “Pranvere 2008”

Tendencat e modës “Pranverë 2008”
Pardesytë janë sërish në modë, por kësaj here të përdorura në ngjyra të ndryshme dhe me një prerje shumë të rinovuar duke dalë prej atyre modeleve që jemi mësuar të shohim. Pardesy me një rrip të gjerë pak mbi vijën e belit dhe një jakë të madhe. Në pamje të parë të krijon idenë e një pardesyje klasike, por origjinaliteti i saj vjen nga prerja me mëngë treçerekëshe dhe me gjatësi deri te gjuri gjë që e bën shumë femërore. Pardesy me motive që do t`ju bëjë të ndiheni në humor, duke i dhënë siluetës suaj një pamje më trendi. Një trikuart me model “T-shirt”. Më tepër sesa një pardesy e thjeshtë që të mbron nga të ftohtët, ajo vjen edhe si një element i kundërshtueshëm i siluetës suaj. Origjinal dhe fashion. Përveç kësaj janë veshjet klasike: impermeabël në ngjyrë bezhë, në prerje kanë vendosur të ndërhyjnë te mëngët duke luajtur me ngjyrat dhe anën grafike të tyre. Parka në kontrastin grafik e bardhë dhe bezhë, me një preje të drejtë, jo vetëm shumë e përdorshme por tepër e vizatuar, në mëngë dhe tek jaka që mbyllet direkt nga pjesa e përparme e pandarë.

Në ditët e shiut duhet patjetër një impermeabël praktike, por dhe e modeluar bukur, me jakë të madhe golf që rri e lirshme pas qafës, me bel të lartë dhe mëngë të gjera, asgjë nuk i është lënë rastësisë. Xhaketinat me mëngët treçerekëshe dhe prerjen nën vijën e gjoksit, vijnë duke modeluar një siluetë tepër fine, ende pa u veshur në trup. Një gjetje teknike për të fshehur çdo lloj defekti, sidomos për trupat me probleme. Një xhaketë e bukur e kuqe shkon shumë me një fustan të shkurtër të zi ose pantallona klasike dhe xhinse të thjeshta. Mëngë treçerekëshe, mbyllje mbi prerjen e gjoksit me katër butona dhe me një dekolte të lehtë. Të gjitha këto detaje e shndërrojnë në një veshje të mrekullueshme. Kur dalin rrezet e para të diellit, asgjë nuk është më e përshtatshme sesa një xhaketinë në stilin marinar që të mbështjell lehtas, e gjatë pa shkuar deri në bel dhe me mëngë të shkurtra. Ky model përshtatet shumë mirë me xhinse. Xhaketa xhins, që rikthehet këtë pranverë, ka avantazhin ta shndërrojë një veshje pak më shik për t`i dhënë një pamje më të re. Për të qenë në tendencë, mos harroni të vini një rrip në mes.

Por nuk duhen harruar fustanet e modeluara me prerje shumë të thjeshta, duke vizatuar një siluetë fine dhe modelet e risjella të viteve `50-`60, që ju pakësojnë edhe vitet mbi supe, sidomos për ato që janë shumë më të interesuara në këtë pikë, duke u ndier pa moshë. Pëlhurat që janë më të përshtatshme për këtë pranverë janë ato me lule, të mëdha ose të vogla, me shumë ngjyra ose kontrastuese. Në çdo lloj forme që vijnë, edhe me to do të ndiheni komfort, sepse është menduar për të gjitha llojet e trupave. Nën xhaketë mund të përdorni këmisha. Këtë sezon, ato preferohen të jenë të tejdukshme dhe në pjesën e mëngëve e të jakës të kenë shumë rrudha, kurse pjetinat kanë filluar të eliminohen duke hyrë pala në rolin e tyre. Jakat janë të mëdha ose të vogla, por gjithsesi, këtë e përcaktoni nga kombinimi që do të bëni. Ngjyrat që përdoren në këtë sezon janë të larmishme, por mbizotëron e kuqja. Përdoren bezha, grija dhe pak kanë filluar ngjyrat e tjera për të pasur hapësirën e duhur në sezonin e verës. E kuqja dominon në këtë sezon, vjen në prerje të gjata, të shkurtra, me kuadrata ose me motive të printuara. Me këto veshje, që adaptohen me të gjitha stilet, do të ndiheni shumë komfort në çdo ambient.

Merita TOÇILA : Gazeta Albania

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama