Kështu, Edicionin e tretë të Festivalit Giffoni në Shqipëri e morën dy filma sipas kategorive përkatëse. “Flicka” ishte filmi fitues për kategorinë free to fly (filma për moshën 12-14 vjeç) dhe “Nothing Else matters” është filmi fitues i kategorisë y-gen (film për moshën 14-18 vjeç). Me një diferencë prej 8 votash prej çmimit të parë, çmimin e publikut e mori prodhimi italian “Jimmy della Collina” (Xhimi i Kodrës). Ndarja e çmimeve u bë nga presidentja e nderit e Edicionit të parë të Giffonit në Shqipëri, Xhanfize Keko, nga drejtori artistik i Giffonit në Itali Claudio Gubitozi dhe prej ministrit të Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango.
Spektakli që zgjati rreth një orë dhe drejtohej nga moderatorja Manjola LLoja dhe këngëtarja e siglës së Giffonit në Shqipëri Ester Hoxha, do të finalizonte një Festival Ndërkombëtar që u konsiderua goxha i suksesshëm.
“Suksesi i festivali duket nga gjërat e vogla” do të shprehej drejtori artistik Claudio Gubitozi për organizimin e Giffonit në Shqipëri. “Duket nga sallat e mbushura plot me të rinj, të cilët jo vetëm ishin entuziastë për të debatuar, por dinin të shpreheshin shumë bukur. Fëmijë që dinë të flasin gjuhë të ndryshme” u shpreh i kënaqur Gubitozi për organizimin e Giffonit në Shqipëri duke shprehur mirënjohjen edhe për organizatorët e tij në Shqipëri. “Kush ka besuar në këtë iniciativë, nuk duhet të pendohet, por duhet të vazhdojë përpara”, tha Gubitozi duke kujtuar dhe vitet e para të Giffonit në Itali. “E kujt ia merrte mendja, se nga një vend i vogël do të organizohej një festival kaq i madh”.
Edicioni i Tretë i Giffonit në Shqipëri vjen pas një turneu të gjatë sensibilizues në 5 qytete të Shqipërisë, ku të rinj të moshave 12-18 vjeç ndoqën 6 projeksione, të cilat u përkisnin fushatës sensibilizuese dhe kanë qenë filma konkurrues në Edicionet e mëparshme të Giffonit në Itali.
“Giffoni Tour Festival në Shqipëri, këtë vit pati një shtrirje të gjerë falë dhe mbështetjes të Ministrisë Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve, dhe sponsorizimit nga AM-jaC dhe TVSH-së si media partner i festivalit”, do të falenderonte Namik Ajazi mbështetësit e Festivalit.
Që prej 29 tetorit, Festivali Ndërkombëtar i Filmit për fëmijë mbërriti në destinacionin final, Tiranë. Të rinjtë e kryeqytetit për tri ditë me radhë ndoqën 6 projeksione të tjera të ndryshme nga ato që u shfaqën në qytetet e tjera të Shqipërisë, sepse filmat e shfaqur në kryeqytet marrin pjesë në konkurrim.
Çdo ditë sallën e kinema “Millennium” në Tiranë e mbushnin 500 fëmijë, dhe në totalin e tri ditëve numri i tyre ka qenë 1500. Ishte vota e këtyre 1500 të rinjve prej të cilëve 22 janë përfaqësues të jurisë ndërkombëtare, të cilët me votën e tyre vendosën çmimet e Edicionit të Tretë të Giffonit në Shqipëri. Filmat konkurrues në këtë edicion do të jenë: “Flicka”, një prodhim amerikan me regjisor Michael Mayer; “Kuqalashi”, prodhim italian me regjisor Pasquale Scimeca; “Secrete të vogla”, një prodhim që vjen nga Luksemburgu me regji të Pol Crutchen; “Udhëtim me Evin”, prodhim briatnik me regji të Jeremy Brock; “Asgjë tjetër nuk ka rëndësi”, prodhim gjerman, me regji të Julia Von Heiz; dhe “Xhimi i Kodrës”, një prodhim italian.
Në Edicionin e tretë të Giffonit në Shqipëri, nga festivali mëmë që organizohet prej 1971 në Itali morën pjesë Presidenti i Festivalit Carlo Andria dhe drejtori artistik Claudio Gubitozi. Vizita e Gubitozit në Shqipëri, pati edhe një tjetër qëllim, atë të protokollimit të bashkëpunimit me Qendrën Kombëtare të Kinemasë për realizimin e një filmi, me të cilin Shqipëria mund të konkurrojë në edicionet e ardhshme të Giffonit në Itali.
“Pas pak do të shkojmë në Qendrën Kombëtare Kinematografike për të vendosur njëkontratë bashkëpunimi për prodhimin e një filmi shqiptaro-italian, i cili do të mund të konkurrojë në edicionet e ardhshme të Giffonit”, sqaroi Gubitozi disa orë përpara ceremonisë së ndarjes së çmimeve. Por, me sa bën të ditur drejtori i Giffonit në Shqipëri Namik Ajazi, “Prodhimi i një filmi kërkon një periudhë kohore që e kalon një vit, prandaj nuk është e mundur që vendi ynë të konkurrojë me këtë film vitin e ardhshëm”, sqaron Ajazi duke shtuar: “E rëndësishme është që pas shumë vitesh do të jetë e mundur që Shqipëria të konkurrojë në këtë Festival”.
Shqipëria, ndonëse nuk konkurron më prej gati 18 vjetësh në Giffoni, disa herë është nderuar me çmime në këtë Festival, me filma si “Tomka dhe shokët e tij”, “Lulëkuqe mbi mure”, “Beni ecën vetë”, “Shoku ynë Tili”. Por që prej vitit 1989 në Shqipëri nuk është prodhuar më asnjë film për fëmijë.
Marre nga : Gazeta Metropol











