Dhjete shtepite e endrrave

Dhjetë shtëpitë e ëndrrave

Nëse doni të jetoni në një shtëpi përrallore, nuk mund të mos mendoni për çmimin që duhet të paguani për ta pasur një të tillë. Kështu, klasifikimi i fundit i revistës ekonomike, "Forbes", tashmë e cilësuar nga të gjithë si "bibla e kapitalizmit", ka bërë radiografinë e dhjetë shtëpive më të shtrenjta dhe sigurisht më të bukura në botë. Disa prej tyre i kemi parë në filmat e njohur hollivudianë, disa të tjera vetëm nëpër ëndrra. Sipas "Forbes", çmimet e tyre jashtëzakonisht të larta kanë bërë që ato prej disa vitesh të ngelen pa shitura në treg. Deri më tani, agjencitë imobilare në të gjithë botën nuk kanë arritur akoma të gjejnë blerësit e kamur. Revista e famshme ekonomike thekson gjithashtu se dhjetë shtëpitë më të shtrenjta mund t‘i blejnë vetëm 300 njerëz në të gjithë planetin. Le ta nisim nga e para.

Klasifikimi

Nëse keni hequr mënjanë 165 milionë dollarë, nuk do të ishte keq nëse vendosni të blini shtëpinë më të bukur dhe më të shtrenjtë të planetit, në "Beverli Hills", që dikur ka qenë nën pronësinë e sipërmarrësit dhe botuesit të njohur amerikan, William Randolph Hearst. Dhe të mendosh që këtë vepër gjigande, Hearst e kishte blerë në vitin 1947 vetëm për 129 mijë dollarë. Shtëpia, e ndërtuar në vitet ‘20, me stil mesdhetar, ka formën e shkronjës H, madje ka qenë edhe vendi ku është xhiruar një pjesë e filmit "Kumbari" në vitin 1972. Kjo vilë përrallore, që zë një sipërfaqe prej dy hektarë e gjysmë, gjendet në veri të bulevardit "Sunset" në Kaliforni. Ajo ka 29 dhoma gjumi, tri pishina, një kinema, 40 banja, teatër, madje edhe diskotekë. Që në atë kohë, i gjithë Hollivudi merrte pjesë në festat e famshme që Hearst organizonte këtu. Ajo është vizituar nga emra të mëdhenj të botës së spektaklit si: Charlie Chaplin, Cary Grant dhe Greta Garbo, por edhe burra shteti dhe shkrimtarë si: Uinston Churchill, John Kennedy dhe George Bernard Shaw. Është vlerësuar me një çmim rreth 167 milionë dollarë.

Podi

Në vend të dytë pozicionohet një tjerët rezidencë e famshme: është pikërisht ajo ku ka banuar në mesjetë i famshmi "Konti Drakula". Kjo kështjellë e ndërtuar rreth vitit 1212 është e rrethuar nga 20 hektarë tokë. E pajisur me 17 dhoma gjumi, sot ajo përdoret si muze nga pronari i saj aktual, Dominic von Hapsburg. Vlera e saj llogaritet rreth 140 milionë dollarë. Në vend të tretë pozicionohet rezidenca angleze "Updown Court" në Windlesham, në Surrey. Me 105 dhoma, 30 banja, 5 pishina dhe me një dysheme të artë, ajo është madje edhe më e madhe se "Buchingham Palace" dhe ka një kopsht gjigand që i kalon 50 hektarë tokë. Kjo princeshë, që kushton rreth 138 milionë dollarë, është tashmë që prej tre vjetësh e "ndaluar" në treg, pavarësisht se mund të ofrojë luks dhe komoditet pa limit. Shtëpia ka 5 pishina, një fushë tenisi, një futbolli, një për buling, një sallë të madhe kinemaje, një pistë për uljen dhe ngritjen e helikopterëve, një numër të madh skuderish për kuaj, një "panic rom", shtylla dorike, dysheme mermeri, shkallë të dyfishta prej hekuri të rrahur dhe rubinete prej ari, por edhe stukime të mrekullueshme, mozaikë e kristale dhe një garazh të madh, ku është e mundur të parkosh deri në tetë limuzina. "Blerësi i kësaj shtëpie duhet të jetë patjetër një miliarder (në euro), sepse të jesh milioner nuk mjafton", tregon pronari i saj, 62-vjeçari Leslie Allen-Vercoe.

Vërtet, sepse nuk mjafton vetëm të kesh 138 milionë euro në bankë për të pasur "Updown court". Nevojiten edhe 1,5 milionë euro në vit për ta mirëmbajtur. "Këtu duhet një staf prej 20 personash, pesë kopshtarë, katër ose 5 gra që të bëjnë pastrimin e shtëpisë, tre kuzhinierë dhe pastaj, sekretare, shoferë e truproja. Madje ndoshta u shpreha gabim, vetëm 20 persona nuk do të mjaftonin. Do të duhen patjetër më shumë". E ideuar për një blerës arab, shtëpia ofron vërtet salltanetet dhe luksin që atyre u pëlqen: një dhomë me një dysheme me një mozaik të veshur me ar zekin, e vetmja dhomë gjumi në botë që ka një pishinë private brenda saj, rubinete të arta në të gjitha banjat, një kasafortë gjigante dhe të mjaftueshme sa për Bankën e Anglisë.

Të tjerat

Pavarësisht se tri rezidencat e para të lënë pa mend, edhe ato që pasojnë nuk janë më pak të bukura apo të shtrenjta.

Në vendin e katërt pozicionohet "Hala Ranch", një rezidencë që dikur ka qenë nën pronësinë e ish-ambasadorit të Arabisë Saudite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Princit Bandar bin Sultan bin Abdul Aziz, me një vlerë prej 155 milionë dollarësh. Ajo gjendet në qytetin e Aspenit, në Kolorado. Rezidenca, që ka 15 dhoma gjumi, 16 banja, një pishinë të brendshme, shumë fusha të ndryshme tenisi, ofron edhe një numër të madh mundësish të tjera për t‘u argëtuar. Pas saj renditet vila "Maison de L‘Amitie", që gjendet në Palm Beach, në Florida dhe kushton plot 125 milionë dollarë, si dhe pronësia prej 100 milionë dollarësh, "Tranquility", nën pronësinë e Joel Horowitz, bashkëthemelues dhe president i "Tommy Hilfiger Corporation", që gjendet afër liqenit Tahoe në Nevada. Në vendin e shtatë është rezidenca turke në Stamboll, "Waterfront Estate", që kushton po 100 milionë dollarë. E pajisur me 64 dhoma dhe një kopsht të mrekullueshëm, e meriton me të drejtë vendin e shtatë të klasifikimit. Në vendin e tetë pozicionohet "Euroasia", me një vlerë prej 100 milionë dollarësh, që gjendet rreth 20 kilometra larg nga Moska dhe në brendësi të saj mund të admirosh një numër të madh dhomash me përmasa gjigante dhe të ndërtuara në stilin aristokratik evropian dhe aziatik. E parafundit, po sigurish jo për bukuri dhe luks, qëndron londinezja "Toprak Mansion", me një vlerë prej 99 milionë dollarësh, e vendosur mes fushave të gjelbra të lagjes "Hampstead" dhe nën pronësi të manjatit turk, Halis Toprak. Dhjetëshen e shtëpive më të shtrenjta, por njëkohësisht edhe më të bukura, e mbyll rezidenca njujorkeze "Three Ponds", që i kalon 60 hektarë tokë dhe kushton plot 75 milionë dollarë.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama