Jo vetëm për shkak të rrezikut ushtarak dhe lutërave që zhvillohen atje, por edhe për shkak të mungesës së njohurive të bollshme për shoqërinë, sistemin politik, mentalitetin, kulturën dhe traditën e këtyre vendeve. Ushtarët që shkojnë në misione të jashtme iu nënshtrohen përgatitjeve speciale. Por në Gjermani gjithnjë e më shumë po flitet se Bundesveri, me rreth 7.000 ushtarë në misionet e jashtme, ka mbërritur kufijtë e mundësive të angazhimit. Kryetari i priftërinjve gjermanë që kujdesen për gjendjen shpirtërore të ushtarëve, Valter Vakenhut (Walter Wakenhut) thotë se "shteti gjerman ka ardhur në kufijtë e mundësive të angazhimit në misionet ndërkombëtare. Ai pohon se Bundesveri, i cili numron gjithësejt 250.000 pjestarë, "është i stërngarkuar".
Sa të përgatitur janë ushtarët gjermanë për këto misione?
Një rol shumë të rëndësishëm në këto misione luan përgatitja jo vetëm ushtarake por edhe shpirtërore e ushtarëve. Vakenhut ka vizituar Kosovën, Bosnje - Hercegovinën, Afganistanin dhe shumë rajone të tjera, ku në krahasim me Gjermaninë, ka dallime të mëdha kulturore e fetare. "Mendoj se ushtarët gjermanë janë shumë mirë të përgatitur për këto misione, por varet se sa janë në gjendje t'i zbatojnë këto njohuri në praktikë.
Gjysmë viti para shkuarjes jashtë vendit, ushtarët përgatiten sistematikisht për këto misione, si në aspektin ushtarak dhe politik ashtu edhe për fenë dhe kulturën, të cilët do ta takojnë në vendin ku shkojnë në mision. Udhëheqësit ushtarak më parë shkojnë në këto vende, për t'u njoftuar me situatën dhe për t'u përgatitur sa më mirë. Në misione ka gjithmonë situata dhe rreziqe të panjohura", pohon Vakenhut.
Bundesvehri dhe feja
Në kohën e krijimi të Bundesverit gjerman, pas Luftës së Dytë botërore, rreth 98 përqind të ushtarëve i kanë takuar ndonjë feje të krishterë. Kjo përqindje ka rënë sot në mënyrë dramatike. Ushtarët janë më shumë të preokupuar me çështjet ekzistenciale, ndërsa fesë i kushtojnë më pak vëmendje. Sipas të dhënave jozyrtare, rreth 40 - 50 përqind e ushtarëve sot nuk i përket ndonjë feje.
Cilat janë shkaqet për rënien e interesimit për fenë?
"Shkaku kryesor është bashkimi i Gjermanisë. Gjermania lindore ishte "shtet ateist". Ateizmi në pjesën lindore është i ngulitur thellë. Kjo ka bërë që një e treta e qytetarëve gjermanë më nuk i përket ndonjë kishe. Mirëpo këto të dhëna duhet shikuar me kujdes, sepse këtu bëjnë pjesë edhe myslimanët dhe përfaqësuesit e feve të tjera, të cilët nuk janë ateistë, por nuk janë të krishterë. Në tërë Evropën kemi aktualisht një lëvizje drejt sekularizmit, i cili nuk mund të vërehet në rajonet tjera të rruzulit tokësor. Përkundrazi, në këto rajone feja po merr një rol më të rëndësishëm. Nuk e di nëse Evropa do të mbledh veteveten?", pohon Vakenhut.
Dallimet mes ushtarëve nga pjesa lindore dhe perëndimore e Gjermanisë mund të vërehen jo vetëm për nga përkatësia fetare, por edhe për njohuritë e përgjithëshme për fenë. Valter Vakenhut thotë se ka ushtarë të pjesës lindore të cilët nuk e dinë "madje as domethënien e kryqit" dhe shpjegon: "Në perëndim njerëzit janë mësuar të jenë të krishterë, ndërsa në lindje njerëzit janë kureshtarë për kritianizmin. Ushtarët nga lindja interesohen më shumë për artin e jetës dhe kujdesin shpirtëror, ndërsa të rinjtë nga pjesa perëndimore e konsiderojnë këtë një madhështi të përditshme."
Ndonëse gati 50 përqind e ushtarëve gjermanë nuk i përkasin ndonjë feje, në vendet islame ata trajtohen kryeisht si të krishterë. Elementi fe në veçanti luan një rol të rëndësishëm në misionet në vendet islame, prandaj kërkohen edhe një përgatitje e posaçme.
"Shikuar nga aspekti politik, misionet ushtarake gjermane janë të dëshiruara prej shumicës së qeverive të këtyre vendeve. Kështu është në Afganistan, në Kosovë dhe vendet tjera. Ushtarët shumë shpejt e shohin se paqa nuk mund të vendoset vetëm me armë. Prandaj kanë nisur shumë iniciativa private, me të ciat tregojnë humanizmin e tyre dhe ndihmojnë popullatën vendore. Kjo është një pjesë e shpjegimit të suksesit ushtarak gjerman si në Kosovë ashtu edhe në Afanistan. Kujdesi për elementin njerëzor luan një rol të rëndësishëm për shkallën e lartë të pranimit të tyre", pohon
Kosovarët i duan ushtarët gjermanë
Valter Vakenhut i cili edhe vet disa herë ka vizituar ushtarët gjermanë në Kosovë dhe në Bosnje - Hercegovinë. "Kosovarët thonë se ushtarët duhet të mbeten. Këtë e ndjejnë edhe ushtarët atje. Sa i përket Bosnje - Hercegovinës, ushtarët gjermanë janë të stacionuar në pjesën e Federatës boshnjako-kroate. Nga Rajllovci do të largohen në fund të vitit, ndërsa më parë kanë qenë edhe në Filipoviqi të Republikës Serpska. Problemi kryesor në Bosnje - Hercegovinë janë raportet mes këtyre dy kantoneve, pra federatës bosnjako - kroate dhe Republikës Serpska. Situata atje duket solide, që do të ndikojë në vendimin për largimin e ushtarëve. Përsonalisht kam rezerva ndaj vendimit për largimin e ushtarëve dhe mundësisë që gjendja atje të jetë e mirë", pohon ai.
Ndërsa sa i përket raporteve të ushtarëve gjermanë me popullatën kosovare dhe boshnjake Vakenhut thotë se "Raportet mes ushtarëve dhe popullatës do t'i quaja si të mira e madje edhe shumë të mira. Muajt dhe vitet e fundit nuk ka pasur ndonjë ankesë ndaj ushtarëve gjermanë. Kosovarët janë shumë të knaqur me prezencën e ushtarëve atje."
Sindroma ballkanike
Sa të vërteta janë pohimet se tek disa ushtarë në misionet ndërkombëtare ka probleme të mëdha shpirtërore? Në Itali kohët e fundit, për shembull, është folur për "sindromin ballkanik", ngjashëm me atë të ushtarëve amerikanë në kohën e luftës në Vietnam?
"Probleme shpirtërore të ushtarëve gjermanë në Kosovë apo Bosnje - Hercegovinë ka pasur në kohën e mënjanimit të varrezave masive. Por edhë për shkak të qjerrjes së mjerimit dhe fëmijëve të sakatuar që kanë shkelur nëpër mina. Gjendje të ngjashme gjejmë edhe në Afganistan ku çdo ditë mund të dëgjohen ofshamat e qiellit. Kjo e bën situatën e ushtarëve të rëndë. Natyrisht që ka ushtarë të traumatizuar, sepse ata shohin edhe shokët e tyre si bien në ndonjë kurthë apo në mina. Ndërkohë që kur kthehen në shtëpi, fëmijët detgyrohen të shikojnë vuajtjen e prindërve", thotë Vakenhut. Këto probleme paraqiten pothuajse në të gjitha misionet, ku ushtarët përjetojnë tronditje të mëdha shpirtërore. Një gjendje aspak më e lehtë nuk është as për ushtarët që kanë marrë pjesë në bombardime dhe luftime të ndryshme.
"Nuk është aspak e lehtë. Këtë e kam parë edhe gjatë vizitës para një jave në Kroaci, ku poashtu ka pasur luftë. Këto përjetime dramatike janë një problem shumë serioz. Bundesveri po përpiqet që të trajtojë sindormet posttraumatike të ushtarëve. Këto ditë kam pasur një bisedë edhe me sekretarin e shtetit në ministrinë e mbrojtjes ku kemi biseduar për mundësitë e evitimit që këto dukuri të shndërrohen në sëmundje të përhershme", pohon ai.
Në botë janë zhvilluar dhe po zhvillohen debate të shumta nëse luftërat aktuale janë më shumë të karakterit politik, ekonomik apo dhe fetar e kulturor. Në veçanti sa i përket ndërhyrjeve ushtarake në vendet me popullatë shumicë islame. "Feja i përket njerëzve, feja përcakton kulturat ndërsa kultura ndikon edhe në rregullimet shtetrore. Këto gjëra nuk mund të ndahen mes vete. Nuk mund të thuhet se feja është fajtore për luftën, se kultura është fajtore për luftën, apo politika është fajtore. Njerëzit kanë identitetet e tyre dhe prej tyre rrjedhin konfliktet", shpjegon Vakenhut.
Në fillim të misionit në Afganistan, ka pasur shumë shpresa për një dialog të mirëfilltë kulturor dhe fetar. Sinjalet e para ishin shumë pozitive, por situata ndërkohë ka ndryshuar. Ka shumë analistë të cilët mendojnë se kanë dështuar përpjekjet për dialog interkulturor dhe ndërfetar. A ka shansa për një dialog të këtillë dhe çfarë mund të bëjnë kisha dhe xhamia në këtë drejtim.
"Mendoj se shansi ekziston dhe duhet të shfrytëzohet, edhe pse shansat janë të vogla. Ushtarët tanë në misione po kërkojnë dialog të përhershëm me popullatën. Problemi më i madh janë forcat dhe njerëzit radikal, të cilët nuk duan të flasin mes vete. Megjithatë duhet gjetur mundësi të tjera për krijimin e një baze dialogu ku njerëzit ta shikojnë njëri tjetrin në sy dhe të bisedojnë mes vete", pohon Valter Vakenhut.
Bahri Cani : Dw-Woeld.de











