“Gjakmarrja sot nuk ka burreri”

“Gjakmarrja sot nuk ka burrëri”

Në 25 minuta film, Kryeziu ka dashur ta shohë në një vështrim tjetër gjakmarrjen. Gjithçka ndodh mes dy familjeve të ngujuara përballë njëra-tjetrës. Ndërsa molla e sherrit është një pus uji. Vetëm pak metra larg shtëpive të tyre ka një peizazh të mrekullueshëm, që ata nuk mund ta shkelin. Po aty afër është një liqen i bukur me ujë të mjaftueshëm për familje të tëra. Por në ndryshim nga disa prodhime të tjera kinematografike, "Gjakmarrja" nuk merret me plagët e pasojat e këtij fenomeni. E gjithë skena është ngritur mbi procesin klinik të marrjes së gjakut nga kundërshtari dhe injeksionin te i plagosuri i familjes kundërshtare. Personazhet e tij janë të pafjala dhe skenat shumë të ftohta. Ndonjëherë, duke krijuar një distancim të madh e duke vënë pikëpyetje nëse mund të arrihet që të ironizohet mbi këtë temë. Por Kryeziu pohon se e ka bërë të qëllimshëm këtë ndërtim.

"Ne krijuesit duhet të distancohemi nga ky fenomen, por të distancohet edhe publiku. Nuk kam dëshirë që ai të jetë pjesë e gjakmarrjes, por ta shohë si diçka të ftohtë dhe të vdekur. Për këtë duhet të luftojmë të gjithë, edhe pse mund të jetë e vështirë. E kam trajtuar në një formë ndryshe gjakmarrjen, për të treguar se është një riciklim i gjakmarrjes që po ndodh tek ne. Ata shkëmbejnë gjak me njëri-tjetrin dhe simbolikisht do të thotë që të gjithë ne jemi një gjak. Kanë mjaft hapësirë për të jetuar, luftojnë për një burim, kur liqenin e kanë 100 metra larg. Gjakmarrja sot nuk ka asnjë vlerë dhe të gjithë luftojnë pa ndonjë motiv të arsyeshëm", - shprehet Kryeziu. Filmi është shfaqur në konkurrim në seksionin fiction në "Tirana International Film Festival". Edhe pse një temë që shpesh ka grishur kineastët, për regjisorin fenomeni i gjakmarrjes nuk ka marrë trajtimin e duhur në kinematografinë shqiptare.

Ai shprehet se më së shumti kanë qenë të huajt ata që vijnë dhe e përcjellin në filmat e tyre këtë proces. Por këtë e shpjegon edhe me tranzicionin kinematografik, sidomos në Kosovë. "Ne nuk kemi probleme për të gjetur tema, kemi shumë të tilla. Por në mungesë të identitetit kinematografik, ne si gjenerata të reja duhet ta gjejmë atë. Filmi i shkurtër është shumë i vështirë dhe në një minutazh të shkurtër të duhet të zhvillosh një temë si gjakmarrja. Në çdo vend ka faza tranzitore e në këto raste përkushtimi i qeverisë është më i madh në aspektin politik se sa atë artistik. Për momentin, kinematografia ka humbur shumë te ne, punon vetëm kinemaja në Prishtinë dhe një rol të rëndësishëm në zhvillimin e saj luan numri i shikuesve, por edhe shumë faktorë të tjerë", - shprehet Kryeziu. Për të, gjakmarrja është e shtrirë gjerësisht edhe në Kosovë, por situata në të cilën ndodhet e ka fshehur për momentin këtë fenomen. I referohet një shprehjeje të shkrimtarit Ismail Kadare, për të shpjeguar situatën e Kosovës, i cili thotë: "Në kohërat e luftërave gjakmarrja bie". Sipas Kryeziut, populli është bashkuar për të luftuar një armik të madh, e në këtë rast gjakmarrja është fshehur. Pyetjes nëse ky fenomen mund të ngrejë kokë në një status të ri të Kosovës, regjisori i përgjigjet se "ka një vetëdijesim të gjithmbarshëm të popullit, megjithëse njerëzit e këqij nuk do të ndalen kurrë. Por nuk besoj se gjakmarrja do të ngrejë krye. Populli e ka kuptuar të keqen e gjakmarrjes.

Marre nga : Gazeta Shqiptare


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama