Pasionanti i natyres

Pasionanti i natyrës

Biologjisë dhe përgjegjësen e Kopshtit Botanik, dr. prof. Liri Dinga, organizuan një festë përkujtimore kushtuar botanistit të shquar shqiptar, profesor Mustafa Demirit, që hodhi fondamentet e këtij kopshti, duke i dhënë kështu shkollës sonë të lartë laboratorin e tij botanik shkencor dhe banorit të Tiranës parkun e bukur atraktiv, çlodhës dhe edukues. Profesor Mustafa Demiri është figurë e shquar e shkencës shqiptare në fushën e botanikës, kushtuar kryesisht florës shqiptare. Gjatë 30 viteve punë intensive, profesor Mustafai grumbulloi, përpunoi, studioi shumicën e bimësisë së vendit tonë, duke botuar rreth 1000 tituj shkencorë e didaktikë brenda dhe jashtë vendit me mbi 6000 faqe në disa fusha si: të floristikës, fitogjeografisë, gjeobotanikës etj. Është autori i veprave si "Flora e Tiranës", "Flora e vogël e Shqipërisë",

"Flora ekskursioniste e Shqipërisë", botime këto që paraprinë veprën "Flora e Shqipërisë", që u shërbeu dhe u shërben si manualë studentëve e shkencëtarëve të vendit, duke i dhënë njëkohësisht autoritetit të profesorit dimension ndërkombëtar. Si anëtar i katedrës së botanikës, si pedagog, udhëheqës leksionesh e seminaresh dhe punës së madhe didaktike, ai u angazhua totalisht edhe në hartimin e një programi të një laboratori botanik në shërbim të studentëve, dijetarëve të kësaj disipline të rëndësishme shkencore të ekonomisë sonë kombëtare. Ngritja e një kopshti botanik në vitet ‘60 në një vend të varfër sikundër ishte Shqipëria, me një kundërshti të vazhdueshme ndërmjet thirrjeve të shkencëtarëve dhe diktateve politike, ka qenë një nismë tepër e guximshme dhe jo e lehtë për t‘u realizuar. Por, profesor Mustafa Demiri, në sajë të dijeve, pasionit, vendosmërisë dhe shpirtit të madh të një botanisti, drejtoi shkencërisht zbatimin e projektit për krijimin e një kopshti botanik, si një qendër të rëndësishme me vlera shkencore, mësimore, kulturore dhe edukative. Kështu, si një monument i gjallë i punës së tij u arrit të kemi Kopshtin e parë Botanik në Tiranë dhe në Shqipëri, Kopshtin e parë Universitar, Parkun e parë Botanik të vendit tonë.

Kopshti Botanik i Tiranës ka një sipërfaqe prej 15 mijë hektarësh, ndodhet në zonën periferike më të bukur të Tiranës. Në vitet e para të themelimit gëzonte liri të plotë hapësinore, me një natyrë të virgjër, atmosferë të qetë dhe peizazh të pasur vegjetal. Në këtë hapësirë të lirë dhe me morfologji të larmishme në baza shkencore, u bë zoonimi dhe kompozimi funksional i hapësirës së kopshtit, sipas një çelësi shkencor botanik modern në sistematikën e bimësisë shqiptare, të makias shqiptare, të pyllit mesdhetar dhe të përzier të ahishtës, të bimësisë ujore, të palmetiumit, të pemishtes të trëndafilishtes dhe të tjera zona. Sipas projektit arkitekturor, forma fantastike të kristalta të serave dhe të tjera ndërtesa administrative e mësimore do të pasuronin peizazhin e kësaj biblioteke unikale të bimësisë shqiptare.

Arkitektura i dha kësaj hapësire vlera të artit vegjetal, në përputhje gjithnjë të parimeve shkencore të ekspozimit të florës. Kopshti ka një zoonim të pastër funksional, ku dominon një aks kompozimi, që përfaqëson shëtitoren kryesore të gjelbëruar në të dyja anët e mbjella me palma mesdhetare, që përfundon me një basen ujor me peshq dekorativë dhe një shatërvan. Trëndafilishtat, në pikat e ulëta të territorit, formonin plane dekorative shumëngjyrëshe. Sistematika, si formë e një teatri antik, ekspozonte bukur tërë larminë e bimësisë sonë. Një përrua që vinte nga rezervuari i kopshtit poshtë digës do të kalonte përmes parkut, për t‘i dhënë freski, jetë dhe gjallëri tërë bimësisë së ekspozuar. Parku u rrit dhe u bë 40-vjeçar. Me kohë mori atë fizionomi dhe formë të bukur e të këndshme që ka sot. Drunjtë dhe shkurret u rritën duke marrë gjithnjë një morfologji të shumëllojshme dhe të hijshme. Parqet në historinë e njerëzimit janë të vjetër sa edhe qytetet, kështu dhe parku i ynë, me dobësi e të meta, plotësoi kërkesat sa shkencore universitare, aq edhe çlodhëse dhe argëtuese për qytetarët e Tiranës. Në asnjë hapësirë, veçse në parqe, njeriu e ndien nostalgjinë e origjinës, shkruajnë sociologët urbanë.

Në Evropë, kopshtet botanike janë krijuar në shekullin XVI, në kohën e Rilindjes dhe dihet se ato bota i trajton si monumente kulture, rezervuare të gjelbra qytetesh, madje shumë syresh janë mjedise muzeore vegjetacioni të rezidencave mbretërore. Atyre i kushtojnë një kujdes të madh, i mirëmbajnë, i rikonstruktojnë, i pasurojnë dhe investojnë shuma të mëdha. Për çudinë e radhës, Kopshti Botanik i Tiranës pak popullaritet dhe kujdes ka pasur. Është konsideruar si një park i thjesht urban e periferik dhe si i tillë gjithnjë i varfër në investime, gjithnjë i mangët në ambiente, në hapësira administrative, laboratorë, herbariume, sera, mediateke, salla leksionesh, të parashikuara në projektplanin arkitekturor, që kurrë nuk u realizuan. Në historinë e tij shumëvjeçare, kjo hapësirë e lirë e pandërtuar e periferisë së qytetit ka përjetuar momente kërcënimi, gjymtimi, copëtimi dhe eliminimi. Ka pasur dhe ka studime urbanistike të qytetit të Tiranës dhe periferisë, ku kopshti botanik përshkohet nga Unaza e Tiranës, që ndan periferinë me qytetin, e cila përçan kopshtin, duke i marrë atij rreth 20% të sipërfaqes. Këto përbëjnë sot atentate reale kundër kopshtit, të cilat do ta dëmtonin rëndë hapësirën, peizazhin e tij vegjetal. Sot kopshti jeton në ankth, edhe pse është i pambrojtur dhe ndihet i dobët para një agresiviteti të egër të një urbanistike informale, mbytëse dhe shkatërruese, që shfaqej rreth tij. Ka qenë dhe mbetet gjithmonë një hapësirë e lakmuar nga ndërtuesit. Dhe jo shumë kohë më parë, në ditët tona një projekt urbanistik me pallate shumëkatëshe prapa digës është paraqitur për aprovim në KRRTRSH, duke i prerë kopshtit çdo mundësi zhvillimi hapësinor në perspektivë, në drejtimin perëndimor rreth liqenit të tij.

Kopshtin Botanik duhet ta mbrojmë. Ta ruajmë këtë bërthamë shkencore didaktike dhe historike të qytetit të Tiranës dhe si hapësirë e trashëgimisë së arkitekturës së gjelbër të qytetit. Kopshti Botanik është një pasuri kombëtare dhe si e vetmja qendër që studion konservimin e biodiversitetit të florës në Shqipëri, do të ndikojë në baza shkencore, në cilësinë e mjedisit shqiptar, që sot në shkencat moderne, përmirësimi i mjediseve është një nga kërkesat thelbësore për zhvillimin ekonomik të një vendi.

Në cilësinë e arkitektit të Kopshtit Botanik dhe të bashkëpunëtorit të autoritetit kryesor projektues të Planit Rajonal dhe Mjedisor të Komunave Farkë dhe Petrelë (aprovuar në vitin 2006 në KRRTRSH, në të cilën ndodhet Kopshti Botanik) nuk do ta lejojmë që hapësira e tij të dëmtohet dhe sipërfaqja e tij të preket për të ruajtur me besnikëri të gjitha ato vlera cilësore që i jep mjedisit studimi ynë urbanistik. Kështu, do të plotësoj dhe porosinë e bashkëpunëtorit tim të ngushtë dhe mikut tim të paharruar, prof. Mustafait.

Duke e përfunduar këtë shkrim me ceremoninë e lartpërmendur, përkrah plotësisht mendimin e shumë pjesëmarrësve të saj, se figura e profesor Mustafa Demirit, ideatorit dhe themeluesit të Kopshtit Botanik, mikut të shumë studentëve dhe shkencëtarëve të përjetësohet me ngritjen e një busti në një hapësirë brenda kopshtit ose jashtë tij. Shpreh njëkohësisht në këtë shkrim dhe gatishmërinë e rektoratit të Universitetit UFO, se ndërmerr projektimin, ndërtimin dhe investimin e këtij monumenti.

Per te Pare Fotografi te Kopshtit Botanik klikoni këtu

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama