Ky mister mbetet i fshehte

Ky mister mbetet i fshehtë

Proust-i u ka hyrë thellë punëve, kur ka shkruar për dallimin midis shkrimtarit si shkrimtar dhe shkrimtarit si qenie shoqërore.

Mendimet e tij për këtë dallim gjenden në disa prej eseve të përmbledhura në librin “Kundër Sainte-Beuve-it”, libër që ka dalë nga disa shkrime të tij të hershme. Kritiku francez Sainte-Beuve mendonte se, për të kuptuar shkrimtarin, është e nevojshme t’i njihet sa më mirë ana e jashtme si njeri, t’i njihen imtësitë e jetës. Shfrytëzimi i imtësive të jetës së shkrimtarit si njeri, për të hedhur dritë mbi veprën e tij, është një metodë tërheqëse e ngashnjyese.

Mund të duket metodë që nuk ke çfarë t’i thuash.

Por Proust-i di fort mirë si t’i hyjë shqyrtimit të imët të kësaj metode. “Kjo metodë e Sainte Beuve-it, - shkruan ai, - nuk merr parasysh atë që na mëson edhe shkalla më e ulët e përvojës dhe njohjes së vetvetes: librat janë produkti i një un-i tjetër nga ai un që ne shfaqim në zakonet e shprehitë tona, në jetën shoqërore, në veset e huqet tona. Nëse do t’i hynim mundimit për të kuptuar këtë un të veçantë, do të arrinim ta kuptonim vetëm duke hyrë brenda gjokseve tona, duke rrëmuar brenda tyre e duke u përpjekur për ta rindërtuar atë un po brenda tyre.”


Këto fjalë të Proust-it lipsen mbajtur vath në vesh, sa herë lexojmë biografinë e një shkrimtari apo biografinë e cilitdo, që punën e vet e ka të mbështetur në atë që mund të quhet frymëzim.

Mund të rendisim e të shestojmë të gjitha imtësitë e jetës, të gjitha tekat e nazet tona, të gjithë emrat e atyre që i kemi pasur miq dhe i kemi dashur, por prapëseprapë misteri i krijimtarisë sonë do të mbetet mister, ai nuk do të zbulohet. Te zbulimi i atij misteri nuk do të na shpjerë asnjë pirg dokumentesh, sado domethënëse e tërheqëse të jenë. Biografitë e shkrimtarëve, madje edhe autobiografitë, gjithmonë do ta kenë këtë mangësi.

Proust-i është mjeshtër për t’i ntrashur gjërat për mirë, që ato të bien në sy, prandaj edhe unë do të doja t’i kthehesha për pak librit “Kundër Sainte-Beuve-it”. Proust-i shkruan:

“Në të vërtetë, publikut i jepen vetëm të fshehtat e un-it të brendshëm, të shkruara në vetmi dhe vetëm për vetëm. Ato çka njeriu bën e thotë për jetën private, në biseda... apo në ato esetë e shkruara në sallon e jo në dhomën e punës, dhe që nuk janë tjetër veçse biseda me shkrim, janë produkt i një un-i krejt të sipërfaqshëm, pra, jo i un-it të brendshëm, të cilin njeriu e arrin dhe e gjen vetëm duke mënjanuar botën jashtë tij e duke mënjanuar un-in, që hyn e lidhet me atë botë.”

Kur i shkruante këto, Proust-i nuk i kishte gjetur ende temat, të cilat do ta ngrinin lart e do t’i falnin atë lumturi, që i dha mundimi i punës së madhe letrare. Dhe nga sa kam cituar prej tij, kuptohet se ai ishte njeri që i besonte intuitës dhe priste orën e fatit të mbarë.

Këto fjalë i kam cituar më parë edhe gjetiu. Arsyeja është se ato përkufizojnë mënyrën se si kam ecur në punën time.


Unë i kam besuar intuitës. I kam besuar në fillimet e mia. I besoj edhe sot.

Në punë e sipër, nuk e di çfarë do të dalë dhe se ku do të vete më pas në shkrimin tim.

I kam besuar intuitës në kërkimin e në gjetjen e subjekteve dhe i kam shkruar ato me intuitë.

Kur e nis, e kam një ide, kam dhe një trajtë për atë që do të shkruaj; por për ta kuptuar plotësisht se çfarë kam shkruar, duhet patjetër të kalojnë disa vjet.

Po e mbyll fjalën aty ku e nisa, me një nga esetë e shkurtra, por të mrekullueshme të Proust-it në “Kundër Saint-Beuve”. Ai thotë:

“Gjërat e bukura që do të shkruajmë po të kemi talent, janë brenda nesh, të vagëlluara, ashtu si kujtimi i një melodie që na e çel shpirtin, edhe pse nuk jemi në gjendje t’i kapim vijën melodike. Njerëzit e kapluar nga kjo kujtesë e vagullt e të vërtetave, të cilat nuk i kanë njohur kurrë, janë njerëzit me talent... Talenti është një lloj kujtese, që u mundëson atyre në fund të ndiejnë afër e më afër atë muzikë të vagëlluar, ta dëgjojnë më mirë atë që mezi dëgjohet, të ulen e t’ia hedhin notat në pentagram...”


Përktheu Abdurrahim Myftiu : Gazeta Albania


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama