Ky pohim në titull është marrë nga një lirikë e Jorgo Bllacit, e stampuar në krye të vëllimit "Kuja e violinës". Ndonjëherë një poezi, apo një roman ia vlen ta mbash mend vetëm për një pohim si ky si për të të kthyer shpresën kur merr rrugët nga trupi. Në fund të fundit, arti për këtë vlen, për të të ngritur lart, në mos po për të kundërtën, për të të dërrmuar poshtë, për të konfirmuar se shtigjet e njeriut s'janë të hapura. Ky varg i takon një poezie të përfshirë në ciklin "Buzëmbrëmje" ku janë rreshtuar krijime ndërmjet viteve 1968-1989 dhe që kanë të përbashkët muzgun, rënkimin. Jorgo Bllaci nuk gëzonte të drejtën e botimit përgjatë këtij çerek shekulli. Arsyet pse, janë renditur në parathënien e Koçi Petritit dhe në një shënim të vetë poetit që bën pjesë tek ky libër. "Kuja e violinës" është përzgjedhja e poezive më të mira të Jorgo Bllacit dhe të përkthimeve të tij nga disa gjuhë. Libri është botuar nga "Naim Frashëri", streha e tij e hershme, dhe i financuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, hidhet së shpejti në qarkullim. Botimi me afro 250 faqe përkon me dyzetvjetorin e fillimit të krijimtarisë së Ballacit dhe me shtatëdhjetëvjetorin e afërt, në mungesë të tij, vitin që vjen.
Edhe titulli "Kuja e violinës", i zgjedhur nga e bija, Eva Bllaci, e cila është kujdesur për seleksionimin e lëndës, ka dalë nga vargu i një poezie, "Kukuvajka", e para e harkut kohor 1957-1963 që hap vëllimin poetik. Një vit më pas, më 1964 ai do botonte "Ligjërimet e pyllit" duke u bërë pjesë e një brezi poetësh të asaj kohe si Qiriazi, Kadare, Agolli, Vyshka, Shehu. Por sipas autorit të parathënies, Petriti "ligjërimi i Bllacit ishte në kundërshtim me frymën e kohës, që kërkonte "dashuri dhe ferrobeton". Kritika e zyrtare e shigjetonte për ngushtësi tematike, për mungesë të temës aktuale, për zotërim të melankolisë dhe të trishtimit".
Tek përmbledhja e krijimtarisë më të mirë është edhe ajo që i ndenji larg lexuesit për shumë kohë, për shkak të arrestimit dhe të burgosjes në fillim të viteve gjashtëdhjetë. Jorgo Bllaci (i lindur në vitin 1938 në Gjirokastër), në kohën e artë të miqësisë shqiptaro-sovjetike, studioi në Rusi ku ra në gjurmët e poetëve të mëdhenj rusë Pushkin, Lermontov dhe Esenin, influencat e të cilëve ndihen të poezinë e tij me "një ndjeshmëri ala eseiniane", siç shënon Koçi Petriti. Pikërisht këta poetë ishin ndër të parët që i përktheu, në aradhën e të tjerëve si Tu Fu, Rumiu, Saadiu, Shevchenko, Solomos, Zalokostas, Pallamas, Carducci, Heine, Goethe, Burns, Keats, Byron, Longfelloë, Frost, të cilët lexuesi ka për t'i gjetur tek botimi i fundit, "Kuja e violinës".
Përkthimin e kishte nisur ndërsa rrjedha e fatit i ndërroi në vitin 1964 kur u dënua me tre vjet burg dhe pas lirimit më 1967 do të ishte punëtor ndërtimi. Deri në vitin 1990 nuk pati të drejtë botimi. "Epika e trëndafilave" është i pari vëllim që vjen në liri, pikërisht në 1990 dhe tre vjet më vonë, vëllimi "Zërat e natës".
Mbas vdekjes atij iu dha nga presidenti i republikës edhe titulli "Mjeshtër i Madh".
Po cili është vendi që zë krijimtaria e Jorgo Bllacit tek lexuesi dhe sidomos në tekstet shkollore, sot 6 vjet pas vdekjes? Me një tjetër pyetje përgjigjet Koçi Petriti: "Pse ky lirik kaq i vlerësuar nga kritika është përfaqësuar me nënvleftësim, me katër-pesë vjersha ndër më të rëndomtat e tij, nëpër antologjira? Pse lirikë të tillë u mungojnë teksteve shkollore, hartuar nga ca sajues të paçliruar akoma nga dogma dhe tabutë? Ndërkohë vetëm "Në kafenenë e preferuar", s'do të më shohin më kamarierët" dhe "Ca pika shiu ranë mbi qelq" dinë të përmendim nxënësit, apo studentët."
Kjo pyetje ngrihet në parathënien e "Kujës së violinës" e cila këtë muaj fluturon drejt Moskës për t'u prezantuar tek brezi i sotëm i albanologëve, aty ku Bllaci studioi dhe ku në moshën 60-vjeçare, për kontributin si shqipërues i letërsisë ruse u vlerësua nga presidenti Boris Jelcin me dekoratën e lartë të "Miqësisë midis popujve".
Pse nuk pranova të përktheja Majakovskin
Rruga ime gjer te shqipërimi
Jorgo Bllaci
Kur punoja dikur si përkthyes në Ndërmarrjen e botimeve "Naim Frashëri", më kanë kërcënuar disa herë për pushim nga puna, ngaqë nuk pranoja të përktheja poezitë e Majakovskit. Ky mospranim rëndoi më pas edhe dosjen time të "armikut të popullit". Por edhe administrata e "Naim Frashërit", edhe hetuesit e gjykatësit, ahere më ranë kot më qafë, sepse kjo nuk kishte të bënte me bindjet e mia politike. Majakovskin e çmoja, po supet e mia të brishta prej liriku nuk mund të mbanin peshën e rëndë të vargjeve të tij të hekurt. Të jesh përkthyes i poezisë, nuk do të thotë se ke aftësinë të sjellësh në gjuhën tënde krijimtarinë e çdo autori. Jo të gjitha poezitë të ngjallin dëshirën për t'i rikrijuar. Ngacmimin për këtë rikrijim ta japin kryesisht ato gjendje emocionale që mund të kesh përjetuar ose përjeton edhe ti. Diku në parathënien e botimit shqip të Eseninit, kam shkruar se nga e kisha marrë shtysën për t'i hyrë edhe një herë shqipërimit të vargjeve të tij. Kjo ndodhi tridhjetë vjetë më parë. Ahere sapo kisha dalë nga burgu, po qëndrimi fyes i autoriteteve, ftohtësia e shoqërisë, madje edhe e rrethi familjar, më kishin vrarë aq shumë në shpirt, sa me kundërshtim sikur vëllimi në fjalë të kishte përkthime edhe prej meje, edhe prej Agimit. Pranova menjëherë, sepse poemën "Ana Snjegina" dhe tri poezi të tjera i kisha botuar në vitin 1961. Atyre do t'iu shtoja "Rusinë sovjetike" dhe tri lirikat, që kisha përkthyer pas saj, kështuqë gjysmën time të vëllimit e kisha gati. Por Agimi iu përgjegj prerë: "O
unë, o ai!". Ahere unë u hoqa si i fyer dhe i thashë botuesit se, meqë e kishte mbrehur qerren edhe me atë tjetrin, e ndjeja vehten të çliruar nga premtimi i dhënë dhe ai le të merrej me të.
Por një ditë Spiroja më gjeti tek po pija kafe me Xhevahir Spahiun dhe na ftoi të kthenim nga një gotë në shtëpinë e tij, meqë i kishin sjellë një shishe raki, siç i thonim ne, "të sojme". Nuk ia prishëm. Pa mbaruar ende gotën e parë, ai më vë përpara dorëshkrimet e përkthimit të Agim Shehut, duke më thënë se, ndonëse nuk ishte fort i kënaqur, ishte i shtrënguar ta dërgonte për shtyp.
Unë përsëri luajta qejfprishurin, po më në fund fillova ta shfletoja. Përkthimi ishte tepër i dobët. Këtë ia thashë të nesërmen edhe Agimit, kur e takova në rrugë. Si shok, e këshillova ta shikonte edhe një herë seriozisht, përpara futjes në shtyp, madje po të donte, mund ta shikonim edhe bashkë, por ai m'u përgjegj se nuk do të ndryshonte asnjë presje. Dhashë e mora t'i mbushja mendjen, se përkthimi ka nonsense
trashanike, se panjën e ka bërë gëmushë, zilkat e kuajve, dajre, taljankën (harmonikën e vogël ruse) lajthi e të tjera si këto, po punë që s'bëhej! "Paç mendjen tënde,- i thashë më në fund,- veçse të dola borxhit dhe mos të të mbesë hatri, po të shohësh artikujt e mij në shtyp". Fill pas daljes në qarkullim të këtij përkthimi, gjatë një bisede në radio, pyetjes së ç'mendim kisha për të, iu përgjegja fare shkurt, se ishte një përpjekje e dështuar, po inatçori Agim Shehu bëri gurgulenë deri te drejtori i përgjithshëm i Radio-Televizionit e nëpër zyrat e politikës, duke mos lënë baltë pa hedhur mbi mua dhe të gjorën redaktore, e cila shpëtoi për qime prej pushimit nga puna. Ahere, jo për hakmarrje, po për t'u hequr lexuesve imazhin e keq që mund të bkishin krijuar për poetin e madh rus nga ky përkthim i papërgjegjshëm, unë shkrova për "Dritën" shënimin "Eseninin, jo hijen e tij".
Elsa Demo : Gazeta Shekulli











