Hillary Clinton Gjerat qe nuk i dija deri tani

Hillary Clinton: Gjërat që nuk i dija deri tani

Nga të gjithë kandidatët për President, Hillary Clinton është më e informuara në lidhje me pushtetin dhe trysninë e këtij posti. Në fund të fundit, ajo është e para Zonjë e Parë që përpiqet të ndjekë gjurmët e bashkëshortit. Si do të ndikojnë përvojat e saj si gjatë administratës Clinton, ashtu edhe në vitet e mëvonshme si senatore në një presidencë Clinton? Në këtë intervistë, senatorja Clinton flet për gabimet që ka bërë dhe mësimet që ka nxjerrë.

Si një person që keni parë nga shumë afër një President, çfarë kuptoni ju që ne të tjerët nuk mund të dimë?

Unë mund t‘ju rrëfej vetëm këndvështrimin dhe eksperiencën time. Për një President është shumë e rëndësishme që të kërkojë informacione nga një shumëllojshmëri burimesh. Unë kërkoj njerëz që jo vetëm janë në gjendje të parashtrojnë një ekspertizë apo përvojë që ka lidhje me çështjen, por edhe që janë të gatshëm të debatojnë dhe diskutojnë ndryshimin e mendimeve. Ndonjëherë njerëzit habiten se me sa kuriozitet e kërkoj unë këtë lloj debati. Sigurisht, unë nuk mund të di çdo detaj të kuptimit që ka një vendim. Unë dua që njerëzit të përpiqen të mbërrijnë në një konsensus, por nëse konsensusi nuk është lehtësisht i arritshëm, unë dua të di të gjitha anët e një çështjeje. Dhe, në fund të ditës, mua më duhet të marr vendime. Pasi kam vendosur, ndihem shumë rehat teksa marr përgjegjësinë për atë vendim. Një herë që e marr, ai nuk është më vendimi i gjithë të tjerëve.

Ju thoni se, për të sjellë ndryshime, duhet të punoni brenda sistemit. A e kuptuat tërësisht këtë ju dhe ish-presidenti Bill Clinton kur erdhët fillimisht në Washington, apo është diçka që e keni mësuar me kalimin e kohës?

Sigurisht që është diçka që më është dashur ta mësoj. Tani kam një kuptim më të plotë të dinamikës mes Shtëpisë së Bardhë dhe kongresit, pavarësisht se kush është Presidenti apo kush është lidershipi. Jam unë e para që ju them se nuk e kuptoja plotësisht këtë 15 vjet më parë. Gjithashtu mendoj se ekziston një proces i të mësuarit në lidhje si me thelbin, ashtu edhe me paraqitjen e vendimeve të vështira, një proces të cilin tashmë unë e njoh mirë.

Të gjithë thonë se do të bëjnë një punë më të mirë sesa Bushi në marrëdhëniet me opozitën dhe me kongresin. Kush janë ata republikanë me të cilët do të flisnit në telefon?

Do të varet nga problemi. Nëse do të isha e shqetësuar në lidhje me mbrojtjen apo politikën e jashtme, do të flisja me republikanë si John Warner, apo John McCain si dhe Lindsey Graham dhe Susan Collins. Nuk jam gjithmonë dakord me këndvështrimin e tyre, por mendoj se është shumë e rëndësishme t‘i dëgjoj. Për shëndetësinë dhe shërbimet njerëzore, Mike Enzi ka qenë një partner. Edhe këtu nuk jemi gjithmonë dakord, por unë besoj se ai po përpiqet të bëjë atë që mendon se është e drejtë. Nëse do të bëhej fjalë për çështje të ambientit, do të flisja me një çift të pazakontë, Jim Inhofe dhe George Voinovich, me të cilët kam punuar edhe më parë. Sigurisht, kam shumë respekt për Dick Lugar dhe Gordon Smith. Jam shumë e gatshme të punoj me ta.

A është më lehtë për ju t‘u besoni republikanëve dhe të punoni me ta që kur jeni bërë senatore?

Mendoj se kjo është diçka e ndërsjellë. Trent Lott tha dikur publikisht se, nëse zgjidhesha unë, do të binte rrufeja. Por, ai dhe unë kemi bashkëpunuar. Unë e mbështeta në atë që po përpiqej të bënte pas uraganit Katrina, sepse mendoja se ishte gjëja e duhur. Po të më kishit thënë tetë apo nëntë vjet më parë se do të punoja me Trentin apo Lindsey e republikanë të tjerë, atëherë do të mendoja se ndoshta jeni pak të luajtur.

Çfarë ju kalon nëpër mendje pak çaste përpara se të duhet të pushoni nga puna dikë?

Më vjen keq që nuk funksionoi. I uroj gjithë të mirat, sepse mund të them se 99.9 për qind e njerëzve me të cilët kam pasur të bëj dhe që më është dashur t‘i largoj janë njerëz të mirë, punëtorë. Thjesht nuk funksiononte.

Po më pas, a ndiheni keq?

Ndihem keq. Ne përpiqemi të gjejmë një mundësi më të mirë për të gjithë që i lëmë të largohen.

Gjatë 15 viteve të fundit kritikët ju kanë akuzuar se jeni ambicioze dhe e etur për pushtet. A mendoni se njerëzit do të heshtin kur të bëheni Presidente dhe pushteti juaj të jetë i padiskutueshëm?

Nuk e marr seriozisht këtë. Nuk njoh askënd në Senatin e SHBA-së që të mos ketë qenë i motivuar. Mos duhet të rri e të ha bonbone e të pres dikë që të më telefonojë e të më thotë: "Do të fillosh më 3 janar"?

A mendoni ashtu si Presidenti Bush, se në botën e pas 11 shtatorit rritet autoriteti i Presidentit?

Unë mendoj se në një kohë të tillë Presidenti e ka një rritje të autoritetit. Kemi një President dhe një komandant të përgjithshëm njëkohësisht. Por, në rastin konkret duket se Presidenti Bush, i shtyrë nga zëvendëspresidenti, ka pushtet të plotë pa dhënë llogari. Dhe unë nuk mendoj se kjo është brenda kuadrit të parashikuar nga baballarët e kombit.

Pra, ju nuk mund të imagjinoni një skenar, në të cilin në presidencën e Hillary Clinton-it thuhet se rreziku i terrorizmit global justifikon mohimin e mbikëqyrjes nga kongresi?

Kjo është diçka së cilës nuk mund t‘i përgjigjesh në mënyrë hipotetike. Mund të mbrosh sigurinë e vendit tënd, brenda kuadrit ligjor dhe me mbikëqyrjen e nevojshme. Natyrisht, për arsye që kuptohen, mund të mos jetë gjithmonë e hapur dhe publike. Por, duhet të jetë e organizuar dhe e ligjshme.

Cili është ndryshimi më i madh në opinionin tuaj në lidhje me përdorimin e forcës amerikane sot dhe 15 vjet më parë?

Unë kam besuar gjithmonë se forca amerikane ka qenë mjeti ynë më i fuqishëm për të udhëhequr botën dhe për të ndjekur interesin kombëtar të Amerikës. E mbështeta luftën e parë të Gjirit, jo se ndokujt i duhej mendimi im. Mbështeta luftërat e tim shoqi në Bosnjë dhe Kosovë. Por mendoj se kombinimi i forcës ushtarake me diplomacinë është një pozicion shumë i fortë, ku duhet të jetë SHBA-ja dhe fatkeqësisht ai është gërryer nga veprimet e Presidentit në Irak. Mjafton të shohësh këtë President, për të nxjerrë shumë mësime se çfarë nuk duhet bërë. Ka më shumë mësime për të nxjerrë po të shohësh babanë e tij dhe koalicionin që ai krijoi gjatë luftës së parë të gjirit, si dhe duke parë atë që bashkëshorti im bëri me koalicionin e NATO-s, përballë Sllobodan Milosheviçit në Evropë.

Po ndryshimi më i madh mes Hillary Clinton-it vendimmarrëse sot dhe Hillary Clinton-it vendimmarrëse 15 vjet më parë, kush është?

Kam një kuptim më të thellë se çfarë duhet të jetë lidershipi amerikan në vend dhe jashtë tij në shekullin XXI. Kam shumë më tepër eksperiencë në punën me qeverinë time, si dhe kuptoj më mirë si potencialin, ashtu edhe kufizimet. Unë besoj se angazhimi im për çështjet në të cilat besoj është po aq i fortë sa, jo 15, por 35 vjet më parë. Përkushtimi dhe kuptimi që kam në lidhje me procesin që duhet ndjekur për të ndryshuar Amerikën është shumë më i madh se sa në të kaluarën.

Marre nga  : Gazeta Shqip

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama