"Fidelio", opera e njohur e kompozitorit Ludvig van Bethoven, do të jetë premierë më 3 tetor në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Kjo do të jetë opera që do të hapë dhe sezonin e ri artistik, e cila mendohet se do të vijohet nga një sërë aktivitetesh të tjera, që do të organizohen në kuadër të javës së kulturës shqiptaro-gjermane. Është hera e parë që kjo vepër ngjitet në skenën shqiptare dhe do të vijë si një bashkëpunim artistik shqiptaro-gjerman.
Vepra i këndon lirisë së pafundme që të jep të qënurit i dashuruar dhe është një nga më të bukurat e cila ngjitet çdo vit në skenat më të njohura të botës.
Opera me dy akte u shkrua në etapën e dytë artistike të kompozitorit gjerman, mes viteve 1802-1816, në kohën kur ai filloi të kërkojë formula të reja për të krijuar një muzikë si me ndjenjë, ashtu dhe me tematikë më të pasur. Ai përdor në këtë vepër elemente të reja muzikore, siç është kori, diçka e re për epokën që u shkrua. Kritika botërore është shprehur se me "Fidelion", muzika operistike u largua nga tradita e bell canto-s dhe personazhet morën karakter më dramatik. Wagner do të merrte nga kjo epokë forcimin e orkestrës, duke i detyruar këngëtarët të kishin më shumë forcë vokale në skenë. Duke iu referuar mendimeve të kritikës, klasicizmi zbehet me këtë vepër, ku emocionet e qenies njerëzore mbërrijnë në mënyrë origjinale te muzika. Libreti i saj u shkrua nga Joseph F. Sonnleithner, Stephan van Breuning Georg Friedrich Treitschke, mbështetur në veprën francezit Jean-Nicolas Bouilly.
Marre nga : Gazeta Shqip











