Historia është në favorin tonë. Nga katër padi, kemi fituar katër. Ata i kanë humbur të katërta. Me shumë gjasa, do të humbasin edhe të pestën. Imagjinoni që Gjykatës së Lartë iu desh t’i thotë Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit se gazrat që lëshohen nga efekti serrë janë një ndotës. Mendojeni pak. Shihni çfarë argumentojmë! Është ndotës apo jo? Për mua, është kokëkrisje e pabesueshme të argumentosh në këtë pikë. Kjo të tregon se ku janë ata. Ne do të vazhdojmë të ecim përpara agresivisht dhe përpiqemi të përshpejtojmë procesin. Nuk do të ulim kokën.
Duke iu kthyer një teme pak më ndryshe. Ligji i Kalifornisë, që detyron reduktimin e gazrave nga efekti serrë, mund të ketë shkaktuar fillimisht valë shoku mes komunitetit të biznesit. A mendoni se e keni fituar biznesin? Si?
Një pjesë e madhe e liderëve të biznesit ishin me ne, kur festonim miratimin e ligjit. Drejtues kompanish nafte ishin aty, ambientalistët po ashtu, si dhe prodhuesit e makinave. Arsyeja është se ne nuk u dalim para t’u themi që ky është ligji që ne duam, e doni ju apo jo. Ne dalim dhe flasim me të interesuarit. Kjo është shumë e rëndësishme. Nuk do të thotë se të gjithë do të hipin në të njëjtën varkë, që çdokush do të bjerë dakord, pasi kjo ndodh shumë rrallë, madje as në martesë nuk ndodh. Këtu ndodh shumë rrallë. Do të jenë bashkë shumë prodhues dhe kompani, kjo është diçka që do të jetë shumë e vështirë për mua, dhe nuk e di në do ia dal në kohë. Por në fund të fundit, mund të them se kemi patur mbështetje që në fillim dhe nga partnerë shumë të pazakontë. Kjo është gjë e mirë dhe ndihmon për të çuar përpara axhendën.
Si e shihni liderdshipin tuaj dhe rolin e Kalifornisë në lëvizjen ambientaliste?
Njerëzit ndihen krenarë që janë pjesë e një shteti ku ne bëjmë gjithmonë lëvizjen e parë dhe më pas ka efekt jehonë në gjithë botën, jo vetëm në shtetin tonë. Mendoj se kjo ka qenë ideja gjithmonë, për të mos folur se çfarë bën vetëm për Kaliforninë, por çfarë bën për pjesën tjetër të botës. Ne duam që bota ta dijë se nuk duhet të presim askënd. Edhe nëse je vetëm një qytet në Indi dhe nëse qeveria indiane ende nuk ka marrë iniciativën, mund të bësh një lëvizje. Apo nëse je një shtet në Australi, mund të bësh një lëvizje. Ne duam të frymëzojmë gjithkënd dhe ne duam që njerëzit ta dinë se gjërat e mrekullueshme që bëhen në Amerikë, mund të bëhen kudo. Pak kohë më parë, ishte një konferencë në Los Anxhelos ku morën pjesë 600 kryebashkiakë që kishin firmosur Protokollin e Kiotos. Të gjithë po bëjnë pjesën e tyre. Ka shumë shtete në SHBA që e kanë firmosur tashmë. Ka shumë gjëra të mrekullueshme që po ndodhin, pavarësisht faktit se Uashingtoni ka mbetur prapa.
Sa të rëndësishme kanë qenë këto veprime të hershme të Kalifornisë, sa i përket hapjes së rrugës drejt një ekonomie me teknologji të pastër?
Së pari, duhet të pranojmë, si mund të matet e gjithë kjo? Universiteti i Kalifornisë dhe disa laboratorë po punojnë me ne. Mund të flasësh sa të duash për humbje peshe, por nëse nuk hipën në peshore ta gjesh... Ne do të shohim sa lëshime ka në industri të ndryshme, dhe më pas do të nisim të vendosim rregulla e shtrëngojmë rripin. Ne duam që deri më 2020-n të kemi reduktuar 25 % të gazrave nga efekti serrë dhe duam të jemi në nivelin e 1990-s. Duam të tregojmë se jo vetëm i miratojmë ligjet, por edhe i marrim seriozisht.
Por a duhen marrë parasysh kostot për tranzicionin drejt kësaj ekonomie me teknologji të pastër? A ka dobi për të vepruar kaq herët?
Ka përfitime të mëdha,sepse krijohen vende të reja pune. Tani njerëzit duhet të shpikin gjërat e reja, sepse ne e dimë që gjëja më e rëndësishme në gjithë këtë histori është teknologjia. Mund të fluturojmë sërish avionë të mëdhenj, të ngasim makina të mëdha, por imagjinoni sikur avioni të mos ketë lëshime të gazrave. Nuk ka të bëjë me madhësinë e avionit, ne thjesht duhet të ndryshojmë teknologjinë e asaj që duhet të jetë motori dhe me çfarë duhet të punojë. “General Electric” po punon në këtë drejtim. Sapo kam parë një prej motorëve të tyre, është 20 % më efecient. Dhe kemi parë makina. Në fakt, një makinë m’u dërgua sot. Ne ndryshuam motorin, për të parë se si mund ta bënim më efecient. Ishte biokarburant. Ne i hoqëm motorin me benzinë dhe i vendosëm atë me biokarburant. Ka më shumë fuqi se më parë, por është 50 % më efecient dhe lëshon 40 % më pak gazra. Ja përse teknologjia do të krijojë vende pune, do të krijojë të ardhura e më shumë biznese. Kemi parë sipërmarrjet e kapitalit, ka miliarda dollarë të hedhur në ekonomi, të gjitha në atë drejtim. Mendoj se ka shanse të mëdha edhe këtu. Njerëzit nuk duhet të shqetësohen se do të humbasin vendet e punës, sepse do të ikin bizneset. E kundërta po ndodh.
Keni parë rritje ekonomike dhe jo largim burimesh?
I kemi parë të dyja, sidomos rritje të teknologjisë së gjelbër. Kohët e fundit kam qenë në Kinë. Fola me drejtuesit e “Youngman manufacturing”, një nga prodhuesit më të mëdhenj në Kinë. Ata do të ndërtojnë një uzinë këtu. Do të ndërtojnë makina krejtësisht elektrike. Makina ZAP. Është e pabesueshme. E gjitha elektrike. Vjen natën në shtëpi dhe e fut në prizë... Ky shtet po lulëzon kur bëhet fjalë për teknologji të pastër.
Si mundeni ju, një guvernator republikan, të bëni këtë luftë në nivel jopartizan? Përse është kaq e rëndësishme për ju?
Gjithmonë kam ndier se disa gjëra janë qartësisht politike. Dihet, një parti ka një mendim, kurse një tjetër parti ka një mendim tjetër. Por ka disa çështje, ku kjo luftë nuk duhet të ndodhë aspak. Nëse mendon se cili është qëllimi përfundimtar, që do të thotë të ndihmosh njerëzit të jetojnë në një mjedis të pastër, apo të kenë kujdes shëndetësor e arsim, duhet të kuptosh se për disa gjëra duhet punuar së bashku, të dy palët.
Kristin Kloberdanz : Gazeta Metropol











