Vazhdojmë të mrekullohemi edhe pse tashmë teknologjia ka ecur me hapa gjigantë, saqë ndonjëherë hartat duken si të pavlera. Sigurisht, themi të pavlera, duke i krahasuar me stacionet hapësinore, satelitët, teknologjinë, me anë të së cilave, duke shtypur disa taste, arrijmë ta shohim Tokën tonë nga një këndvështrim tjetër, një pamje tredimensionale, ku madje mund të vëzhgojmë edhe vetë fenomenet e nënës natyrë. Por gjithsesi, hartat kanë të veçantën e tyre, ato kanë bërë historinë, madje ato e kanë ndihmuar njeriun të bëjë hapa të mëdhenj, hapa të cilët mund t‘i krahasojmë edhe me zhvillimin e teknologjisë. Ne vazhdojmë të mahnitemi nga historia fantastike e oqeaneve të pafundme, nga akujt gjigantë të të dy poleve deri te sharranjat e ishujve Galapagos, edhe pse bluja e tyre sot, prishet nga shkuma e bardhë që lënë pas transatlantikët, nga "helmi" i naftëmbajtësve, përmbytjet dhe shumë e shumë faktorë të tjerë. Gjithsesi, edhe pse bota tashmë mund të vëzhgohet mjaft qartë, asnjë hartë gjeografike nuk ka reshtur të na tregojë të padukshmen që ndodhet brenda nesh dhe që nga "vertikalet" e zemrave tona, shtrihet në sipërfaqen horizontale të planetit Tokë. Jemi pikërisht ne, pasqyra e tyre. Jemi akoma ne, "djali" i Baudelaires, i burgosur brenda një shishe boje, duke eksploruar botën me një atlas nën dritën e llambës me vaj. Ose si marinarët e Stivensonit që ndërmarrin udhëtimin drejt Ishullit të Thesarit vetëm prej asaj që tregonte një hartë. Në fakt, historia e Atlaseve vjen nga universe të tjera mendore. Nga shpikje të tjera të mëparshme: atëherë kur horizontet e hapësirës tokësore, ishin akoma për t‘u mbushur dhe qiejt hyjnorë, për t‘u zbrazur, që nga koha e perimetrave drejtkëndorë të babilonasve dhe të grekut Anasieme, të cilët imagjinonin oqeane të tërë në hapësirat boshe të asgjësë. Për mijëra vjet, bashkë me to dhe shekujt e krishterimit të Mesjetës, dhe ato të udhëtarëve arabë, Atlaset nuk është se e kanë përshkruar botën, por e kanë treguar, e kanë shpikur atë.
E kanë përshkuar brenda vështrimeve të njerëzve - marinarë, luftëtar, shkencëtar, tregtar - duke përmbushur këmbënguljen e Ulisit, hapin e shpejtë të Marko Polos dhe gabimet matematikore të Kristofor Kolombit. Kanë nxjerrë makthet duke i transformuar ato në dragonj, luanë dhe bisha të tjera të tmerrshme, të cilat gjithmonë gjendeshin në udhëtimet aventureske, në detërat e paeksploruar më parë, në ekuator pa kthim. Toka, dalëngadalë, ka lakuar pak nga pak mendimin e njerëzve. Është e sheshtë për Omerin. Është një horizont i rrumbullakët për Eratostenin, pikërisht e perceptuar në 360 gradë. Për Aristotelin, Pitagorën, Arkimedin dhe Tolomeun është një sferë, të parët që arritën ta kuptonin realisht atë. Është një mit, një shpikje, legjendë, madje është vetë vullneti i Zotit. Është mbretëria e njeriut, Imperator Universi, siç shkruante holandezi Merkatore, kur përfundoi hartën e tij botërore të parë në vitin 1569, qendra e palëvizshme e të gjitha sferave qiellore, por kjo deri në revolucionin e Kopernikut dhe gjetjes së Galileut. Hartat e botës latine e perceptojnë qendrën e hapësirës nga qendra e Romës, e cila rrezaton ekuilibrin gravitacional të çdo distance, të çdo njohjeje, deri në kufijtë e skajshëm të barbarëve. Hartat e botës kristiane e spostojnë pikën e kryqëzimit në Jerusalem, guri i Varrit të Shenjtë, qendra e të gjithë kufijve që njiheshin deri më atëherë, nga Kolonat e Herkulit deri në Polin Arktik. Por ato të botës kineze dhe budiste kanë një tjetër "gur" si qendër të gjithçkasë, atë monumentale dhe të akullt të Himalajave.
Kanë trashëguar një kontinent me formën e një guaske, i rrethuar nga uji, por prapë me tjetër ujë në mes. Një liqen që ndodhet midis reve të malit, prej të cilit lindin pesë lumenjtë në brigjet e të cilëve udhëton afshi i ëmbël i jetës. Por hartat janë edhe treguesit e vdekjes. Ato janë dëshmitaret e saj. Perimetri është treguesi i çdo dominimi ushtarak, i cili ka shekuj me radhë që qëndron si pritë, e "vizaton" nga fillimi botën, shpartallon kullat e vëzhgimit në malet kufitarë, pushton brigje të pafundme dhe llogarit avantazhet që i jep bimësia e rastësishme. Është gjak, ngjyra që në aparencë nuk duket në sekuencat kromatike të një harte. Edhe pse do të mjaftonin masakrat dhe luftërat të cilat janë pikturuar në afresk në sallën e stërmadhe të Vatikanit, e cila u është dedikuar pikërisht hartave gjeografike për të na treguar rrënjët dhe të ardhmen e përdorimit të tyre: hapësirë që pushtohet dhe dominohet. Me gjak janë bërë udhëtimet për në Afrikë dhe botën e re. Përlyenin Amerikat. Drejtojnë gjenocidin e pushtimit, tejshkruajnë peizazhin e ri në emër të një zoti kanibal, i cili gëlltit njerëz, gëlltit qytetërime. Admiralët që i drejtojnë, kanë mësuar të matin meridianët e saktë për të nisur udhëtimin. Mund të shkojnë e të vijnë përsëri.
Dhe çdo kthim i tyre do të ketë një fitore ose humbje, por në të dyja rastet do të derdhet gjak. Dragonjtë grabitqarë veshin armaturat e grabitqarëve me kuaj. Në më pak se tre shekuj e bastisën të gjithë Afrikën dhe duke mos u mjaftuar me kaq, robërit e luftës i bënin skllevër. Në "Amerikat" e reja, qytetet antike u rrafshuan, u dogjën, madje kushedi se sa pyje ekuatoriale dhe livadhe. Nisën emigrimet drejt Perëndimit. Themeluan metropole dhe plantacione pambuku. Hartat e reja u ngarkuan kaq shumë me masakra saqë harruan fare se kishin gjetur parajsën në tokë, pikërisht brigjet e pafundme të Nilit. Prej kësaj, parajsat e ardhshme tokësore kanë një gjeografi imagjinare dhe adresa vetëm filozofike. Viti 1516, Tomas More gjen "Utopinë" në fund të Amerikës së Jugut. Tomazo Kapanela, njëqind vjet më vonë, zgjedh vetminë e Oqeanit Indian për "Qyteti i Diellit". Madje, edhe romani i viteve 1800, në kulmin e çdo gjeografie të eksploruar, i bën personazhet e tij të udhëtojnë brenda të tjera hartash, ku do të gjejnë "humnera" joreale. Zhduken peizazhe sentimentale, shpërbëhen, humbin në mes të asgjësë, si dëbora e Tolstoit ose karroca e fundit e Stendalit. Eksplorime të reja inspektojnë nëndheun - si ai i Dostojevskit, hartografi - që bëhet antipodi i botës së njohur, errësira që justifikon dritën, vendi i të gjitha rrënjëve. Eksodi gjeografik udhëton drejt të tjera botësh, madje drejt planetësh të tjerë. Edgar Rais Buroghs eksploron hënat e Marsit, hap rrugë krejtësisht të fantazuara dhe që bie në pikën më të paeksploruar të Tokës, xhungla magjike e Tarzanit dhe majmunëve folës. Tokësori i fundit që bëri çudi në krijimin e hartave, ishte perandori që urdhëroi të bëhej një hartë gjeografike aq e madhe, saqë madhësia e saj përkonte me atë të perandorisë së tij. Sigurisht, ishte një personazh i Xhorxh Luis Borgez. Ai restauroi idenë e një harte tokësore me shkallë 1 me 1. Dhe e shpreh atë në historinë e tij, në romanin e tij. Mund ta quajmë, një sirtar virtual i mendjes njerëzore.
Ndoshta ky ishte promovimi i atij atlasi të ri, i cili mund të navigohet dhe që nga shekulli XXI na qëndron pranë dhe që realisht është mbivendosur sipër të gjithë morfologjisë tokësore me dritën e tij kibernetike që lejon kurse drejtimi kaq të menjëhershme saqë koha dhe hapësira duket sikur nuk ekzistojnë më. Distanca ndërmjet dy hemisferave tashmë mund të gjendet vetëm me shkelje tasti. Udhëtari mund të lidhet në çast me pikën e tij të nisjes. Rrjeti, që nuk e ka një hartë, por është harta, dizajnon njëkohësisht gjeografinë e re jomateriale dhe solide. Në gjendje të arkivojë një numër infinit trajektoresh dhe t‘i përshkojë ato. Në gjendje të na paraqesë gjëra dhe vende anembanë botës vetëm duke shkruar një emër. Interneti e ka perfeksionuar ëndrrën e vjetër gjeografike. Ai bën të dukshëm çdo perimetër në horizont, por nuk parashikon vende jashtë kontrollit të tij. Madje, ai korrigjon gabime kursi të paparashikuara. Llogarit kohën e çdo udhëtimi. Është përsosmërisht i dobishëm. Ai e bën hapësirën të përgjërohet. Tani që vërtet e kemi botën në dorë, hartat gjeografike rreshtin së krijuari abstraksione. Gjithçka është përsosmërisht e treguar, përsosmërisht e përshkruar. Papërsosmëria ndodhet vetëm brenda nesh që shohim. Jemi ne zhurma e letrës që shpaloset, jemi ne aroma e bojës. Madje edhe shkëlqimi i ngjyrave jemi pikërisht ne. Vetëm në sytë tanë mund të gjesh anije, vetëm aty mund të gjesh lamtumira.
Marre nga : Gazeta Shqip











