Tregu global i armatimeve është tepër kompetitiv. Shtetet prodhuese kërkojnë të rrisin fitimet dhe të shtojnë influencën politike përmes shitjes së armëve në vendet në zhvillim. Vetëm gjatë vitit të shkuar shitjet në këtë industri prekën shifrën prej 28.8 miliardë dollarësh. Shifër që ishte disi më e ulët se ajo e një viti më parë, kur kjo tregti armësh lulëzoi. Për vitin 2005 totali ishte 31.8 miliardë dollarë. Shpjegimi i bumit fshihej pas rritjes së çmimeve të naftës. Në të njëjtën kohë, te shumë vende në zhvillim u pa prirja për të rinovuar arsenalin ushtarak duke blerë armë të reja. Raporti "Transferimi i armëve konvencionale drejt vendeve në zhvillim" u përpilua nga Shërbimi i Studimeve të Kongresit, një komision jopartiak, departament i Librarisë së Kongresit. Në të prezantohen një numër i konsiderueshëm të dhënash që kanë të bëjnë me shitjet e armëve dhe politikën globale. Për shembull, sipas raportit, Rusia ka qenë furnitori kryesor i Iranit gjatë viteve të fundit, përfshi këtu një aferë prej 700 milionë dollarësh për raketa tokë ajër në vitin 2005. Por zhvillimet e fundit lidhur me programin nuklear të Iranit e kanë ndrydhur Moskën dhe gjatë vitit 2006 nuk ka firmosur ndonjë marrëveshje të rëndësishme me të për shitjen e armëve konvencionale. Kjo edhe pasi çdo tregti armësh me Iranin do të shihej si shumë provokative tani që Këshilli i Sigurimit po diskuton sanksionet kundër tij. Megjithatë, Rusia vazhdon të kryejë një tregti e cila po shqetëson në mënyrë të veçantë administratën amerikane. Bëhet fjalë për marrëveshjet e firmosura me Venezuelën e pasur me naftë dhe me President një antiamerikan të bindur, Hugo Çavez. Marrëveshjet e Rusisë me Venezuelën në vitin 2006, përfshinin shitjen e dy duzinave avionë luftarakë të tipit Su-30 me vlerë më të madhe se 1 miliard dollarë, bashkë me një numër të konsiderueshëm helikopterësh sulmi dhe transporti me vlerë më të madhe se 700 milionë dollarë.
Rusia i ka shitur Venezuelës edhe një numër të madh automatikësh të tipit "Kallashnikov" në një marrëveshje, ku përfshihej edhe ndërtimi në Venezuelë i një fabrike prodhimi të këtij tipi arme, si edhe të municionit përkatës. Mendohet se e gjithë marrëveshja ka prekur shifrën prej 500 milionë dollarësh. "Hugo Çavez, Presidenti populist i Venezuelës i ka ashpërsuar së tepërmi marrëdhëniet mes vendit të tij e Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë viteve të fundit", shkroi Riçard Grimet, një specialist i mbrojtjes kombëtare në Shërbimin e Studimeve të kongresit. "Kështu që vendimi i tij për t‘u pajisur me armatime nga Rusia është një çështje që prek drejtpërsëdrejti Shtetet e Bashkuara të Amerikës", vazhdon Grimet në raport. "Çavez duket se u ka hyrë shumë seriozisht përpjekjeve për ta kthyer Venezuelën në një forcë të rëndësishme ushtarake në Amerikën Latine". Në studim qartësohet gjithashtu, se Shtetet e Bashkuara kanë firmosur marrëveshje për shitje armësh me kombe, të cilat përballen me kritika të ashpra lidhur me nivelin e demokracisë. Shpallja e marrëveshjes së përmasave të mëdha e nënshkruar me Pakistanin gjatë vitit që shkoi ringjalli debatin në qendër të të cilit qëndron akuza se administrata e Bushit i ka dhënë luftës kundër terrorizmit prioritet më të madh nga përhapja e demokracisë në rruzull. Pakistani qe një ndër klientët më të mëdhenj të Amerikës gjatë vitit të shkuar, përfshi këtu blerjen e 36 avionëve sulmues të tipit F-16C/D për 1.4 miliardë dollarë dhe 640 milionë të tjera të shpenzuara për raketa e bomba. Marrëveshja përfshinte gjithashtu, 890 milionë të tjerë për përmirësimin e versionit të vjetër të avionëve F-16. Në të njëjtën kohë, një studim i bërë nga Departamenti amerikan i Shtetit në vitin 2006, konkludonte se Pakistani kishte bërë hapa prapa lidhur me demokracinë dhe lirinë e fjalës në vend.
Nga ana e saj, administrata "Bush" mbrohet duke thënë se është thelbësore mbështetja e Pakistanit (zotërues arsenali nuklear) në luftën kundër terrorizmit, sidomos duke parë se Al-Kaeda dhe liderët talebanë janë rigrupuar në provincat veriperëndimore përgjatë kufirit me Afganistanin. Sipas studimit, në vitin 2006, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shitur 10.3 miliardë dollarë armë në vendet në zhvillim, ose 35.8% të shifrës së përgjithshme të këtij tregu. Rusia vjen e dyta me 8.1 miliardë ose 28.1% të tregut, ndërsa Britania e treta me 3.1 miliardë ose 10.8%. Pakistani shpenzoi 5.1 miliardë dollarë për të blerë armë në vitin 2006. Pasohej në listë nga India me 3.5 miliardë dollarë dhe Arabia Saudite që shpenzoi 3.2 miliardë. Shuma totale e shitjeve të armëve (për vendet e zhvilluara dhe vendet në zhvillim) gjatë vitit 2006 ishte 40.3 miliardë dollarë, 13% më e ulët se ajo e regjistruar në vitin 2005. Edhe në rastin e shitjes totale të armëve, në të gjitha vendet, renditja e shitësve më të mëdhenj mbetet e pandryshuar. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krye të listës me totalin prej $16.9 miliardë dollarësh, të ndjekura nga Rusia me 8.7 miliardë dhe Britania me 3.1 miliardë. Shitjet për vitin 2006 ishin më të larta për të tri këto vende se ato të vitit 2005. Kina po luan një rol interesant në tregun e armëve. Është blerëse kur vjen fjala tek armët moderne detare e ajrore dhe shitëse për armatimet më pak të kushtueshme (të cilat ua shet vendeve në zhvillim).
Marre nga : Gazeta Shqip











