Boks Çagaev konfirmon Do ndeshem me Luan Krasniqin

Boks, Çagaev konfirmon: Do ndeshem me Luan Krasniqin
Lajmi është bërë i ditur nga faqet elektronike të të përditshmes gjermane "Die Welt", e cila ka theksuar se uzbeku Çagaev ka pranuar të hipë në ring përballë 36-vjeçarit nga Juniku. Në një intervistë për këtë gazetë, mbajtësi i brezit WBA ka folur rreth Krasniqit si kundërshtari i ardhshëm, duke e transmetuar si fakt të kryer ndeshjen kundër tij. "E njoh mjaft mirë Luanin", ka deklaruar Çagaev. "E kam shumë të qartë se si duhet të boksoj kundër tij. Krasniqit ia njoh pikat e forta dhe pikat e dobëta". Dueli mbetet një akord parimor mes promotorëve të dy boksierëve, pasi për momentin ende nuk është nënshkruar një kontratë. Kjo edhe për faktin se më parë, Federata Botërore e Boksit duhet të japë miratimin e saj dhe të njohë Krasniqin si sfidant. Gjithsesi, mësohet se në kuadër të këtij dueli është rezervuar edhe palestra "Porsche Arena" në Shtutgart dhe boksierët pritet të hipin në ring në muajin maj. Çagaev e ka fituar titullin kampion në WBA në prill të vitit 2007, duke mposhtur rusin Nikolai Valuev, ndërkohë që në fillim të vitit 2008 ai e ka mbrojtur titullin me anglezin Met Skelton.

Aktualisht Luan Krasniqi klasifikohet i 15-ti në listën e boksierëve më të mirë në versionin WBA. Kosovari ka ardhur nga një periudhë e pafat: për herë të fundit ai ka dalë i humbur nga ringu (14 korrik 2007), ku nuk ka arritur të përballojë amerikanin Toni Tompson në eliminatoret që do të nxirrnin sfidantin e titullit WBO. Ky është edhe brezi që 36-vjeçari ëndërron. Në vitin 2005 ai ka qenë fare pranë triumfit në versionin WBO, por ka dështuar pasi ka humbur në përballjen me amerikanin Lemon Brjuster.

Që prej korrikut 2007, Krasniqi nuk ka qenë aktiv, megjithatë ai gëzon një formë mjaft të mirë sportive. Në mars junikasi kishte parashikuar një ndeshje me ukrainasin Aleksandër Dimitrenko, ku do të luftohej për titullin kampion Evrope. Megjithatë kjo përballje është anuluar, e sipas mediave gjermane, Dimitrenko është tërhequr pasi ishte i pakënaqur me faktin se Krasniqi do të përfitonte më shumë të ardhura nga kjo sfidë. Aktualisht kosovari është i 12-i në renditjen e WBO-së.

Marre nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama