Mengjarashet sa shpejt po shtohen

Mëngjarashët, sa shpejt po shtohen

Shkaku? Janë reduktuar metodat drastike që e detyronin individin të shkruante me dorën e djathtë

Sipas një sondazhi të kryer nga "University College London" dhe publikuar nga "Sunday Times", është vënë re se numri i njerëzve që përdorin dorën e majtë për të shkruar është rritur nga 3 për qind që ishte në vitin 1907, në 11 për qind sot. "Shumëfishimi i të majtëve, shpjegon profesori që ka drejtuar kërkimin, është një fenomen global që i detyrohet reduktimit të tentativave që i detyronte të shkruanin me dorën e djathtë ata fëmijë që kishin tendencën natyrore për të shkruar me dorën e majtë".

Për shekuj me radhë, të majtët shiheshin si anormalë, e që duheshin korrigjuar me doemos. Në Perandorinë britanike, në periudhën viktoriane, përdoreshin sisteme të ndryshme për t‘i ndaluar fëmijët të shkruanin me të majtën, duke i mësuar të shkruanin me dorën e djathtë.

Ende në vitet ‘60 në Angli dhe vendet e tjera evropiane nuk ishte e jashtëzakonshme të dëgjoje për mësues, edukatorë apo prindër që ia lidhnin dorën e majtë pas shpine fëmijës, me qëllim që të shkruante, hante, luante, pra të bënte gjithçka vetëm me të djathtën.

Studimet e mëvonshme, në dhjetë vitet e fundit, kanë treguar se të jesh mëngjarash nuk është një anomali, por tregues i një diturie të veçantë, një kusht pajtimtar me nivelet e larta të inteligjencës dhe krijimtarisë. Në fakt, në histori janë me tepricë rastet e mëngjarashëve që kanë pasur një sukses të jashtëzakonshëm: nga Jul Çezari, te Mikelanxhelo, Napolon Bonaparti, Madam Kyri, Ronald Regan te Bill Klinton, Pol Mekartnej, David Boui, për të mos folur më pas për Xhimi Hendriks, mëngjarashi që i binte kitarës me dorën e majtë. Mëngjarashë të tjerë janë: princi Uilliam, mbreti i ardhshëm i Anglisë dhe aktorja Nikol Kidman, sigurisht pa harruar lojtarët e tenisit, ku mëngjarashët kanë bërë historinë dhe kanë fituar shumë turne, nga Mekenro te Nadal.

Studimi i "University College London" analizon mbizotërimin e një dore apo të një tjetre në çdo lloj aktiviteti njerëzor. Për shembull, sporti: një nga rastet e prekura nga psikologët e universitetit londinez ka të bëjë me një individ që përdor të djathtën kur është në gjuajtje të një loje, përdor këmbën e djathtë në futboll, por është mëngjarash kur përdor një raketë.

Kombinime të tjera përfshijnë persona që shkruajnë me të djathtën, por që preferojnë të majtën për të gjuajtur një top "bowling". Veç të tjerash, kërkimi ka marrë në konsideratë përshëndetjen me dorën e majtë, për shembull në rastin e një ndeshjeje apo manifestimi publik. Falë filmimeve të arkivave që janë shfaqur në vitet 1900, studiuesit kanë mundur të riformulojnë se, në fillim të shekullit të kaluar, vetëm 16 për qind e popullsisë përdorte dorën e majtë për të përshëndetur, ndërsa sot këtë ritual e kryen më shumë 24 për qind e tyre.

Sipas disa studiuesve, të qenit mëngjarash është një kusht trashëgimtar. Të tjerë pohojnë se ky faktor varet nga mosha e nënës: ndoshta sot ka më shumë mëngjarashë, sepse shumë gra lindin fëmijë në moshë të re. Së fundmi, profesori është i bindur se gjenet që përcaktojnë përdorimin e një dore apo tjetrës, kanë një influencë të madhe në zhvillimin e gjuhës. Ka pasur mutacione në gjene të ngjashme që i shtyjnë njerëzit të zhvillojnë një gjuhë të ndërlikuar.

Sportistët

Valentino Rossi

Pela

Xhon Mekenro

Ajrton Sena

Maradona


Aktorët

Tom Kruiz

Robert De Niro

Xhulia Roberts

Brus Uillis

Fred Astair


Muzikantët

Xhimi Hendriks

Rongo Star

Bob Dilan

Pol Mekartnej

Fil Kollins

 

Të mëdhenjtë e historisë

Jul Çezari

Aleksandri i Madh

Napolon Bonaparti

Mahatma Gandhi

Mbretëresha Viktoria

 

Politikanët

Herri S.Truman

Xhorxh Bush i vjetri

Ronald Regan

Bill Klinton

Fidel Kastro


Artistët

Leonardo Da Vinçi

Mikelanxhelo

Rafaeeli

Pablo Pikaso

Pol Kli


Itali

"Tërheq të majtën", tregon një veprim të pabesë dhe të pandershëm


Francë

Mëngjarash quhet "gauche". Por shprehja "qu‘il est gauche" do të thotë edhe "sa i trashë"


Greqi

Mëngjarash i thonë "skaios", që nënkupton edhe "i mbrapshtë", "i vështirë"


Spanjë

Mëngjarash i thonë "zurdo". E kundërta, "no ser zurdo", tregon një individ inteligjent


Gjermani

Dy termat që identifikojnë mëngjarashët, "links, links" dhe "linkisch". Këto terma tregojnë edhe një individ të ngathët .

Marre nga : Gazeta Shqip



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama