Nuri Dragoi, autor i një monografie kushtuar figurës së Kasem Trebeshinës, tha dje në një takim në ambientet e Muzeut Kombëtar, se mjaft të shihet që në libraritë e Shqipërisë nuk ndodhet asnjë libër i tij, për të kuptuar se ç‘strategji djallëzore dhe dashakeqe është ndërtuar dhe po zbatohet ndaj veprës së Trebeshinës. Sipas tij, edhe ndaj librarëve në Kosovë, po ushtrohet presion që t‘i heqin ato pak vepra të autorit në fjalë, që gjithsesi vetëm në Kosovë janë botuar, pasi në Shqipëri as që bëhet fjalë. Dragoi i bëri këto komente gjatë një takimi intelektualësh nën thirrjen "Mbroni shkrimtarin", ku në qendër ishte figura e Kasem Trebeshinës. Ndërsa si shkak i takimit, u tha se ishte një fushatë që ka shpërthyer së fundi kundër figurës së tij, me publikim letrash e faktesh lehtësisht të manipulueshme, marrë në mënyrë antiligjore nga dosja e tij. Pjesëmarrësit në takim, hartuan një thirrje të përbashkët drejtues mediave, që të mos ndihmojnë në popullarizimin e fushatave denigruese kundër njerëzve të kulturës në Shqipëri.
Dinjiteti i çdo njeriu është i paprekshëm, thuhet në deklaratë, ku vijohet më tej: Edhe më të çmuara duhet t‘i kenë mediat figurat e pakta të njerëzve që vërtet kanë dhënë kontribut në kulturën dhe historinë tonë përgjatë një gjysmëshekulli të kaluar nën diktaturë, izolim e varfëri kulturore. Mediave u bëhet thirrje që të mos pranojnë botimin e njëanshëm dhe manipulativ të dokumenteve nga të ashtuquajturat dosje të Sigurimit të Shtetit. Në të kundërt, thuhet në deklaratë, shtypi u jep në dorë njerëzve hakmarrës ose shërbëtorë mjetin për zhvilluar gjueti shtrigash ndaj kujt të duan dhe kur të duan. Njerëzit, sipas hartuesve të kësaj thirrjeje, duhen gjykuar në bazë kontributesh dhe jo dokumentesh të dyshimta bodrumesh. Bëhet thirrje gjithashtu, në deklaratë që t‘i vihet në ndihmë solidaritetit intelektual dhe kulturor përballë degradimit të vlerave morale dhe agresionit të sotëm të lakmive materiale ndaj asaj që është publike, e përbashkët, pasuri .
Per me shume informacion rreth Kasem Trebeshines klikoni ketu
Marre nga : Gazeta Shqip











