Është cilësuar si një nga stilistët më të mëdhenj të shekullit të 20-të dhe jo më kot nga shumë konsiderohet si mbreti i modës. Punon gjithmonë duke dëgjuar në sfond këngët e grupit që i pëlqen, dizajnon për "Chanel", "Fendi", por ka edhe firmën që mban emrin e tij. Përveçse një stilist i mirë është një fotograf shumë i mirë, artist, poet, sipërmarrës dhe ndonjëherë kur i del koha edhe piktor. Madje, ka edhe një librari të vetën. Kohët e fundit, iu desh të anulonte një udhëtim për në Brazil, sepse qeveria vendosi që kostoja për sigurinë e tij ishte shumë e madhe. Megjithatë, muajin e shkuar ishte në Pekin për shfaqjen e madhe të modës në Murin e madh Kinez për "Fendin", ndërsa këtë muaj, për herë të parë i duhet të përgatisë në Londër shfaqjen e parë për koleksionin e "Chanel Maison d‘Art". Në moshën 68-vjeçare, kurioziteti, kreativiteti dhe energjia e tij janë më të gjalla se kurrë. Për 50 vjet me radhë u shndërrua në një dizajnues që revolucioni botën e modës, duke injektuar stil, humor dhe freski në një biznes që vite më parë dukej se ishte i vjetruar dhe jashtë mode. Pesë vjet më parë çuditi gjithë botën e modës me formën e tij të jashtëzakonshme fizike duke humbur më shumë se 43 kilogramë në më pak se dy muaj dhe duke e çuar peshën e tij njëlloj sa ato të disa modeleve, por gjithçka dukej më qartë kur vishte kostumet e "Dior"-it dhe xhinset e ngushta "Dizel". Libri i tij "Dieta e Karl Lagerfeld", u bë shumë shpejt një bestseller në të gjithë botën. "Të bije nga pesha për mua do të thoshte të nisja një jetë të dytë. Më bëri të jem më kreativ dhe me më shumë forcë në atë që bëj". Është një nga stilistët e paparashikueshëm të botës së modës. Me syzet e errëta të mëdha, xhaketat e ngushta. Këmishat e shkurtra dhe aksesorë vezullues, solli risi në botën e madhe të modës duke dalë jashtë kontureve të tradicionales. Në të vërtetë, Karl Lagerfeld është një njeri i çuditshëm, nuk i intereson shumë ajo çka të tjerët mendojnë dhe i pëlqen të hakmerret nëse dikush i ka bërë diçka që e ka prekur rëndë.
"Ndiej një kënaqësi fizike kur hakmerrem, edhe pse këtë mund ta bëj në mënyrën më të keqe të mundshme", tregon ai i ulur në një stol druri në një park publik jashtë "Grand Palais" pas shfaqjes së tij për "Chanel"-in në Paris. Më në fund një moment qetësie pas orësh të tëra duke dhënë intervista në katër gjuhë për 27 stacione të ndryshme televizive nga e gjithë bota. Një numër i madh badigardësh e rrethojnë ndërsa jashtë në kopsht e presin një numër i madh fansash. Diamantet në unazat e tij në të gjitha duart, vezullojnë nën dritën e vakët të diellit, ndërsa dorashkat e vogla të vëna në duar vazhdojnë të tërheqin vëmendjen e të gjithë atyre që e shohin. Ky është Karl Lagerfeld, ky është stili i tij. Hakmarrja e bën vërtet të ndihet mirë. "E di që hakmarrja është e keqe sa më s‘ka, por nuk ka arsye se përse të mos i bëj dikujt që më ka bërë keq të njëjtën gjë. Kur njerëzit mendojnë se gjithçka është harruar, mua më pëlqen ta kujtoj, madje edhe dhjetë vjet më vonë". Madje, shkon deri aty saqë nuk harron të paralajmërojë njerëzit: "Mos u bëni të rrezikshëm me mua, sepse më vonë dhe në rrethana të tjera, do të bëhem më i rrezikshëm se ju. Madje do ta kuptojnë se në fund isha unë që i vrava. Mos më prekni, do të bëj të njëjtën gjë me ju". Por përveçse di të jetë hakmarrës, Karl Lagerfeld di të bëjë edhe humor, veçanërisht për veten e tij. Për sa i përket veshjes së tij si një karikaturë, me siluetën e tij të shekullit të 18-të dhe gjithçka në dy ngjyra bardhezi ai thotë: "Jam Çarli Çaplini i jetës së përditshme. Ai ishte kështu në ekran, ndërsa unë jam në jetën e vërtetë". Sekretet e tij janë të paprekshme. Ai tregon shumë rreth asaj që do, por asgjë nga sekretet e brendshme që të gjithë do të donim të dinim. Cili ka qenë ai që keni dashur më shumë në jetë? "Kjo është një pyetje të cilës nuk dua t‘i përgjigjem". Kush janë miqtë e tu më të ngushtë? "Nuk mund të them asnjë emër, kështu që nuk mund t‘i përgjigjem në asnjë mënyrë kësaj pyetjeje". Por me siguri te miqtë që nuk i përmend përfshihet Amanda Harlech, Jaggers, Casiraghit dhe kështu me radhë.
Por nuk mund të harrojmë këtu edhe Bernard Arnaults. Në fakt, Lagerfeld shkakton gjithmonë thashetheme të mëdha, por jo për shijen e publikut. Trishtimi dhe introspeksioni nuk janë gjëra për të. Sapo një sfilatë mbaron, ai nuk i kthen kurrë sytë pas për atë çka ka mbaruar tashmë. Nuk shkon kurrë te ndonjë psikoanalist apo psikiatër, madje nuk e ka ndierë kurrë nevojën për të folur me një të tillë. "Nëse ti je i ndershëm me veten, ju i dini mirë pyetjet dhe përgjigjet. Nuk e ndiej nevojën e një analisti, sepse i di vetë përgjigjet e pyetjeve të mia. Kam lexuar një letër të Lou Andreas-Salomé, gruas së parë që fliste me Frojdin për të dashurin. Aty shkruhej: Mos shkoni kurrë te një psikoanalist, sepse të ndalon të jesh kreativ". Për sa i përket look-ut të tij të veçantë, stilisti 68-vjeçar argëtohet për të sikur flet për look-un e dikujt tjetër. "Silueta është gjithmonë e njëjtë. Unë shumë rrallë vesh rozë", tregon ai në mënyrë ironike. Më tej vazhdon: "Më pëlqen të njoh, por jo gjithmonë ta ndaj me të tjerët informacionin që kam. Në fund të fundit nuk jam lektor". Karli është nga ata persona që ashtu si ia bën pyetjen ashtu ta kthen përgjigjen. Nëse e pyet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe përgjigjja ashtu do të jetë. "E kam kuptuar shumë shpejt se jam një person që i pëlqen t‘i shohë gjërat ashtu si janë dhe të përpiqet të gjejë detaje brenda tyre. Ndoshta për këtë arsye unë krijoj veshje". Lagerfeld është gjithashtu një burrë që ka një librari të tijën me më shumë se 150 mijë titujt librash që adhuron poezitë e Emily Dickinson dhe mund të shpjegojë edhe pikëpamjet e arkitektëve të mëdhenj. Pasioni i tij për historinë duket në veshjet e tij, në të cilat harmonizon këndshëm xhaketat e "Dior"-it me xhinset "Dizel". Kollaret e tij të bardha, tregon ai, "lidhen" ngushtë me mënyrën e veshjes së një industrialisti gjerman që jetoi në fillim të shekullit të 20-të, model i personazheve të novelës së Robert Musil "The Man without Qualities". Jeta e tij është plot ngjyra: gjithmonë i pëlqen të pyesë, sepse gjithmonë është kureshtar rreth atyre që e rrethojnë.
"Më pëlqen të jap imazhin e një njeriu sipërfaqësor. Nuk dua të jem serioz. Më pëlqen të them gjëra idiote. Ndonjëherë më pëlqen të bëj si budalla, si njeri i cekët, sepse asgjë nuk është më e mërzitshme sesa ajo që thotë shpesh një intelektual i "thellë". Ky është një mesazh i rëndësishëm apo jo, megjithëse unë nuk jam nga ata që japin mesazhe. Më pëlqen të takoj njerëz që janë në pozita të kundërta me mua. Më pëlqejnë simulimet intelektuale, por nuk e përdor shpesh këtë fjalë, sepse i urrej intelektualët që nuk janë të informuar për atë çka ndodh rreth tyre. Loja ime e preferuar është ajo me njerëz që më shtyjnë drejt temave që ata nuk i dinë mirë, por preferojnë të flasin". "Pastaj ju do ta njihni se kush është Karl", tregon Amanda Harlech, muza e tij, që e bën gjithmonë të buzëqeshë zakonisht para tensioneve të shfaqjeve. Këtë muaj, destinacioni i Lagerfeldit është Londra për shfaqjen e parë të "Chanel"-it aty. Karl tregon se ka një simpati për mënyrën e veshjes së anglezëve. "Ka shumë guxim në to dhe kjo i bën ato të pazakonta dhe shumë interesante. Por më shumë më pëlqen edhe humori i këtyre njerëzve që zakonisht në vende të tjera mungon". Të gjithë e dinë që Lagerfeld është nga Hamburgu. "Ah, gjermanët, ata nuk e dinë akoma se çfarë është humori. Njëra nga arsyet se përse nuk jetoj në Gjermani është sensi i humorit. Më pëlqejnë revistat e vjetra para Luftës së Dytë Botërore që ishin të këndshme dhe të bënin për të qeshur". Por në jetë nuk ka vetëm buzëqeshje, ka edhe lot. Kur ka qenë herë e fundit që Karl Lagerfeld ka qarë? "Kur më ka hyrë pluhur në sy apo shkumë në dush", tregon duke qeshur. Ai nuk dëshiron ta hapë kollaj zemrën. "Njerëzit që tregojnë gjithçka për veten më frikësojnë". Për të zgjuarsia është motori që të bën të ecësh në jetë. Me ndërgjegjen e pastër nuk fle kurrë më pak se shtatë orë dhe zakonisht lexon dy faqe përpara se libri t‘i bjerë mbi fytyrë: "Pastaj lexoj herët në mëngjes". Zakonisht ajo që e zgjon është drita, por edhe … uria. Ka një regjim të rregullt ushqimor. Mëngjesin e ha në tetë, drekën në 1 dhe darkën po në tetë.
Pi vetëm, coca-cola light, nuk pi kurrë duhan apo drogë dhe pavarësisht se është një nga njerëzit më me pushtet në fushën e modës, asnjëherë nuk e merr veten e tij seriozisht. Por cilat janë gjërat që e bëjnë atë të hakmerret në jetë? "Gënjeshtrat, budallallëqet dhe kur njerëzit abuzojnë me të vërtetën". Lidhja e ngushtë me ata që punon dhe besimi e bën që të krijojë gjëra të mrekullueshme. "Kjo më ndihmon që ta përfundojnë për dy orë atë që të tjerët e përfundojnë për tri ditë". Zakonisht ulet në karrige, ndërsa modelet sfilojnë para tij. "Çfarë mendon Amanda?" - është zakonisht pyetja që bën para një sfilate. Edhe për koleksionin Pranverë-Vjeshtë 2008 gjithçka duket drejt fundit. Stili borgjez me zinxhirë, vath, karfica dhe rripa të trashë në bel dominon. "Takat e këpucëve do të jetë të ulëta. Sepse këmbë të gjata te vajzat shumë të gjata, janë diçka e tmerrshme". Kanë kaluar më shumë se 26 vjet qëkur ai mori në dorë dizajnimin e veshjeve duke e kthyer atë në një nga firmat më të pushtetshme dhe më fitimprurëse në fushën e modës. "‘Chanel‘ kishte vdekur dhe të gjithë më thanë mos e prek. Tani, sigurisht që çdo njeri e ka parë se në çfarë stadi ka arritur". Ai e di se çfarë kërkon dhe është i vendosur në atë që bën: "Gjithmonë kam qenë i vendosur në atë që doja. Qëkur isha fëmijë, më pëlqenin paliçetat që vishnin zakonisht fëmijët austriakë. Gjithmonë më ka pëlqyer të jem ndryshe nga njerëzit e tjerë. I urrej fëmijët. Kam lindur me një bllok letre dhe stilolaps në dorë. Gjithmonë shihja njëherë figurat para se të lexoja diçka". I lindur në Hamburg, ishte djali i vetëm një tregtari të madh suedez dhe nëne gjermane që lindi dhjetë vjet pas martesës së tyre. "Nëna ime dhe unë ishim të vetmit me flokë të zinj në familje. Mund të bëja gjithçka që doja kur isha fëmijë ndaj që në atë kohë i kam mbajtur edhe flokët e gjatë. Ajo më bënte gjithmonë që të ndihesha i sigurt në atë që bëja. "Një ditë takuam një mësuesin tim, i cili e pyeti nënën nëse mund të m‘i priste flokët. A e dini se çfarë i tha? Pasi ia kapi kollaren dhe ia përplasi në fytyrë u përgjigj.
Pse? Mos je gjë nazist? Nuk mund ta harroj kurrë atë skenë dhe kjo më bëri të mendoja se isha në rregull me ato që bëja". Janë përgatitjet e fundit për sfilatën e tij në "Grand Palais" ndaj duket i frustruar. Nxiton të kujdeset për të gjitha modelet. E para shfaqet Lily Donaldson, modelja bukuroshe angleze. "Bukur, shumë bukur Lili. Më pëlqejnë këpucët e arta. I dua më të larta. Dukesh si Hirushja", dëgjohet të thotë. VIP-at e modës mbushin ngadalë radhët e para të karrigeve. Gjithçka përfundon me sukses. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ambicia është edhe frika e tij më e madhe. "Rreziku më i madh është atëherë kur dizajnuesit mendojnë se janë artistë". Për të "Chanel" dhe "Balenciaga" janë dy firma që nuk e kanë ndier kurrë nevojën për t‘u dukur. "Ato krijojnë veshje për njerëzit. Kjo është puna e tyre". Për të, tre janë momentet kyçe në punën e një stilisti: skica, prova dhe pastaj ajo që do të shfaqet në një koleksion. "Njëlloj si gatimi duhet të bësh bashkë të gjithë përbërësit dhe ndonjëherë kur nuk të del diçka e shijshme dhe kur ju nuk e ndieni kënaqësinë ju duhet ta nisni procesin nga e para".
Karl Lagerfeld, nuk e quan veten shkencëtar. Në fund të fundit, ai e di që ato që krijon ai janë vetëm veshje. Për sa i përket asaj çka ndiej për atë që ka bërë në jetë, ngre supet me habi: "Nuk di ç‘të them. Kjo është një punë si gjithë të tjerat. Kam mentalitetin e një vrasësi profesionist. Nuk jam kurrë i ndjeshëm. A kam frikë? "Përpiqem të shmang idenë e dështimit. Gjithmonë mendoj më të keqen, prandaj shpesh ndeshem me surpriza të këndshme. Sekreti është se unë gjithmonë qesh me atë çka bëj". Çfarë i bën të tjerët të kenë frikë nga ju? "Ndoshta mënyra se si i shoh dhe se si sillem. Mund të dukem i frikshëm për disa njerëz, por jo për veten time. E di se çfarë kam poshtë syzeve të errëta që përdor". Lagerfeld është një burrë i sofistikuar, me shumë shije, me sharm dhe gjithashtu i pushtetshëm që urren hipokrizinë. "Nëse bëj diçka e bëj me zemër. I urrej veprimet e bamirësisë që të pasurit bëjnë vetëm sa për sy e faqe". Karl është edhe shumë bujar. Zakonisht i pëlqen të bëjë dhurata makina, bizhuteri dhe shtëpi. Ai është gjithashtu një bamirës i madh, por për këtë nuk dëshiron të flasë. "Zakonisht ndihmoj të pasurit dhe u them shpesh se nuk duhet t‘u bëni dhurata vetëm të varfërve. Përkëdhelni ndonjëherë edhe të pasurit, sepse ata vdesin që t‘i përkëdhelësh". Por Karl është mbi të gjithë një njeri shumë i sjellshëm. "I urrej të paedukatët. Gjithmonë duhet të jemi të sjellshëm", përfundon ai.
Marre nga : Gazeta Shqip











