Mirela Bogdani kandidatja e konservatoreve angleze per deputete ne BE

Mirela Bogdani, kandidatja e konservatoreve angleze per deputete ne BE
Angazhimi i saj katervjeçar ne politike nё Shqipёri dhe njё program “Masteri” nё Studime Europiane qё kreu nё Universitetin e Kardifit, ndryshuan perfundimisht karrierёn e saj nga stomatologjia dhe shendeti publik nё politikё. Mirela Bogdani tani jeton nё Britanine e Madhe, duke ndjekur karrierёn e re nё politikё, si dhe nё fushёn akademike. Aktualisht studion ne Oksford, pas eksperiences si pedagoge ne Universitetin e Kardifit si pedagoge (jep lenden Politikat e BE-se), po edhe si politikane e ardhshme (ёshtё e angazhuar aktivisht nё Partinё Konservatore Britanike dhe ka punuar pёr konservatorёt nё Asamblenё Nacionale tё Uellsit). Fushat e saj te tanishme te interesit perfshijne Bashkimin Europian, politiken britanike, politiken ne Shqiperi dhe ne veçanti çeshtjen e integrimit Europian te Shqiperise, procesin e hyrjes se saj ne BE dhe marredheniet Shqiperi-BE. Pertej kualifikimit te spikatur akademik, Mirela Bogdani eshte shqiptarja e pare qe kandidon per te qene deputete e Parlamentit te Bashkimit Europian.


Dr. Bogdani, ju jeni shqiptarja e pare deri sot qe keni mundur te perfshiheni ne procesin e kandidimit per nje nga institucionet me te larta politike te Europes, ate te Parlamentit Europian. Si arritet, si e huaj, ne 5 vjet qendrimi ne Britanine e Madhe, te nje sukses i tille?

Ne vendet si Britania e Madhe, me pune, arsimim dhe ambicie mund te arrish gjithçka, sepse ketu vleresohen aftesite dhe meritokracia, pavaresisht nga nacionaliteti, gjinia apo raca. Angazhimi im me Partine Konservatore Britanike (PKB) filloi pak muaj pasi u vendosa ne Britanine e Madhe. Duke qene se ne Shqiperi kisha qene per disa vite e involvuar ne “party politics” dhe ne Cardiff University, po beja nje MSc per shkenca politike dhe per me teper karrieren time te re e shikoja ne politike, e pashe te arsyeshme te perfshihesha ne politike ne vendin tim te ri. U anetaresova me konservatoret, edhe sepse bindjet e mia jane te djathta (jo si ato ne politiken shqiptare), por edhe se PKB eshte nje nga partite me te vjetra e prestigjioze te botes dhe do kisha se çfare te mesoja e perfitoja nga angazhimi me to. Kane kaluar mese 4 vjet qe atehere. Fillimisht u angazhova ne aktivitetet politike dhe sociale te deges lokale (pjese e strukturave rajonale te quajtura “party associations” e qe perbejne strukturen me te rendesishme te aktivitetit te partise ne baze). Me pas punova ne Asamblene e Uellsit si kerkuese ne disa projekte me grupin parlamentar konservator. Para tre vjetesh u zgjodha anetare e deges lokale, me pas koordinatore e politikave (Policy Coordinator) dhe vjet u zgjodha si sekretare (Honorary Secretary) e deges. Gjate gjithe kesaj kohe jam angazhuar vazhdimisht ne fushatat elektorale per Westminster (Parlamentin Britanik), zgjedhjet europiane (Parlamentin Europian), per zgjedhjet rajonale (Asamblene e Uellsit) dhe zgjedhjet lokale, duke punuar ngushte e ndihmuar kandidatet, shperndare fletushka, duke bere “canvassing” (biseda dere me dere me njerezit) etj. Keto metoda dhe aktiviteti ne baze jane aq ne kontrast me politiken ne Shqiperi, ku baza eshte e fjetur dhe aktiviteti kryesor ne fushatat elektorale jane mitingjet populiste. Nje pjese e rendesishme e aktivitetit ku une jam perfshire eshte dhe mbledhja e fondeve (fund-raising) per fushatat elektorale dhe kandidatet, duke organizuar aktivitete te ndryshme sociale.

Kjo perben nje pjese te rendesishme te aktivitetit te degeve lokale, sepse kandidatet financohen nga partia (ose “associations”) dhe te gjithe shpenzimet deri ne detaje regjistrohen dhe raportohen deri te nje strukture e veçante e pavarur, ndryshe nga sa ndodh ne Shqiperi, ku kandidatet shpesh financohen nga burime te dyshimta deri elemente te krimit te organizuar dhe shpenzimet nuk regjistrohen apo raportohen tek askush. Veç kesaj, nje moment tjeter i angazhimit tim ka qene pjesemarrja e rregullt ne mbledhjet e konferencat e partise, ku percaktohen politikat dhe zgjidhen strukturat drejtuese.
Ju keni filluar procesin e kandidimit ne 2007-n, nderkohe qe zgjedhjet e ardhshme europiane jane ne maj te 2009-s. Pse kaq shpejt dhe a mund te na tregoni ne menyre me te detajuar per kete proces?

Faktikisht une fillova qe ne fundin e vitit 2006, pra eshte nje proces qe zgjat 3 vjet. Fillimisht dergova nje leter ne Komitetin e Seleksionimit te Kandidateve, nje strukture e pavarur nga kryesia dhe shoqatat e partise, ku shpreha interesimin tim per te kandiduar ne zgjedhjet europiane te vitit 2009. Pas nje muaji me erdhi nje leter e kryetarit te Komitetit, bashke me formularin perkates dhe kerkesen per tri referenca. Formulari ishte goxha kompleks, sepse perfshinte kerkese informacioni mbi eksperiencen politike dhe profesionale te kandidatit, formimin akademik, perfshirjen ne aktivitete vullnetare etj. Pas dorezimit te dosjes me formularin dhe emrat e tre referenteve, Komiteti u dergoi te tre referenteve te mi formulare per te plotesuar ne lidhje me figuren time. Shqyrtimi i dosjes dhe referencave nga anetaret e Komitetit perbente fazen e pare te selektimit, te cilen une e kalova me sukses dhe per te cilen u njoftova ne maj. Faza e dyte ishte ajo qe quhet “Bordi Parlamentar i Perzgjedhjes” (“Parliamentary Assesment Board” - PAB) nje provim 5 oresh para nje paneli te perbere nga deputete, eurodeputete dhe aktiviste partie, te cilin duhet ta kaloje çdo kandidat. Testimi permban 5 faza: provim me goje (interviste), provim me shkrim (dy ese), nje mini-fjalim publik (public speaking), ushtrim pune ne grup (team exercise) dhe ushtrim per percaktim prioritetesh (in-tray exercise). Une e dhashe PAB-ne dhe jam ne pritje te rezultateve (dhe zgjidhjes se ca barrierave teknike qe shpresoj t’i kaloj). Nese kalon fazen e dyte, shpallesh kandidate zyrtare dhe perzgjedh zonen elektorale ku deshiron te kandidosh. Faza e trete (qe eshte pranveren e ardhshme) konsiston ne paraqitjen e kandidatit, se bashku me kandidatet e tjere (gjithmone nga e njejta parti) ne zonen elektorale para anetareve te partise se zones, ku secili ben nje prezantim te vetes dhe programit elektoral. Anetaret e zones pastaj votojne per kandidatet e preferuar dhe ata qe dalin ne fillim te listes shpallen si kandidate te zones (sepse zgjedhjet europiane jane sipas sistemit proporcional). Pas kesaj kandidatet fillojne punen dhe lidhjen me zonen dhe elektoratin, periudhe e cila zgjat nje deri ne nje vit e gjysme. Pra shikohet sa proces i gjate dhe i nderlikuar, por dhe sa demokratik dhe transparent eshte. Une jam akoma ne mesin e ketij procesi dhe shpresoj te arrij ne finish, po edhe nese jo, prape do jete nje eksperience shume e vlefshme dhe interesante.

Ju keni qene e perfshire ne politiken shqiptare para se te largoheshit nga Shqiperia. Si ju duket dallimi ndermjet procesit te selektimit te kandidateve ne partite shqiptare dhe ato britanike?

Nga ajo qe shpjegova me lart, gjithkush mund te vereje dallimet e thekshme qe ekzistojne midis dy paleve. Ne kete proces dua te ve ne dukje 3 momente nga procesi zgjedhor ketu, qe jane si nata me diten me procesin ne Shqiperi. E para ka te beje me kohen e procesit, e cila, siç thashe, ketu fillon 3 vjet perpara, per vete faktin se kandidatet i nenshtrohen nje procesi selektimi disa fazash, pastaj trajnimi dhe pastaj njohja me elektoratin perkates. Nderkohe ne Shqiperi procesi i seleksionimit te kandidateve fillon vetem 2-3 muaj para zgjedhjeve, qe eshte qesharake. Momenti i dyte eshte se kush mund te jete i pershtatshem per te qene kandidat dhe kush i zgjedh kandidatet. Duke qene se politika ne vendet si Britania eshte mbi baza demokratike, te gjithe anetaret e partise kane te drejten te paraqesin kandidaturen. Procesi i seleksionimit te kandidateve behet nga Komiteti qe permenda dhe panele speciale qe ngrihen per kete qellim, kurse lideri dhe kryesia e partise nuk nderhyjne absolutisht ne kete proces. Ndersa ne Shqiperi jane kryesisht kryetaret e partive (dhe sa me te vogla te jene partite, aq me fuqiplote jane kryetaret) bashke me kryesite perkatese qe perpilojne listat e kandidateve dhe, ç’eshte me e keqja, ka aludime qe kete e bejne ne shkembim te parave apo favoreve. Kjo sjell pastaj skandale te tilla, p.sh. njerez qe nuk kane qene asnje dite anetare te asaj partie papritur figurojne ne liste e behen me pas deputete (siç ndodhi me Partine Republikane ne zgjedhjet e 2005-s), apo njerez qe s’kane as me te voglen eksperience ne politike, 3 muaj me vone e shohin veten deputete apo ministra (siç ndodhi me anetaret e KOP-it te PD-se), apo njerez pa me te voglin bagazh arsimor e profesional, apo akoma me keq, njerez te dyshimte apo te perfshire me krimin e organizuar perfshihen ne lista (siç ndodhi me PS-ne, PR-ne e te tjera parti). Momenti i trete ka te beje me financimin e fushatave elektorale dhe kandidateve, te cilin e permenda me lart. Pra do te mjaftonte ky aspekt, ai i procesit zgjedhor dhe perzgjedhjes se kandidateve, qe ka te beje me zgjedhjet e lira e te ndershme (nje nga guret e themelit te demokracise dhe kriteri i pare i Kopenhagenit) qe Shqiperia ta shikonte me tej hyrjen ne BE.

Ana tjeter e jetes suaj ne Angli jane studimet akademike. Sivjet u botua libri juaj i ri "Shqiperia dhe Bashkimi Europian: Udhetimi kaotik drejt pranimit dhe integrimit”. Ne mos gaboj, ky eshte libri juaj i trete. Si ju lindi ideja te beni nje liber te tille?
Ideja fillimisht lindi ne veren e vitit 2003. Atehere isha duke perfunduar programin e nje masteri ne fushen e Politikave Publike Europiane ne Universitetin e Kardifit dhe si teme disertacioni kisha zgjedhur ate te marredhenieve Shqiperi-BE dhe procesin e integrimit. Ideja e temes ishte te eksploroja avantazhet e kryesisht pengesat e Shqiperise ne rrugen e saj drejt BE-se duke analizuar kushtet politike dhe social-ekonomike si dhe aktoret e brendshem. Ate vere erdha ne Shqiperi per te bere ca intervista per disertacionin me perfaqesues te kesaj fushe. Njeri prej tyre, Ledi Bianku, drejtor i Qendres per Studime Europiane, me propozoi qe pas perfundimit te botohej nga qendra e tyre. M’u duk interesante ideja e konvertimit te disertacionit ne liber. Kur u ktheva ne Britani, kete ide e bisedova me supervizorin tim, Prof. John Loughlin, dhe e ftova te behej bashkautor i librit. Pas perfundimit te disertacionit (i cili u vleresua me “distinction”) fillova punen per ta shkruar si liber. Pas disa muajsh pune, libri ishte gati per botim, megjithate, duke qene se ishte shkruar ne anglisht, une e pashe te udhes ta perktheja dhe ne shqip, per ta bere te lexueshem nga audienca shqiptare (gje qe me mori dhe dy muaj te tjere) duke e bere dygjuhesh.

Ka kaluar mese nje vit nga hyrja juaj ne Oksford. Ç'mund te tregoni nga eksperienca e deritanishme ne nje nga institucionet akademike me prestigjioze te botes? Me sa dihet, te pakten kete vit jeni e vetmja studente shqiptare ne Universitetin e Oksfordit prej 16 mije studentesh?
Te them te drejten, edhe pas nje viti nuk e besoj qe jam aty dhe vazhdoj te ndjehem me fat dhe e privilegjuar qe Zoti me dha mundesine per te studiuar ne Oksford. Ne klasifikimin e 20 universiteteve me te mira ne bote per vitin 2007, qe behet çdo vit nga “The Times Higher Educational Supplement”, Oksfordi vazhdonte te radhitej i dyti ne bote, pas Harvardit, nderkohe qe kryeson listen e universiteteve europiane si numri 1 ne Europe. Me pelqen ambienti shume i larte akademik dhe intelektual i studenteve e pedagogeve, cilesia e niveli i bisedave, debateve e diskutimeve, leksionet me figurat me te spikatura te botes akademike, politike e intelektuale. Gje tjeter qe me pelqen shume eshte vete qyteti me kolegjet, bibliotekat e kishat e tij, arkitektura e veçante dhe magjepsese dhe historia e tyre qe prej shekullit te 12-te, kur u krijuan kolegjet e para. Pra ka shume tradite, histori, bukuri dhe aristokraci. Ama nuk me pelqen te qenit “studente” (jo thjesht per çeshtje moshe, po se deri vjet une isha pedagoge ne Universitetin e Kardifit dhe eshte e veshtire te kaloj nga mesuese ne nxenese). Tjeter gje eshte se per te mbajtur statusin e universitetit me te mire, nga studentet kerkohet nje volum i madh pune e pergatitje, cilesi dhe standarde teper te larta dhe organizim thuajse perfekt, qe krijon shpesh momente frustrimi dhe stresi.

Si e balanconi jeten midis karrieres, studimeve, librave, angazhimit politik, me familjen, vajzen dhe pergjegjesite ne shtepi?
Me shume pune, lodhje e sakrifica, aq me teper qe tani me duhet ta kaloj javen ne Oksford dhe vetem fundjaven ne shtepi ne Kardif. Lexoj e punoj gjithe kohen (edhe ne tren), dhe nuk kam asnje minute te lire. Tani, vajza, Sindi, eshte rritur (kete vit eshte ne klase te peste), prandaj e kam me te lehte. Megjithate, shtepia, femija dhe familja kane plot pergjegjesi dhe angazhime, por kur ke sens te mire organizimi dhe menaxhimi, te gjitha behen.

Nese ktheheni ne Shqiperi, a do ta konsideronit ambicien e nje karriere politike ne majat me te larta, p.sh si presidente?
Une kam akoma plane e objektiva per te realizuar ne “atdheun tim te dyte”, ku nder me kryesoret jane perfundimi i studimeve ne Oksford dhe ecuria e kandidimit. Megjithate, jam me mendje te hapur dhe me kenaqesi do te pranoja nese me propozohet apo ofrohet nje pozicion, konform arsimimit dhe eksperiences sime, ku mund te jepja kontributin tim. Dhe si une ka me dhjetera shqiptare intelektuale ne te gjithe boten, qe do kishin deshire te ktheheshin nje dite e qe dijet, aftesite dhe eksperiencat e fituara ne Perendim t’i vinin ne funksion te progresit dhe zhvillimit ne Shqiperi. Nje grua presidente… kjo do te perbente nje tjeter rast te paprecedent ne Shqiperi dhe njekohesisht nje gje shume pozitive per shoqerine dhe shtetin shqiptar.


Intervistoi: Raimonda Moisiu  : Gazeta Albania

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama