Turizmi qeveria jep 300 mije euro per reklamen ne CNN

Turizmi, qeveria jep 300 mijë euro për reklamën në CNN

Qeveria shqiptare ka mirat uar nisjen e procedurave për prodhimin dhe transmetimin e spotit televiziv promocional të turizmit shqiptar në CNN International Europe. Lajmi është bërë publik nga ministri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, i cili nuk e ka deklaruar çmimin që duhet të paguajë qeveria shqiptare ndaj CNN për të transmetuar reklamën për turizmin shqiptar. Fondi limit për spotin e CNN është 300 mijë euro. Transmetimi i një spoti të tillë vlerësohet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe Organizatat e ekspertët e turizmit si një hap shumë i rëndësishëm për promocionin e turizmit natyror dhe kulturor të Shqipërisë dhe impaktet e tij në Evropë dhe kontinente të tjera. Networku CNN, ku do të transmetohet spoti publicitar, mbulon një audiencë prej mbi 44 milionë e 200 mijë njerëz, me target që përfshijnë grupmoshat 25 deri 55 vjeç.

Kohëzgjatja e spotit pritet të jetë 3 javë, gjatë periudhës prill-maj 2008, me një kohëzgjatje 30 sekonda. Spoti i turizmit shqiptar në CNN pason një varg artikujsh, e kronikash në mediat e shtypit dhe stacione televizive të njohura perëndimore, mbi zhvillimin e turizmit shqiptar. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Enti Kombëtar i Turizmit, që nga viti 2005, ka shpallur si një nga prioritetet e punës, promocionin në mediat ndërkombëtare të potencialeve turistike natyrore dhe të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë. Një praktikë të tillë është ndjekur më parë edhe nga vende të Evropës dhe ka rezultuar e suksesshme.

Vlen të theksojmë rastin e Kroacisë, e cila duke hedhur me qindra mijëra dollarë për një spot publicitar në CNN, ka rritur ndjeshëm numrin e vizitorëve të huaj në qytetet e saj. Sipas ministrit Pango, këtë vit Shqipëria ishte e suksesshme në fushën e turizmit, duke shënuar një bum turistik, e cila deri më 10 shtator ka kapur shifrën prej 840 mijë turistësh në vendin tonë. Sipas Pangos deri në fund të vitit, ky numër pritet të shkojë afërsisht në një milion turistë. Këtë vit kishte një rritje të numrit të turistëve, e cila është 18% më shumë krahasuar me atë të vitit të kaluar. Ndër lehtësirat që iu mundësuan të huajve këtë vit, ishte hyrja e tyre në kufi. Nëpërmjet vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme u aplikua dhënia e vizave kolektive sipas modulit informatik. Agjencitë turistike në rrugë elektronike dërguan listën me emrat e turistëve dhe për të gjithë grupin u lëshua vetëm një vizë.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama