E quaj fat, derisa duhet të vdesim pa e pasur mundësinë për të shprehur opinionet tona, pa diskutuar dhe kritikuar ato për çfarë jemi pro ose kundra, pa pasur të drejtë për të vendosur në bazë të principeve tona individuale. Të vdesësh në luftë, të vdesësh për kombin: as që nuk e mendoja këtë fund, është një tragjedi e madhe". Këto citime dhe shumë të tjera nga ditarët personalë dhe letrat dërguar nga fronti drejt familjarëve të tyre, janë një minierë përshkrimesh mbi figurën e pilotëve japonezë kamikazë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këto tekste ka diçka të jashtëzakonshme, por njëkohësisht edhe të habitshme.
E përmbysin totalisht imazhin që kemi krijuar për pilotët kamikazë, dhe mbi të gjitha është akoma më interesante në këtë epokë që ky term japonez përdoret edhe për të identifikuar terroristët vetëvrasës, të cilët frymëzohen nga fundamentalizmi islamik. Natyrisht që ka mjaft ndryshime ndërmjet sulmeve japoneze kundër flotës amerikane në Perl Harbër dhe sulmeve terroriste të ditëve të sotme, që po gjakosin të gjithë botën. Por për të hyrë në ndërgjegjen e një kamikazi duhet një leksion universal. Atëherë nuk quhej e drejtë nëse nuk i mirëkuptoje aparencat, të vërtetat zyrtare, sipërmarrjet propagandiste të atyre që kanë interes për ta transformuar një martir ideologjik në një mit. Tipikët e fanatikëve nacionalistë të mbushur plot me urrejtje, që me entuziazëm shkonin e përplaseshin me avionët e tyre drejt anijeve amerikane, nuk duken kaq të besueshëm në ditarët dhe rrëfimet e tyre. Ajo karikaturë nuk u ndërtua vetëm nga propaganda amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore, ose nga Hollivudi i pasluftës. Krijuesi i parë i legjendës së kamikazëve ishte vetë regjimi ushtarak japonez, që i transformoi në simbolin më të çmuar të martirit vullnetar për mëmëdheun. Kulmi ishte kur Japonia imperialiste krijoi një "estetikë" për vdekjen në luftë, duke i krahasuar të rënët me sythat e luleve të pjeshkës që përdoreshin në ritet fetare.
Realisht ata ishin disa qenie njerëzore që torturoheshin nga pritja e një vdekjeje të sigurt, me të cilën i dënonte fakti i vetëm që kishin lindur në Japoni në periudhën më të errët të historisë së saj. Kamikazët, më shpesh nga japonezët quheshin tokotai (forcat special të sulmit), ishin një grup elite i krijuar pranë fundit të luftës, kur tashmë pushtimi amerikan ishte i pashmangshëm. Admirali Onishi Takijiro formoi disa skuadra speciale, misioni i të cilave planifikohej pa pasur një kthim në bazë. Avionët furnizoheshin me karburant të mjaftueshëm vetëm për rrugën e vajtjes. Motivi nuk ishte, siç besohej atëherë, për të kursyer karburant. Realisht admirali Onishi pretendonte se "shpirti japonez, që gëzonte një forcë unike për t‘i bërë ballë vdekjes pa asnjë hezitim, ishte instrumenti i vetëm në gjendje për të shpëtuar mëmëdheun, që tashmë ishte rrethuar nga flota amerikane, e cila bëhej e paprekshme nga radarët që zotëronte". Të paktën vetëm me këtë ka një ngjashmëri të mundshme me Al-Kaedën dhe idealet ekstremiste islamike: ideja se shpirti i pastër që rrjedh nga një fe absolute mund të bëhet i pathyeshëm, që plumbi njerëzor është arma më vdekjeprurëse. Por personat që mobilizoheshin për këto lloje sulmesh nuk ishin njerëz kaq të urryer. Këta pilotë të rinj, që lëshoheshin kundër flotës amerikane, i përkisnin një shtrese shoqërie që ishte edukuar në universitetet më të mira të vendit, me një kulturë tepër evropiane dhe jo me ideale radikale.
Ditarët dhe letrat na tregojnë një gjeneratë që ka studiuar latinishten, anglishten, frëngjishten dhe gjermanishten, ka lexuar Gëten në gjuhën origjinale, Marksin, Adam Smithin dhe shumë të tjerë. Njohja dhe lidhja me filozofët perëndimorë është e tillë, sa që një nga këngët studentore të asaj epoke titullohej "Deshanko", shkurtimi i inicialeve në japonisht i Deskartes, Kant dhe Shopenauer. Edhe kur në disa lind një vizion nihilist, ai shpesh frymëzohet nga autorë perëndimorë si Niçe (pikërisht si disa mendimtarë ekstremistë të botës arabe). Përpara se të vdiste, kamikazi i ri Takushima Normitsu i shkruan vargjet e fundit të dashurisë të fejuarës së tij, të cilës i kishte vënë një nofkë franceze, "Antoinette": "Zemra pa dashuri është bosh. Dashuria mëson bukurinë dhe na mbush plot jetë". Në ditar rrëfen: "Në një natë të ftohtë dimri mendoj për Gauguin, për ishujt e saj jugorë plot me ritme të forta, për natyrën e virgjër, për detin kristalor, mendoj për Baudelairen dhe vizionin e saj frojdian mbi dashurinë. Shoh pikturat e Botiçelit si mollë të përkryera. Da Vinçi ishte në gjendje të përfaqësonte Zotin. Rafaeli ka një ndjeshmëri femërore". Edhe pse nën presion psikologjik dhe me rrezikun e censurës dhe dënimeve disiplinuese, arrin të hedhë në letër opinionet e tij heretike për luftën: "Ah Francë, mike e kulturës. Je mundur, por unë admiroj kulturën e madhe, që asnjë fuqi ushtarake nuk mund ta shkatërrojë. Ju francezë duheni, pasi jeni miqtë e vlerave kozmopolite". Bëhet akoma më i qartë dhe i fortë kur flet për vendin e tij: "Japonezët janë të ndjeshëm, ky është një avantazh për diktatorët. Ideja që një patriot duhet të sakrifikojë jetën është një mendim prej budallai.
Është një tip çmendurie narcisiste. E urrej nacionalizmin. Vendi po e shtyp individin. Shpirti i të djathtës është si alkooli. Ekzaltimi i të djathtëve është si e bërtitura e të dehurve. Sot japonezët nuk janë në gjendje të flasin dhe të kritikojnë. Populli japonez nuk ka informacion të mjaftueshëm për të vlerësuar faktet, opinioni publik është tepër i presuar. Demagogjia është bërë lokomotiva e shoqërisë tonë" (30 qershor 1944). Por ata nuk janë veçse makina vrasëse. Kamikazi tjetër, Hayashi Ikizo, është më i qartë në fjalët e tij: "Është e thjeshtë të flasësh për vdekjen vetëm duke e menduar si një fenomen natyror dhe në mënyrë abstrakte. Është vdekja e vërtetë ajo që më fut frikën dhe nuk e di nëse mund ta përballoj. Por kam arritur në atë pikë që nuk mund të kthehem dot mbrapsht. Për të qenë i sinqertë nuk mund të them se dëshira për të vdekur për perandorin është një ndjenjë që ka lindur nga zemra ime. Në fakt, ky fat është vendosur për mua, unë duhet të vdes për perandorin". Hayashi vdes në aksion në moshën 23-vjeçare, më 12 prill 1945. Të vënë nën presion psikologjik, klima e vërtetë që mbizotëron natën përpara se të vdisnin, përshkruhet në një letër të Kasuga Takeo, i cili tregon për atmosferën në fjetoren e bazës ajrore të Tsukiuras: "Disa pijnë ‘sake‘, disa bërtasin nga inati, disa të tjerë qajnë akoma nga dhimbja. Mendojnë për prindërit dhe u japin lamtumirën të fejuarave të tyre.
Janë skena dëshpërimi". Gjithsesi mbetet misteri pse kaq shumë të rinj sakrifikohen në misionet tokotai. Në fakt, rastet e çrregullimeve janë të rralla. Por janë vetë këta ditarë që tregojnë mbi atë që ka ndodhur në mendjet e tyre gjatë kapitullit të fundit të luftës në Paqësor. Mbi të gjitha tradita ushtarake e Sol Levante gjithmonë e ka idealizuar dhe adhuruar martirin: "Ushtarët gjermanë stërviteshin për të vrarë, ata japonezë më parë mësonin se si të vdisnin". Të kundërshtoje për të dhënë jetën si sakrificë quhej "një krim që shtrihet për pesë gjenerata dhe ndëshkohen deri te të afërmit më të largët". Në këtë mënyrë, sjellja e një ushtari vinte në diskutim dinjitetin e një familjeje të gjerë. Kështu, ushtarët ishin nën presion indirekt nga të dyja palët. Të ktheheshin mbrapa do të thoshte t‘i hiqje nderin e familjes. Gjithsesi regjimi ishte i fortë për të ushtruar një propagandë, me anë të së cilës i transformonin amerikanët si kafshë që ushtronin terror dhe tortura mbi çdo territor të pushtuar. Presioni ishte aq i madh, saqë menjëherë pas zbarkimit të marinsave, në shumë ishuj të arkipelagut japonez u kryen vetëvrasje në masë, si ajo e ishullit Saipan, ku banorët vendas u hodhën në turmë nga një shkëmb i thepisur. Elementi tjetër që vihej re në pilotët e rinj kur afronte ora e vdekjes është solidariteti me shokët që e tashmë e kanë kryer atë akt "heroik". Takushima Norimitsu, më datë 15 tetor të vitit 1944 shkruan: "Lajmi i vdekjes së shokut tim Shoda është një goditje në zemër. Ishte më idealisti dhe patrioti i të gjithëve ne.
Ai jeton akoma mes nesh. Uniforma e tij dhe objektet personale i mbaj në dhomën time". Me kalimin e kohës bombardimet amerikane bëhen më të shpeshta dhe dorëzimi po afron. Sakrifica supreme bëhet për këta të rinj një mënyrë për të ndarë midis tyre të njëjtën tragjedi të popullatës civile. Edhe kur vendi është pranë pushtimit, sakrifica nuk mohohej. Hayashi Tadao shkruan në reshta: "Jetën na e ka dhënë ky vend / Atëherë pse duhet të hezitojmë ta japim jetën për të? / Japoni budallaqe / Japoni e pamëshirë / Për aq sa ti je çmendur / Ne që të përkasim / Duhet të çohemi dhe të të mbrojmë". Në ndryshim nga Islami, asnjë nga besimet që praktikohen në Japoni nuk premton një jetë pas kësaj tokësore. Në versionin japonez të budizmit, versioni i rimishërimit është zhdukur me kohë. "Shintoismi" është një besim që merret me këtë botë dhe jo me atë që vjen pas vdekjes. Perandoria e Sol Levante u premtonte të kamikazëve të rinj që ata do të transformoheshin në lule pjeshke në kopshtin rreth tempullit kombëtar "Yasukuni" të Tokios, por nga ditarët e tyre është tepër e qartë që askush nuk e merrte seriozisht atë përrallë. Në përgjithësi kishte edhe nga ata që besonin se do të shkonin në parajsë.
Por ndërmjet terroristëve aktualë, sa prej këtyre djemve afrohen vullnetarisht? Sa prej tyre e kanë marrë atë vendim si pasojë e lavazhit të trurit? Manifestimet ideologjike organizohen me kujdes. Në Luftën e Dytë botërore ishin liderët ushtarakë japonezë të cilët i çuan ata djem drejtë vdekjes (pa rrezikuar jetët e tyre), ashtu si edhe amerikanët që ndërtuan famën e kamikazit, si të një qenieje të veçantë, një person absolutisht ndryshe. Të gjithë kontribuuan për të prezantuar një portret të pilotit "tokotai", që tashmë duket si i kohës. Por në fakt nuk korrespondon aspak me ndërgjegjen që ata kishin brenda tyre dhe me mënyrën se si ata e perceptonin atë akt.
Marre nga : Gazeta Shqip











