Banjoja e vogël dhe katrore?
Nëse sipërfaqa është e vogël dhe kjo është e vetmja hapësirë me këtë funksion në shtëpi... Ja disa këshilla për të pasur një banjë komode dhe chic: nga hidrosanitaret te pllakat, nga vaskë/dush në arredim. Dhe nëse banja ka përmasa të vogla? Ajo mund të variojë nga 200x200 cm në 250x250 cm. Duke u nisur nga kjo sipërfaqe e vogël, duhet të bësh disa rregullime për ta transformuar në një vend të këndshëm dhe funksional.
Më mirë të zgjedhësh ngjyra të hapura dhe me shkëlqim, me mure të lyera në të gjithë lartësinë e tyre: krijojnë përshtypjen e hapësirës. Arredimi duhet të jetë i thjeshtë dhe kompakt për t'i lënë hapësirë lëvizjes: një dollap i vogël poshtë ose në krah të lavamanit dhe ndonjë raft. Hidrosanitaret me forma të rrumbullakta pa kolonat e dukshme të tubave shkarkues janë të përkryer sespe zënë pak vend dhe bëjnë të mundur një pastrim të lehtë. Nëse muri ku duhen fiksuar nuk është shumë solid, duhet ta forcosh me një mur të vogël me tulla, që mund të shërbejë dhe si një raft ku vendosen objektet.
Rubinetat
Më të përshtatshmit për lavamanin janë ato që vendosen në mur (nuk zënë hapësirë) Sot ekzistojnë shumë modele që sjellin ujë të ftohtë dhe të ngrohtë, duke përdorur një levë, me avantazhin që zënë pak vend.
Pllakat
Qeramike, të formatit 10x10 janë ato që duhen për të mbuluar sipërfaqet jo shumë të mëdha, nuk duhen shumë prerje dhe rregullime. Të vlefshme janë dhe pllakat drejtkëndëshe të gjata, me të cilat mund të krijosh breza dekorativ që, "zmadhojnë" mjedisin dhe lejojnë të luash me ngjyrat.
Dushi "që nuk zë vend"
I përshtatshëm në banjat me përmasa të vogla, është ai këndor me një pjesë të harkuar, pjatë gjysmë rrethore ose me dizenjo pesëkëndëshe me kanatë dyshe.
Muret ndarëse prej xhami, transparentë e bëjnë më pak të ngarkuar hapësirën. E vogël, gjithsesi, nuk do të thotë jokomode. Sepse të gjitha mundësitë për ta kompletuar banjën me pajisje funksionale, por jo shumë të mëdha, sigurojnë komfortin.
Vaska
Për shumë është një kënaqësi nga e cila nuk duan të heqin dorë, po për ta vendosur në një banjë të vogël, duhet një sipërfaqe e përshtatshme, të paktën 4 m katror (është mirë nëse të dyja brinjët e sipërfaqes i kalojnë me disa cm 2m). Sigurisht, duhet të studiosh mirë mundësitë për çdo element. Ne, ju sugjerojmë këtë: në një nga muret në krah të derës së hyrjes mund të gjejnë vend pajisjet sanitare, përballë tij sistemohet vaska e në murin përballë derës mund të vendoset lavamani, i "ngecur" në një dollap për aksesorët, që më mirë të jetë me rrota.
Një ide
Një vend edhe për lavatriçen në banjën e vogël? Rregullojmë lavamanin dhe WC -në në një nga muret anash derës. Në atë përballë, janë bideja, dushi, një mur i vogël ndarës dhe lavatriçja pikërisht pas derës. Kjo hapësirë (rreth 50 cm) sigurisht mund të mbajë vetëm një lavatriçe me gjerësi 45 cm dhe me mbushje nga lart.
Dëshiron një banjë plot komfort?
Luks dhe komoditet brenda së njëjtës hapësirë. Vaska me hidromasazh, kabina, avuj, parfume dhe ngjyra janë elementët thelbësorë për një ristilim të banjës për të arritur relaksin!
Koncepti i luksit në banjo është sot sinonim i mirëqenies psikofizike dhe ekuilibrit energjetik. Mund ta kesh në shtëpinë tënde shumë thjesht falë vaskave hidroterapeutike, kabina e kolona pajisjesh. Masazhe, ozonoterapi, avuj, parfume dhe ngjyra janë protagonistët e padiskutueshëm të këtij "rizbulimi" të madh në banjo.
Vaskat me hidromasazh, gjithmonë e më të kompletuara, tani janë pa zhurmë dhe me pajisje të programuara (disa mundësojnë dhe masazhin shiatsu).
Kabinat e dushit të pajisura me kolona dhe mjete që komandohen lehtë ofrojnë disa mundësi si banjo turke, terapi ngjyrash, tinguj stereofonikë.
Saunat në dru janë të kombinuara me treapi avujsh dhe mjete tonifikuese.
Plotësuesit superkomfort përfshijnë edhe ndenjëse dhe dyshekë për relax .
Edhe inxhinierët dhe dizenjatorët japonezë kanë mendimin e tyre për këtë tendencë kaq të përhapur. "Banjoja është kthyer një kënd për shlodhje, ku harmonizohet trupi dhe shpirti. Pak a shumë siç ndodh në Japoni, ku banjoja është edhe një vend ku komunikohet me personat që jeton. Lahesh jashtë vaskës, mbi një vend rigjenerues dhe pastaj zhytesh për t'u shlodhur. Për banjot e gjata dhe të ngushta me elementë të vendosura linearisht, shumë të përdorura në perëndim, ka një kërkesë në rritje për ndërhyrje përmirësuese. Për sa i përket materialeve dhe ngjyrave, këshillohen tonet e shkëlqyeshme dhe të hapura, që mundësojnë dhe leximin. Por në duhet një "rigjenerim total" që përfshin trup dhe shpirt bashkë sugjerohet efekti gjysmëhije. Zgjedhja mesdhetare e mozaikut në mur, me dysheme me elementë detar, mbetet më e rehatshmja dhe e ekuilibruara".
Marre nga : Revista Jeta











