Ndërkohë që vëren se “kam parashikuar për 50 vjet dhe nuk kam parë asnjë përmirësim në aftësinë tonë për të parashikuar”, ai është ende në gjendje për të thënë gjëra profetike. Konkurrenca dhe trazira mund të jenë traumatike, por duhen pranuar. “Nëse përpiqesh të ruash të kaluarën, nuk do të jesh në gjendje të prodhosh të ardhmen”.
Daniel Gross
Alan Greenspan e konsideron veten si ekonomistin më fatlum në botë. “Kam qenë shumë me fat”, thotë ai në lidhje me kohën e gjatë dhe plot ngjarje gjatë së cilës qëndroi në krye të Federal Reserve Bank (FED) në Amerikë, që nga gushti 1987 deri në janar 2006. “Dola në skenë në fillimin e këtij gjysmë-brezi të jashtëzakonshëm”.
Fundi i Luftës së Ftohtë, globalizimi, ngjitja e Kinës dhe përhapja e shfrenuar e teknologjisë së informacionit krijuan kushtet për një formulë magjike rritjeje ekonomike, produktiviteti të lartë, inflacioni të ulët dhe tregjesh në lulëzim. Pasi u ka shërbyer katër presidentëve, dhe pasi ka mbikëqyrur thuajse dy dekada rritje ekonomike të pandërprerë, ekonomia e SHBA-së vuajti vetëm dy recesione të shkurtër gjatë kohës së tij, Greenspan ka qenë një prej zyrtarëve më të suksesshëm publikë amerikanë të tre dekadave të fundit. “Sa i përket mbështetjes së rritjes ekonomike dhe parandalimit të inflacionit, Greenspan është më i miri, mbi të gjithë”, thotë Mark Zandi, krye ekonomist i Moody Economy.com. Ai ishte, sipas vlerësimit të Bob Woodward, “Mjeshtri”, dirigjenti i një simfonie ndërkombëtare investitorësh, tregjesh dhe politikanësh. Fjalët që ai nxirrte nga goja u bënë përcaktuese të një epoke të tërë. (Asnjëherë flluska e teknologjisë e viteve ’90 nuk mund të kujtohet pa sjellë ndër mend shprehjen e Greenspan “bollëk jorracional”).
Ka qenë një rrugë e gjatë dhe e vështirë për fëmijën e dobët nga Washington Heights-i i Manhattanit, i cili i binte saksofonit në muzikë xhaz përpara se të binte në krahët e ekonomisë. Ish-ndihmësi i Ayn Rand iu bashkua me kënaqësi sistemit, duke krijuar kompaninë e tij të konsulencës ekonomike, dhe u kthye në ekonomistin e preferuar të republikanëve.
Prezantimi i tij në krye të FED në vitin 1987 ishte shumë i vështirë; vetëm dy muaj pasi Greenapsan u konfirmua në Senat, bursa pësoi rënie. Ai ia doli mbanë përgjatë recesionit të fillimit të viteve nëntëdhjetë, duke shkaktuar zemërimin e Presidentit Bush, pasi nuk i uli më herët normat e interesit. “Unë e riemërova”, tha atëherë George H. W. Bush. “Dhe ai më zhgënjeu”.
Reputacioni i Greenspan, si një njeri gjithmonë në kërkim të përmirësimit të dijeve të tij mbi tregjet u rrit bashkë me bursën në vitet ’90. Por ekonomia teorike nuk ishte kurrë larg mendjes së tij. Në librin e tij të fundit me kujtime, “Epoka e trazirës”, ekonomisti 81-vjeçar kujton që ka udhëtuar në Venecia bashkë me të shoqen, korrespondentja e NBC, Andrea Mitchell. Duke vështruar ndërtesat e ruajtura aq mirë, ai vriste mendjen se çfarë mallrash ekonomike prodhonte Venecia këto kohë. “Cila është vlera e shtuar këtu?”
Devotshmëria në punë solli një prej arritjeve më të mëdha të Greenspan. Këndvështrimi mbizotërues ishte që, nëse norma e papunësisë do të binte nën 6 për qind, kjo do të shkaktonte inflacion. Greenspan besonte se ekonomia e re e vinte në dyshim këtë supozim. Në vitin 1995 dhe 1996 ai bindi kolegët e tij në Komisionin Federal të Tregut të Hapur që të linin të ulëta normat e interesit, pavarësisht rënies së papunësisë. “Argumentet e tij nuk mu dukën shumë bindës në atë kohë”, thotë Alan Blinder, një ish-zëvendës kryetar në FED. Por “kërcimet” e tij ishin shpesh herë të saktë atëherë kur modelet statistikorë ishin të gabuar”. Norma e papunësisë ra nën 4 për qind në vitet nëntëdhjetë, pa shkaktuar inflacion.
Bursa pati në reagim të fuqishëm nga fjalimi i tij i dhjetorit 1996, atëherë kur Greenspan paralajmëroi ndaj një “bollëku jorracional”. Investitorët morën gjithashtu zemër nga aftësia e Greenspan për të orkestruar daljet nga balta kur ishte e nevojshme, që nga kriza e Meksikës në vitin 1994 e deri në ngjarjet e 11 shtatorit 2001. Ai vepronte si një thashethemexhi tregu, duke u thënë fjalë qetësuese investitorëve. “Më kujtohen momente kur pothuajse çdokush me të cilët ne punonim e humbnin fare, zemëroheshin. Nuk më kujtohet as edhe një moment i tillë për Alan”, thotë Lawrence Summers, Sekretar i Thesarit në kohën e Clinton, që ka bashkëpunuar ngushtë me Greenspan.
Greenspan navigonte me mendjemprehtësi nëpër cekëtinat e politikës së Uashingtonit. Kur u zgjodh Bill Clinton, Greenspan bindi administratën e re demokrate për domosdoshmërinë e zvogëlimit të deficitit dhe mbështetjen e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës Veriore. “Ne hanim mëngjes një herë në javë”, thotë ish-Sekretari i Thesarit, Robert Rubin, “dhe në katër vjet e gjysmë, as edhe një copëz informacioni nuk rodhi”.
Në librin e tij me kujtime, Greenspan sulmon aleatët e tij, administratën Bush dhe republikanët në Kongres për braktisjen që këta i bënë disiplinës fiskale, duke ulur taksat dhe njëkohësisht rritur shpenzimet. Kritikët thonë se komente të tillë do të ishin më të frytshëm nëse ai do të kish bërë më shumë për të ndalur marrëzinë fiskale të kësaj dekade. “Në vitet e parë të administratës Clinton, ai na kujtonte në mënyrë konstante se duhej të reduktonim deficitin buxhetor, përpara se ai të ulte normat afatshkurtra të interesit”, thotë ish-Sekretari i Punës, Robert Leich. Por, kur George W. Bush propozoi ulje të taksave si dhe një pagesë të re për marrjen e ilaçeve për qytetarët – pa ulje të shpenzimeve – Greenspan nuk kundërshtoi me forcë.
Tani ai shfaq pikëllim për veprimet e FED gjatë viteve të fundit në detyrë. Ulja e normave të interesit nga ana e bankës qendrore pas 11 shtatorit shkaktoi një valë paraje të lirë, shumica e të cilës shkaktoi bumin apo më mirë flluskën në tregun e pasurive të paluajtshme. “Ai mund të kish fuqizuar funksionin mbikëqyrës të FED për të qenë më vigjilente, për të mos lejuar që huadhënësit të rrëmbeheshin kollaj”, thotë Zandy i Moody Economy.com. Por Greenspan beson se kriza e hipotekave është më pak faj i normave afatshkurtra të interesit të vendosura nga FED dhe më shumë faj i kursimeve në nivel global, inflacionit të heshtur si dhe normave të ulëta afatgjata të interesit. Ky kombinim, që shpesh quhet “rebus”, krijoi një kërkesë për borxh me fitime të larta.
Subjekt i një dyzine biografish, Greenspan ruan ende një farë mistike dhe rezervimi. Që kur u largua nga zyra e FED, ai është vendosur në një zyrë modeste në Dupont Circle. Në të ka disa vazo me lule, disa vëllime të Statistikave Historike të Shteteve të Bashkuara si dhe një kopje e ligjit për vulat. Greenspan ka mbetur i zënë me punë, duke firmosur si konsulent në kompani si “Deutsche Bank”, mbajtur fjalime dhe duke i dhënë dorën e fundit librit të tij. Ky i fundit, për të cilin ai mori 8.5 milionë dollarë paraprakisht, është gjysmë autobiografi dhe gjysmë ekonomi.
Ndërkohë që pasardhësi i tij, Ben Bernanke, mendon në duhet të ulë përqindjet e interesit këtë javë, Greenspan është optimist për shërimin e ekonomisë së SHBA. Ndërkohë që vëren se “kam parashikuar për 50 vjet dhe nuk kam parë asnjë përmirësim në aftësinë tonë për të parashikuar”, ai është ende në gjendje për të thënë gjëra profetike. Konkurrenca dhe trazira mund të jenë traumatike, por duhen pranuar. “Nëse përpiqesh të ruash të kaluarën, nuk do të jesh në gjendje të prodhosh të ardhmen”.
Marre nga : Gazeta Metropol











