Anjeza Shahini nxenese dhe ne dashuri

Anjeza Shahini, nxenese dhe ne dashuri

Sërish në konkurrim. Ke filluar t’i ndjesh ethet?
Kur vendosa të hyja në konkurrim, në fazën e përgatitjes së këngës po punoja me shumë qetësi. I dhashë kohë vetes dhe autorëve që të punonim deri në pikën që ne menduam se ishte në rregull. Por kur gjithçka mbaroi, erdhi momenti i xhirimit, kam parë veten në transmetim dhe më pas kam marrë telefonata, atëherë kanë filluar ethet e konkurrimit.
“Nxënësja më e mirë” duket një titull fëmijëror. Ndjehesh e tillë?
Shpesh herë ndjehem si fëmijë, si nxënëse dhe më vjen mirë për këtë. Kënga ime flet për trishtimin dhe besoj se edhe në këtë pikë sërish mbetemi nxënës ashtu sikurse dhe në dashuri. Sado që të rritesh, gjithmonë je duke mësuar dhe gjithnjë jeta të bën nxënëse. Ne mbetemi të tillë. Tashmë i ke përfunduar studimet në Vjenë dhe u riktheve në Tiranë. E mendove ndonjëherë që të qëndroje atje e ndoshta të ndërtoje një karrierë?
Unë e kam menduar dhe do ta mendoj gjithmonë deri në momentin që të lodhem. Dëshira ime është të çaj kufirin shqiptar, por nuk mund të fluturosh më shumë se sa janë mundësitë e tua. Për mua kjo është shumë e rëndësishme. Për më tepër në Vjenë, unë shkova si studente e thjeshtë dhe jo si Anjeza Shahini, këngëtare që vjen nga Shqipëria. Megjithatë pata fatin që gjatë kohës së studimeve të kisha edhe një menaxhim 2-vjeçar me menaxher austriak.
Në planet e tua të Vjenës qe edhe një album. Po punon ende?
Aktualisht ka mbetur pezull dhe kjo ndoshta do të zgjasë dhe shumë kohë. Ishte një album me këngë e muzikë evropiane që për arsye të ndryshme, për të cilat preferoj të mos flas nuk u hodh në treg as në Shqipëri as në Europë. Kjo ndoshta do t’i lihet kohës. Megjithatë albumi nuk ishte qëllimi më i madh që kisha. Ishte një mundësi që unë e provova thjesht edhe nga fakti se më bezdiste ideja që gjatë atyre dy viteve do ta lija mënjanë këngën. Në të njëjtën kohë jam përpjekur të vij e të bëj diçka në Shqipëri, siç ishte pjesëmarrja në Festivalin e Këngës së RTSH-së. Nuk dua të konsiderohem si e ikur dhe kjo nuk do të më pëlqejë kurrë. Edhe nëse në një të ardhme do të arrij të bëhem diçka jashtë vendit, kudo që të arrij, karrierën që kam nisur në Shqipëri nuk do ta lija në asnjë moment. Ndonëse mund të ketë periudha pushimi, këto i kërkon çdo artist për të bërë diçka të mirë.
Do të shohim edhe në skenën e Festivalit të RTSH-së?
Isha pak në mëdyshje nëse do të merrja pjesë apo jo, por deri më tani nuk kam dorëzuar asnjë material. Për më tepër që jam në konkurrim te “Kënga Magjike”.
Do të thotë që Eurovizioni është një dëshirë e përmbushur për ty. Nuk do të tentoje sërish?
Nuk është një dëshirë e përmbushur, pasi gjithmonë kërkon të japësh më shumë. Në momentin që unë mendoj për një konkurrim të dytë në Eurovizion, e para gjë që dua është të arrij më shumë se herën e parë. Thjesht e shoh si alternativë dhe pse jo do të më pëlqente. Por tashmë nuk kam egon për të shkuar e për ta provuar emocionin e skenës së madhe, por për ta rimarrë atë.
Të tremb fakti që përfaqësimi në një skenë të tillë është i lidhur me atë të Shqipërisë?
Të përfaqësosh vendin tënd është mrekulli. Pak a shumë të gjithë janë të detyruar të besojnë te ty. Të duket sikur të gjithë njerëzit janë duke të parë në sy e duke të kërkuar një përfaqësim ashtu siç duhet. Kjo të vë para përgjegjësisë. Por arti, sporti apo dhe politika janë fushat që përfaqësojnë dhe përcjellin imazhin e vendit tënd nëpër botë.
Rruga jote drejt muzikës mund të quhet rastësi. Beson në të?
Dua ta pranoj që ndonjëherë nuk është mirë t’i besosh rastësisë, por unë i besoj. Më ka qëlluar shpesh herë që rasti më ka ndihmuar.
Po fati?
Pak a shumë i lidh bashkë.
Je kritike ndaj vetes?
Shumë. Aq sa i them vetes se po e ekzagjeron. Ndonjëherë edhe ma kanë marrë si dobësi, si një mënyrë e imja që të tjerët të më bënin komplimente dhe tani kam mësuar të mos e shpreh. I bëj kritikë në heshtje vetes. Kur e shoh veten ndalem edhe te detajet më të vegjël, deri edhe te një lëvizje e dorës. Ndërsa të tjerët nuk i shoh me këtë sy.
Pothuajse s’të kemi parë në duet. Ndjehesh më mirë vetëm?
Nuk jam aq egoiste (Qesh). Thjesht kështu kanë ardhur punët. Për duetin që kam bërë me Marigonën kam menduar se ka pasur nevojë të rrijë gjatë që të shijohet për atë që është. Por duket se ka ardhur momenti që të bëjmë një thyerje.
Ke kënduar shpesh këngë të vjetra. Të pëlqejnë?
Kanë melodi që të mbetet në mendje dhe kanë muzikë. Tregojnë se më parë është krijuar muzikë, janë krijuar nota të cilat janë hedhur në pentagram dhe jo siç ndodh sot, kur gjithçka punohet me kompjuter.
Përshtaten me natyrën tënde këto këngë?
Ato që këndoj përzgjidhen duke marrë parasysh natyrën time dhe më përshtaten. Përveç teksteve që ndonjëherë edhe çalojnë sepse janë në idenë e regjimit të asaj ideologjie. Por kjo është e kuptueshme për kohën kur janë krijuar. Ndonjëherë edhe na bëjnë të qeshin, ndërsa prindërit tanë i kujtojnë me nostalgji.
Ç’do të ishte Anjeza përveçse këngëtare?
Nuk e di, po me siguri diçka që të kishte të bënte me artin. Ndryshe do të ishte një jetë rutinë.
Çfarë është jeta për ty?
Një moment i shkurtër dhe i gjatë që e përjetojmë si një ëndërr të gjatë, të lodhshme dhe me pengesa për të arritur qëllimet tona.
Të kanë penguar në këto qëllime?
Gjithmonë ka pengesa. Në momentin që jam e qetë dhe nuk kam fare probleme, atëherë filloj të mendoj se ka diçka që nuk shkon.

Marre nga : Balkanweb.com


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama