Në fakt, ai buldozer u shndërrua në një ikonë të revoltës së tetorit 2000, kundër Millosheviçit, kur ai u përdor për të hyrë në zyrat e godinës së televizionit shtetëror serb. E pra së fundmi, është lajmëruar në një faqe interneti ankandesh se në shitje ka dalë "ekskavatori historik që rrëzoi komunizmin në Serbi". Millosheviçi vdiq në 2006-ën ndërsa gjendej në qelitë e Hagës ku edhe po gjykohej për krime lufte. Ai u detyrua të linte detyrën, pasi qindra e mijëra protestues u mblodhën para godinave qeveritare në Beograd dhe u përleshën me forcat e sigurisë. Qeveria e re, që u instalua më pas, e ekstradoi Millosheviçin në Hagë, në vitin 2001, ku Gjykata e Kombeve të Bashkuara e vuri në bankën e të akuzuarit për rolin që kish luajtur në luftërat që sollën kolapsin e ish-Jugosllavisë. Buldozeri u soll në Beograd mbi një kamion, që nga qyteti i Caçakut. Hipur mbi të, një grup protestuesish, kapërcyen barrikadat përreth godinës së Parlamentit e më pas e përdorën atë edhe për të hyrë në zyrat e televizionit shtetëror.
Pas kësaj, protestuesit "pushtuan" godinën ku ishte strehuar një njësi policore që kishte qëlluar mbi turma. Tani, buldozeri ofrohet për shitje në një uebsajt ankandesh, me një çmim fillestar prej 7.1 milionë dinarësh serbë ose 90 mijë eurosh. Ai nuk është më në gjendje pune dhe blerësit e mundshëm, këshillohen në uebsajt, se do të duhet të punojnë goxha për ta kthyer atë në gjendje normale. Sipas përshkrimit të buldozerit në uebsajt, pjesa e përparme e tij, por edhe ajo e pasme, mbajnë ende shenjat e përleshjes në të cilën ai ishte protagonisti kryesor, shtatë vjet më parë, në Beograd.
Marre nga : Gazeta Shqip











