Gjatë shpalljes së çmimit më prestigjoz botëror në fushën e letrave, përfaqësuesit e Akademisë suedeze janë shprehur se “shkrimtarja ka shkruar për përvojat femërore me zjarr, skepticizëm dhe fuqi vizionare. Në moshën 87-vjeçare, Doris Lessing është fituesja në moshë më të madhe e këtij çmimi”. Romani i parë për Lessing është shkruar gjashtë dekada më parë dhe titullohej “Bari po këndon”, (The Grass is Singing). Vepra bënte fjalë për rënien koloniale në Rodezinë e fëmijërisë së saj. Që nga ajo kohë e deri sot, Doris Lessing ka shkruar mbi 20 romane, ndër të cilët si më të njohur do të përmendim “The Golden Notebook” (Fletorja e artë e shënimeve), “Memoirs of a Survivor” (Kujtimet e një të mbijetuari) dhe “The Summer Before the Dark” (Vera para errësirës). Lessing është e 34-ta grua që merr çmimin Nobel në 106 vitet e historisë së këtij konkursi dhe e 11-a femër që e fiton këtë çmim në letërsi. Çmimi “Nobel” vazhdon të jepet për shkrimtarët që nga viti 1901, duke u konsideruar si një kurorëzim i veprimtarisë së tyre në fushën e letrave dhe jo vetëm. Dy vjet më parë, ky çmim iu dha anglezit Harold Pinter për të kaluar më pas në Turqi, (Orhan Pamuk 2006) dhe tashmë kemi sërish një nobeliste tjetër në letërsi në Britaninë e Madhe. Por, siç e dimë të gjithë, “Nobeli” nuk është thjesht një vlerësim moral për fituesin. Shifra e lakmueshme prej 10 milionë koronash suedeze, e barabartë me 1.54 milionë dollarë, i kalon shkrimtares 87-vjeçare si fituese e vitit për letërsinë. Përsa i përket origjinës së saj, Doris Lessing ka lindur nga prindër britanikë në Iran dhe një pjesë të mirë të jetës së saj shkrimtarja e ka kaluar në Afrikë.
Petrika Grosi : Gazeta Albania











