Me Lindon Jonsonin, ishte njeriu që u identifikua me luftën e Vietnamit, madje shumëkush nuk thoshte lufta e Vietnamit, por "lufta McNamara". Por, paradoksalisht me pozicionin e tij, u konsiderua edhe si "pëllumbi" i administratës në kontrast të fortë me "skifterët" e ushtrisë që në pangopësi kërkonin vazhdimisht shtimin e trupave dhe bombardimeve në Vietnam. U largua, ose e hoqën nga detyra, (detaj ky i paqartë edhe sot e kësaj dite) në vitin 1968 për t‘u punësuar në Bankën Botërore, të cilën e kryesoi si president deri në vitin 1981. Në vitin 1995 McNamara u rikthye në skenën politike me librin shumë të shitur dhe njëherazi shumë të diskutuar: "Retrospektivë: Tragjedia dhe mësimet e Vietnamit". "Kemi bërë gabime shumë të mëdha dhe duhet t‘u shpjegojmë brezave të ardhshëm arsyen e gabimeve", thotë në një intervistë, në lidhje me tragjedinë e Vietnamit, McNamara. Aktualisht 91-vjeçar, ai ka ende atë vështrimin magnetik dhe karakterin e përmbajtur. Vazhdon të dalë përditë në punë në një zyrë të thjeshtë në qendër të Uashingtonit, pak metra larg Shtëpisë së Bardhë.
Keni studiuar matematikë në Berkley?
Matematika nuk është gjë tjetër veçse një gjuhë, si frëngjishtja, gjermanishtja, spanjishtja..., por të ndihmon të mendosh në mënyrë më të organizuar për problemet dhe objektivat që i ke vënë vetes. Që kur zbulova botën e numrave dhe matematikën, vendosa ta bëj timen dhe ta vë në shërbim të vetes, për të arsyetuar dhe vepruar.
Nuk e konsideroni si një vizion të botës?
Jo. Kurrë. Matematikën e kam parë thjesht si një instrument, asgjë më shumë.
Është kjo arsyeja për të cilën vendosët të studionit filozofi?
Po dhe mendoj se të dyja bashkë bëjnë një kombinim shumë të mirë: kahu i filozofisë është objektivi dhe qëllimi, ndërsa ai i matematikës është mënyra e arritjes së tyre. I kam gjetur të dyja shumë të përputhshme njëra me tjetrën: njëra shërben për të imagjinuar, ndërsa tjetra për të vepruar.
Por jeni diplomuar në ekonomi?
Sepse ekonomia është mënyra për t‘i realizuar gjërat. Dhe në kuadrin e ekonomisë mund të flasësh edhe për një vizion alternativ të botës.
Si mbërritët në krye të "Ford"-it?
Nga aviacioni. Gjatë luftës, si ushtarak kisha punuar për tre vjet me një grup kontrollorësh e statisticienësh, që monitoronte gjithçka që nga gjendja teknike e avionëve e deri tek ajo e vetë aviatorëve. Me të mbaruar lufta, shefi ynë, vendosi që të punonte te "Ford"-i dhe i bëri një sërë propozimesh interesante për avancimin e biznesit. Bashkë me të aplikuam thuajse të gjithë dhe pasi u pranuam filluam punën me një pagë shumë të mirë edhe pse ishim të rinj. Arsyeja ishte që ishim shumë të aftë.
Me çfarë merreshit konkretisht?
Ishte një përvojë e mrekullueshme, të cilën e përjetova tërësisht. "Ford", në momentin kur ne u punësuam, po kalonte kohë të vështira dhe po përballej si me probleme financiare, ashtu edhe me probleme imazhi, dhe na takoi pikërisht ne që ta rimëkëmbnim. Ne i raportonim për gjithçka drejtpërsëdrejti Henri Fordit II, dhe arritëm që të sillnim ide të reja dhe t‘i vinim ato në jetë me një rezultat shumë pozitiv për ndërmarrjen.
Megjithatë, disa nga bashkëpunëtorët tuaj nuk patën fund të mirë. Pati nga ata që vranë veten?
Po, por për arsye personale që nuk kanë të bëjnë me punën.
Ndërsa, ju, ndërkohë arritët deri në pozicionin e presidentit. E prisnit një gjë të tillë?
Jo, dhe ajo çka më bëri përshtypje ishte fakti që Henry Ford II ma bëri propozimin një mbrëmje, ndërsa ndodheshim në ashensor. Sigurisht që nuk ishte një propozim spontan por i menduar mirë. Sigurisht që të kisha atë pozicion nuk bënte pjesë në planet e mia dhe nuk e kisha shprehur atë ambicie. Roli im ishte thjesht ai i identifikimit të problemeve dhe i zgjidhjes së tyre.
Cilat ishin problemet konkretisht?
Ishin gjëra që sot janë kthyer në rutinë, por që për nivelin e teknologjisë së atëhershme ishin problem. Ishin probleme që nisnin që me rripin e sigurimit e përfundonin me mënyrat e kursimit të karburantit.
Si president, ju qëndruat vetëm disa javë, pasi më pas u thirrët nga Presidenti Kenedi për të bërë pjesë në qeveri?
Do të kisha qëndruar më gjatë në detyrë, por nuk mund të krahasosh biznesin, qoftë edhe ai i një industrie të madhe me çështjen e mbrojtjes së një kombi. Më erdhi keq që u largova, por nuk kisha rrugëzgjidhje tjetër.
A u ndie e tradhtuar familja "Ford"?
E tradhtuar, nuk është termi i saktë që do të përdorja në këtë rast, por e çuditur sigurisht që mbeti. Nuk dinin se çfarë të bënin dhe më zëvendësuan me një nga bashkëpunëtorët e mi më të mirë, të cilin e pushuan nga puna pas ca kohe.
Përse pranuat të bëheshit ministër i Mbrojtjes, pavarësisht se i thatë Kenedit se nuk kishit kualifikimin e duhur për një post të tillë?
Sepse Kenedi, që ishte një njeri i mrekullueshëm, arriti të më bindte që për disa lloje punësh nuk është e nevojshme shkolla e posaçme. I tillë ishte edhe posti i ministrit të Mbrojtjes.
Megjithatë ju udhëhoqët një luftë?
Jam përpjekur, pavarësisht të gjitha kualifikimeve dhe shkollimeve të mia që në pozicionin e lartë të ministrit të Mbrojtjes të isha mbi të gjitha një mendimtar, ose më saktë një zgjidhës problemesh. Mendova që ishte një mundësi e madhe dhe e jashtëzakonshme ajo që m‘u ofrua. Në fund të fundit ishte një ndërmarrje me 4 milionë të punësuar dhe me bilancin më të madh se cilido vend anëtar i NATO-s, përjashto Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ju e reformuat ministrinë, duke futur të ashtuquajturën metodë e analizës së sistemeve. Ku konsistonte kjo gjë?
Ishte një mënyrë e shpikur nga Rand Corporation, që kërkonte një analizë sistematike dhe tërësore të kostove dhe përfitimeve të të gjitha opsioneve që i paraqiteshin administratës: fillimisht ishin marrë me të në vitet ‘50, kur ishin vënë re disa probleme në Ministrinë e Mbrojtjes në lidhje me disa pajisje ushtarake. Më pas, detyra ime ishte që ta çoja më tej.
Cili ishte efekti?
Vënia nën kontrollin civil e çështjeve ushtarake që më parë ishin të ndara nga njëra-tjetra. Deri në atë kohë civilët merreshin vetëm me administratën dhe politikën, ndërsa ushtarakët me armatimet dhe strategjinë. Më pas fjalëkalimi ynë u bë: planifikim-programim dhe buxhet.
Rand ishte një nga qelizat e teorisë së lojërave. As e keni përdorur ndonjëherë në planet tuaja strategjike?
Ndoshta nuk përdorej pikërisht kjo shprehje, por sigurisht për shembull në vitin 1964 shefat e ushtrisë kryen manovrat ushtarake me emrin "Sigma II". Si rezultat doli që nga bombardimet e objektivave industrialë dhe ushtarakë të Vietnamit të Veriut nuk do të ndalohej rebelimi i vietkongëve në jug dhe ato do të kishin vetëm një ndikim të vogël në standardin e ulët të jetesës së armikut.
Përse dikush ju konsideron "një kompjuter me këmbë"?
Sepse kanë menduar që unë kam qenë i fiksuar pas numrave dhe ekuacioneve.
Meqë ra fjala tek numrat, sa ishin raketat në Kubë në vitin 1962?
Me saktësi e morëm vesh vetëm 30 vjet më pas gjatë 5 takimeve në të cilat morën pjesë persona shumë të rëndësishëm të politikës amerikane, ruse dhe kubaneze, përfshi edhe Fidel Kastron. Atëherë në ishull kishte 162 koka bërthamore. Ato ishin pozicionuar më 26 tetor për goditur amerikanët në rast të ndonjë sulmi nga ana e tyre.
Po çfarë do të thotë kjo?
Kjo do të thotë që në atë rast i jemi shmangur luftës për një fije. Në rast se Krushovi nuk do të ishte tërhequr, sipas të gjitha gjasave sulmi ynë do të kishte ndodhur dhe pasojat mund të merren me mend.
Si do ta përshkruanit sot ish-presidentin Jonson?
Në Teksas kishte marrë një shkollim shumë më të keq se Kenedi në Harvard, por ishte një njeri shumë i aftë. Unë mendoj se kur të kemi një vizion më të ekuilibruar të ngjarjeve, që merrnin parasysh jo vetëm aspektin e politikës së jashtme në rastin e Vietnamit, por edhe atë që ndodhte në politikën e brendshme amerikane, atëherë jam i bindur që atij do t‘i njihet merita e të qenurit një President shumë më i mirë nga sa e kujtojnë sot.
A është e vërtetë që Presidenti as nuk e nxori në qarkullim memorandumin e tij të fundit për luftën, atë të 1 nëntorit të vitit 1967?
Jonson ishte një njeri shumë kompleks dhe kishte raste që sillej shumë çuditshëm, për të mos thënë në mënyrë perverse. Sa për rastin në fjalë, për shembull, ai ia tregoi memorandumin tim një gjykatësi të Gjykatës së Lartë, Abe Fortas, por pa i thënë se nga vinte. Nuk ishte hera e parë që ai vepronte në këtë mënyrë. Disa muaj më parë, gjatë një audicioni të Senatit Amerikan në gusht të vitit 1967, senatori Storm Thurmond më kishte drejtuar gishtin duke më thënë: "Zoti ministër, ju jeni një filokomunist dhe një disfatist".
A nuk mendoni se do të kishte qenë mirë për frontin antiluftë, që një ish-ministër i Mbrojtjes të fliste me gjuhën e një pacifisti?
Mendoj se do të kishte qenë e papërgjegjshme, sepse ministrat e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk zgjidhen nga populli, por emërohen nga Presidenti dhe e marrin pushtetin vetëm prej tij. Në rast se nuk janë dakord, e vetmja gjë që mund të bëjnë është të ikin në qetësi e pa bërë shumë komente.
Kur ikët nga Departamenti i Mbrojtjes shkuat në një tjetër post të rëndësishëm, atë të presidentit të Bankës Botërore. Si do t‘i krahasonit këto dy ndërmarrje të rëndësishme të karrierës suaj, duke i shtuar edhe përvojën si president i "Ford"-it, gjithmonë nga këndvështrimi i karrierës?
Në njëfarë mënyre, të gjitha janë të ngjashme njëra me tjetrën: për të drejtuar me sukses duhet që të rekrutosh gjithmonë personat më të aftë e më të mirë që qarkullojnë dhe t‘u japësh atyre motivimin më të lartë të mundshëm. Unë jam përpjekur që këtë gjë ta vë gjithmonë në jetë. Të njëjtën mënyrë veprimi do të kisha pasur edhe sikur të drejtoja të themi Kishën Katolike. Kam lexuar disa libra mbi organizmin e Koncilit II të Vatikanit nga ana e Giovani XXIII dhe pashë se edhe në këtë rast bëhej fjalë për të njëjtën mënyrë organizimi, të ngjashme me atë të një biznesi të madh privat, apo të një ministrie me një numër të madh nëpunësish dhe me një buxhet gjigand.
Për të përfunduar, cili ka qenë mësimi më i madh që keni nxjerrë nga jeta juaj publike?
Mendoj se nga njëra anë duhen seleksionuar gjithmonë personat e duhur, duhen motivuar dhe u duhet dhënë vlerësimi i merituar për punën që kryejnë. Nga ana tjetër, duhet të jesh i gatshëm që të ndryshosh planet në cilindo moment që të paraqitet, edhe sikur kjo të kërkojë sakrifica të një pune të madhe të bërë. Nëse e kupton që je gabim, tërhiqu dhe ndërto menjëherë një taktikë të re, pa bërë shumë fjalë.
Marre nga : Gazeta Shqip











