Zgjedhjet 2008 Ja pikat e nxehta

Zgjedhjet 2008: Ja pikat  e nxehta

Lufta në Irak duket se do të jetë një çështje madhore në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të vitit 2008. Por, edhe kujdesi shëndetësor dhe çështjet ekonomike janë ndër përparësitë e kandidatëve

Për muaj me radhë sondazhet kanë treguar se shqetësimet për kujdesin shëndetësor dhe ekonomia janë çështjet më të rëndësishme pas luftës në Irak. Së fundmi edhe kandidatja demokrate për Presidente dhe senatorja Hillary Clinton paraqiti një plan të hollësishëm për reformën e kujdesit shëndetësor. “Ne mund të flasim sa të duam për liri dhe shanse për jetën, të drejtat civile dhe për të qenë i lumtur. Por, çfarë kuptimi kanë ato për një prind që nuk mund të çojë dot fëmijën tek doktori, apo për dikë që nuk mund të bëjë punën që ka ëndërruar se nuk i ofron kujdes shëndetësor”, tha senatorja.

Kandidatë të tjerë demokratë, përfshirë senatorin Barack Obama dhe ish-senatori John Edwards, i kanë paraqitur propozimet e tyre për sistemin shëndetësor.

Kandidatët republikanë për Presidentë janë në përgjithësi kritikë ndaj një roli të madh të Qeverisë në projektet e kujdesit shëndetësor propozuar nga demokratët. Por, kandidati republikan për President dhe ish-guvernatori i Arkanasasë Mike Huckabee e pranon se shqetësimet për koston dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor do të jenë një temë e rëndësishme për fushatën e vitit 2008. “Ne me të vërtetë kemi një problem të madh sepse sistemi ynë është shumë problematik sepse përqendrohet tek ndërhyrja kur sëmundja ka arritur në një fazë të avancuar në vend të parandalimit”, thotë kandidati.

Zgjedhjet presidenciale janë përcaktuar në përgjithësi nga gjendja e ekonomisë, dhe 2008-a duket se po ndjek këtë prirje. Dy nga temat kryesore të debatit kanë të bëjnë me vendet e punës dhe me taksat.

Përveç shqetësimeve për Irakun dhe ekonominë, janë çështjet sociale që mund të luajnë një rol kyç në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Larry Sabato drejton qendrën për politika në Universitetin e Virxhinias. “Liberalët do të bëjnë përpjekje të mëdha në favor të demokratëve, ndërsa konservatorët në favor të republikanëve sepse janë në një mendje me ta për çështjen si aborti, të drejtat e homoseksualëve, dënimin me vdekje, imigracionin dhe armëmbajtjen, tema për të cilat amerikanët janë sensitivë aktualisht”. Përveç këtyre çështjeve, shqetësimet për terrorizmin dhe sigurinë kombëtare vazhdojnë të jenë mes përparësive kryesore të votuesve për zgjedhjet e vitit 2008.

Njeriu që Partia Demokrate në Shtetet e Bashkuara zgjodhi për kandidatin e saj për zv/ president në vitin 2004, tani është përsëri në garë. John Edwards, nga shteti i Karolinës së Veriut, djalë i një punëtori në një fabrikë mielli, një jurist i suksesshëm dhe ish-senator në Shtetet e Bashkuara, po përballet me vështirësi të shumta në kërkim të pozicionit më të lartë.

Në qershor kandidati për President i Partisë Demokratike, John Edwards udhëtoi në disa nga vendet më të varfra të Amerikës. Në qytetin e Clevelandit në shtetin e Ohios që ndodhet në qendër të SHBA-së, ai eci në një lagje duke biseduar me banorët.

Në një miting në shtetin fqinj, Kentucky, zoti Edwards tha se 37 milionë amerikanë jetojnë në varfëri. “Me pasuritë tona dhe me zhvillimin tonë, kjo është absolutisht e papranueshme, moralisht e papranueshme”. Zoti Edwards i përqendruar gjatë fushatës së tij tek varfëria, kujdesi shëndetësor për të gjithë dhe interesat e veçanta të të pasurve, përpiqet t’i bëjë apel më liberalëve në Partinë Demokratike.

Larry Sabato, drejtor i Qendrës për Politikat në Universitetin e Virxhinias, thotë se liberalët tentojnë të kontrollojnë procesin e emërimit në Partinë Demokratike. “Edwards është duke konkurruar vetëm për të marrë emërimin dhe ai do të jetë i preokupuar për zgjedhjet e përgjithshme më vonë. Ai është po konkurron duke u pozicionuar më shumë majtas, se sa kur ai konkurroi në vitin 2004, sepse kjo është në favor të tij. Çelësi i tij elektoral janë punëtorët”. Zoti Edwards ka qenë duke u takuar me sindikatat për të paktën një vit, duke sjellë mesazhin e tij në ambientet dhe na radhët e para të sindikatave.

Në prill ai ishte kandidati i parë demokrat që shpenzoi një ditë me një anëtar të sindikatës, duke punuar përkrah një ndihmësinfermieri. Presidenti i Sindikatës, Andy Stern i ka kërkuar secilit kandidat të shpenzojë një ditë, sikur të ishte anëtar i Sindikatës Ndërkombëtare të Punonjësve të Shërbimeve. “Kështu, ai vërtetë ka investuar dhe ka bërë shumë për njerëzit, të cilët janë në krizë në Amerikë dhe ne e admirojmë për këtë”, thotë zoti Stern.

Zoti Edwards i flet audiencës demokrate rreth fëmijërisë së tij të thjeshtë në një qytet të vogël të shtetit të Karolinës së Veriut, si një djalë i një punëtori fabrike mielli. Ai u bë një avokat i pasur, duke fituar çështje kundër korporatave të mëdha. Ky sukses i solli një vend në Senatin e Shteteve të Bashkuara nga shteti i Karolinës së Veriut. Zoti Edwards përfundoi si alternativë e John Kerryt për zv/president në vitin 2004, pasi humbi emërimin e demokratëve për President. Dhe kështu këtë vit, ai filloi një fushatë tjetër, me sa duket në pozita më të fuqishme.

LAJME SHKURT

KS i OKB-së zgjat mandatin e ISAF-ës në Afganistan

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara zgjati edhe për një vit mandatin e Trupës Paqeruajtëse Ndërkombëtare për Afganistanin -ISAF. 14 prej 15 anëtarëve të Këshillit votuan pro rezolutës. Rusia abstenoi me votën e saj. Trupat e ISAF-it të drejtuara nga NATO duhet të kontribuojnë për stabilizimin e Afganistanit dhe të mbështesin Qeverinë e Presidentit Karzai. Aktualisht në kuadër të trupave të ISAF-it veprojnë 40.000 ushtarë në mesin e tyre 3.000 nga Gjermania. Edhe Bundestagu gjerman do të debatojë sot lidhur me vendimin e kabinetit qeveritar për zgjatjen e misionit të Bundesverit në Afganistan.

Vritet në Liban edhe një politikan antisirian

Pak ditë para zgjedhjeve presidenciale në Liban humbi jetën si pasojë e një atentati një deputet i shumicës qeveritare antisiriane. Sipas të dhënave të ndryshme, përveç politikanit Antonie Ghanem, në sulmin me autobombë të kryer të martën janë vrarë pesë, përkatësisht shtatë njerëz të tjerë. Ghanem është politikani i tetë me qëndrim antisirian që bie viktimë e një atentati që prej vitit 2005-ës. Kryeministri Fuad Siniora i bëri thirrje Kombeve të Bashkuara që të ndihmojë për ndriçimin e rastit. Sulmi u dënua ashpër nga bashkësia ndërkombëtare, edhe Siria foli për një akt kriminal.

Ban Ki Moon kritikon vendimin e Izraelit për Rripin e Gazës

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon kritikoi vendimin e Izraelit për shpalljen si zonë armiqësore të Rripit të Gazës, që kontrollohet nga Organizata Radikale palestineze Hamas. Ai është shumë i brengosur me qëllimet e palës izraelite për bllokimin e rrymës dhe furnizimit me karburante të popullatës, sqaroi Ban Ki Moon në Nju Jork. Njëkohësisht Ban kritikoi edhe sulmet e pandërprera me raketa nga Rripi i Gazës në drejtim të Izraelit.

Shtajnmajer distancohet nga homologu Kushner

Në grindjet ndërkombëtare për programin bërthamor iranian, shefi i diplomacisë gjermane Frank-Valter Shtajnamjer (Frank-Walter Steinmeier) është distancuar nga homologu i tij francez, Bernard Kushner (Bernard Kouchner). Gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Berlin, politikani socialdemokrat tha se nuk pret shumë nga kërcënimet me luftë. Diplomacia e mençur shpesh është më mirë në gjendje të zgjedhë konflikte të tilla. Kjo është dëshmuar edhe në zënkat për programin bërthamor të Koresë së Veriut.

Ahmadinexhat nuk lejohet të vizitojë “Ground Zero”

Autoritetet në Nju Jork kanë refuzuar një kërkesë të Presidentit iranian Mahmud Ahmadinexhat për të vizituar sheshin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për shkaqe të sigurisë Ahmadinexhat nuk mund të vizitoj të ashtuquajturin Ground Zero, njoftoi një zëdhënës i policisë. Presidenti iranian do të udhëtojë javën e ardhshme për në Nju Jork ku do të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

OKB hedh poshtë kërkesën për anëtarësim të Tajvanit

Kombet e Bashkuara kanë hedhur poshtë për herë të 15-të me radhë një kërkesë të Tajvanit për t’u pranuar anëtare në organizatën e përbashkët të shteteve. Komisioni i përgjithshëm i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara refuzoi në Nju Jork kalimin e kërkesës në rendin e ditës të mbledhjes së Asamblesë. Tajvani është përjashtuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 1971 me kërkesë të Kinës.

Marre nga : Gazeta Metropol


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama