Thesari i Kremlinit ne duart e mia

Thesari i Kremlinit në duart e mia

Quhet Islam Pacolli, është 39 vjeç, duket modest, por sytë e tij shprehin zgjuarsi. Është personi më i besuar i milionerit kosovar, Behxhet Pacolli, dhe në Kosovë drejton kompaninë e tij "Mabetex". Nuk ka dëshirë të japë shumë detaje për Kremlinin, pallatet mbretërore ruse që sot e kësaj dite mbeten nga ndërtesat më interesante në botë. Në vitin 1995, Presidenti rus, Boris Jeltsin, i besoi një firme shqiptare rikonstruksion e plotë të ndërtesës që përbën dinjitetin e Rusisë. "Gjithçka ishte në duart tona", thotë Islami. Ata kanë pasur të drejtën të hyjnë kudo dhe të rikonstruktojnë edhe dhomat më të fshehta të pallatit. Natyrisht, nuk mungonin rojet e sigurisë dhe shërbimet inteligjente. "Por niveli i besimit te punëtorët kryesisht shqiptarë ishte i lartë", shpjegon ai. I lartë apo jo së paku 5 lloje sigurimesh ishin prezentë aty. Në fakt, thuhet se asnjë nga gjeneralët që kishte shërbyer dhe ruajtur sekretet e Kremlinit, nuk kishte mundur të gëzonte pensionin, pasi befas "ishte ndarë nga jeta". Janë të njohur rusët për ashpërsinë e sistemit shtetëror. Por kjo është një temë tjetër. Islami shpjegon se i ka ndjekur me sytë e tij të gjitha punimet. "Kam qenë që në ditën e parë aty. Mbi 3000 punëtorë shqiptarë kanë qenë të angazhuar në këtë objekt, por ka pasur afërsisht po kaq rusë apo punëtorë të kombësive të tjera. Pallatet e ndërtuara në shekullin e katërmbëdhjetë për herë të parë u lanë në duart e të huajve për t‘u rikonstruktuar. "Për mua ishte sikur u thye Muri i Berlinit", thotë Islami.

Ndonjëherë flet si politikan, ndoshta sepse skandali për akuzën e ryshfetit dhënë Presidentit rus, që pushtoi mediat në vitin 1999, i ka mësuar të heshtin. Ndoshta sepse kushëriri i tij, Behxhet Pacolli, ka vendosur të marrë pjesë aktivisht në jetën politike të Kosovës dhe Kremlini përmendet nga kundërshtarët si pika e dobët e tij. "Ishte një punë e madhe, që kërkonte një respekt dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, një punë që të vjen një herë në jetë". Mabetex ka rikonstruktuar me qindra objekte, madje edhe luksoze, por Kremlini është i pakrahasueshëm. Madje, kanë rikonstruktuar edhe Shtëpinë e Bardhë të Moskës. Islami ka qenë i pranishëm kur "ariu i bardhë", Presidenti i bëshëm rus shkonte nëpër pallat dhe interesohej për detaje nga më të ndryshmet. Atë kohë ai ishte zhvendosur nga Kremlini. Shëtiste, fliste me mjeshtërit dhe pse jo, jepte ide.

"I interesonin detajet", tregon Islami. Gjuha e tij është e kursyer për sa i përket Presidentit rus që tashmë nuk jeton më. Në fund kur gjithçka kishte mbaruar, ai kishte mbetur i mahnitur dhe i kënaqur. "Vetëm për parketet janë përdorur 28 lloje drurësh të ndryshëm", rrëfen Islami. Salla ovale e cila përdoret nga presidenti i Rusisë kishte dekorime të tjera të veçanta. Salla e mbretëreshës Katerinë ose siç thuhet në rusisht "Katerinski Zall", kishte qenë e preferuara e Jeltsinit. Një sallë madhështore me gjithë luksin dhe elegancën e mundshme të një vendi mbretëreshe. Kremlini zë një sipërfaqe prej 27,5 hektarësh. Rrethimi jashtëm i Kremlinit i ngjan një trekëndëshi jo të rregullt, i cili zgjatet 676 metra nga perëndimi në lindje dhe 639 nga verilindja në juglindje. Kremlini ishte ndarë në mënyrë artificial nga Moska në shekullin e XVI. Fjala Kremlin do të thotë fortesë. Kremlini nuk mund të fotografohet apo filmohet nga brenda. As punëtorët nuk kanë mundur të ruajnë ndonjë kujtim fotografik brenda mureve të Kremlinit. Por ambientet luksoze mund të shihen në shfaqjet jo dhe aq të shpeshta të Presidentit rus, Vladimir Putin, i cili do të mbahet mend nga shqiptarët si njeriu që i vuri veton pavarësisë së Kosovës. Kremlini gjendet në zemër të Moskës dhe shtrihet pranë lumit Moskva nga jugu dhe sheshi i kuq në lindje. Ai përfshin katër pallate, katër katedrale duke përfshirë Murin e Kremlinit dhe kullat e Kremlinit. Këto janë ndërtuar nga mjeshtër italianë mes viteve 1485 dhe 1495. Në fillim ishin vetëm tetë kulla, por numri i tyre u rrit në njëzet në shekullin e 17. Kulla më e lartë është Apasskaya, e cila ka lartësinë 71 metra me 1625.

---Punimet e kompanisë "Mabetex", të udhëhequra nga një shqiptar zgjatën tetë muaj. Emri i kompanisë u vu në qendër të mediave në vitin 1999, por fillimisht nga gazeta italiane "Korriere della Sera", për një mitëmarrje prej miliona dollarësh nga ana e Presidentit rus, Boris Jeltsin. Skandali pushtoi të gjitha mediat botërore, por hetimet nuk mundën të zbulojnë transfertat e parave nga "Mabetex" në llogari të njerëzve të Presidentit dhe të së bijës së tij. Karla del Ponte, prokurore e çështjes nuk mundi t‘i vërtetonte akuzat e saj.


Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama