Sokrati shqiptar ngjitet 10 vjec ne skenen bullgare

Sokrati shqiptar ngjitet 10 vjeç në skenën bullgare

Shënohen plot 10 vjet nga koha kur Sokrati lindi si personazh në hapësirën shqiptare. Sot, i etiketuar si i papërsëritshëm, udhëton në skena të ndryshme të botës. Ndërsa aktori Mirush Kabashi përjeton çdo herë edhe më shumë emocione të tjera. Vetëm dy net më parë, mbrëmjen e 20 shtatorit, monodrama "Apologjia e vërtetë e Sokratit" është ngjitur në një skenë bullgare. Shfaqja ka qenë e ftuar në festivalin e madh kombëtar teatror Plovdiv. Ka qenë një ftesë e organizatorëve në adresë të Teatrit Kombëtar që në skenën e tyre të ngjitej Sokrati shqiptar. E kështu, ky udhëtim shënon një tjetër skenë të huaj më shumë.

Sipas traditës së festivalit, çdo vit ftohen trupa të huaja. Trupa shqiptare me "Apologjia e vërtetë e Sokratit" do të jenë përkrah atyre të Polonisë, Çekisë dhe të Maqedonisë. Për aktorin Mirush kjo është hera e parë që ngjitet në një skenë Bullgare. Edhe pse tashmë nën petkat e grisura të Sokratit e ka provuar veten shumë herë, përsëri përjeton emocionin e një shfaqje. Para se të nisej për në Bullgari, aktori u shpreh se ndjente përgjegjësi të madhe për këtë interpretim, duke marrë parasysh nivelin e teatrit bullgar dhe interesin që publiku i këtij vendi tregon ndaj tij. "Këto janë festivale të niveleve profesionale dhe duke marrë parasysh edhe zhvillimin e teatrit bullgar, së bashku me paraqitjen e vetvetes, do të marrësh përsipër që të mbrosh edhe vlerat e vërteta artistike aktoreske dhe regjisoriale që ka vendi yt.

Për më tepër, unë kam pasur fatin që në skena të ndryshme të shikoj një shfaqje të këtyre vendeve, por në Bullgari nuk kam pasur rastin që të shkoj asnjëherë. Megjithatë di se teatri në kulturën bullgare zë një vend jashtëzakonisht të rëndësishëm", - ka theksuar Kabashi. Po kështu, edhe regjisori Alfred Bualioti e ka pritur me dëshirë një ftesë të tillë. Si drejtor i Festivalit të Butrintit, ai ka sjellë në Shqipëri trupa shumë të mira bullgare dhe tashmë i duhet të udhëtojë drejt skenës bullgare me përgjegjësinë e prezantimit të teatrit shqiptar. Për të përcjellë gjithë forcën emocionale që monodrama mbart edhe në fjalët e saj, është zgjedhur që shfaqja të bëhet me subtitrim.

Udhëtimi

Interpretimi në skenën bullgare i shtohet vendeve të shumta që ka prekur shfaqja. "Apologjia e vërtetë e Sokratit" është një monodramë e vitit 1932 e shkrimtarit grek Kosta Varnalis. E vënë në skenë nga Mirush Kabashi në një moment historik, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të vitit 1997, "Apologjia e Sokratit" ka udhëtuar në të gjithë vendin, në Kosovë, në Egjipt, Austri, Maqedoni, Ukrainë, Serbi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj. Suksesi (më së pari këtë shfaqje e përqafoi publiku shqiptar), ka qenë i garantuar në të gjitha skenat. Ndërsa aktori Mirush Kabashi është vlerësuar me disa çmime për interpretimin e këtij personazhi.

Në vitin 1999, Qendra Ndërkombëtare e Biografive e Universitetit të Kembrixhit në Angli, e bëri Kabashin pjesë e 500 personaliteteve më të rëndësishëm të shekullit të XX. Në shtator 1997, në Kajro, në Festivalin e IX Ndërkombëtar të Teatrove Eksperimentalë, Kabashit iu dha "Sfinksi i Artë" si aktori më i mirë, aktori më i mirë në festivalin e Kievit, i nominuar në festivalin e Manastirit e Beogradit dhe shumë vlerësime mediatike. Megjithatë, në skenën tonë ky personazh ka gjetur një rrugë të vështirë prezantimi.

Marre nga : Gazeta Shqiptare


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama