Apoloni Zbulohet Agoraja e qytetit te lashte te fusha e sportit

Apoloni Zbulohet Agoraja e qytetit të lashtë te fusha e sportit

Një tjetër zbulim i rëndësishëm është evidentuar në qytetin antik të Apolonisë. Ekspedita francezo-shqiptare ka arritur të nxjerrë në dritë një pjesë të Agorasë së qytetit, që i

përket periudhës arkaike dhe klasike të qytetit.

Në fakt zbulimi ka qenë i pritshëm pas një periudhe studimore të nisur në pjesën veriore të qytetit të Apolonisë.

Ekspedita, e cila vepron në këtë qytet që nga viti 1993 ka arritur të zbuloj nëpërmjet metodave me elektrotinguj, gjurmë të kësaj vepre të rëndësishme.

Ekspedita studimore ka përfunduar materialin e saj në prill të këtij viti. Ndërsa që prej disa ditësh kanë nisur gërmimet bazuar në hartën e përfituar nga metoda bashkëkohore në një trup kërkimore të përbërë nga arkeologë francezë dhe arkeologë të Institutit Arkeologjik Shqiptar në Tiranë si dhe të Parkut Kombëtar Arkeologjik Apolonia. Ekspedita udhëhiqet prej profesorit të njohur Jean-Luc Lamboley.

Sipas profesorit francez, mësohet se gjithçka është arritur nëpërmjet fushës së kërkimeve elektromagnetike.

"Pas pasqyrimit në hartë të këtyre rezultateve, tha ai e

reja më e fundit dhe mund ta cilësojmë si shumë të rëndësishme për këtë qytet antik, e cila deri tani nuk dihej nga askush, është zbulimi i pjesës arkaike e klasike të Apolonisë. Kjo është shumë e rëndësishme sepse deri tani njihej vetëm pjesa e qendrës romake, e cila cilësohej si qendra e qytetit. Në këtë kontekst, tha profesor Jean-Luc Lamboley, edhe në qytetin e epokës arkaike e helenistike elementi më i rëndësishëm është Agoraja, ose e përkthyer, sheshi qendror i qytetit. Kjo do të thotë se kjo pjesë është më e madhja e zbuluar deri tani madje mund të thuhet se pjesa e qendrës së Apolonisë, e cila vizitohet aktualisht është e përmasave shumë më të vogël se sa kjo Agora. Aktualisht, deklaroi ai jemi duke kryer sondazhe në skajin verior të kësaj Agoraje. Pikërisht në këtë skaj fillon një ndërtesë e përmasave të mëdha. Në mënyrë më të përmbledhur, tha ai, mund të shprehem se qyteti

antik i Apolonisë ndahej në tre pjesë. Zona e parë, e cila njihet si zonë fetare. Brenda kësaj zone shtrihen tempujt e Apolonit dhe ai i Artemisit. Në zonën e dytë në të cilën janë të ndërtuara Agoraja, e njohur si zonë publike. Pikërisht në këtë zonë ne po kryejmë gërmime. Ajo njihet si qendra ekonomike dhe politike e qytetit. Pra, futet në qendrat kryesore të tij. Në zonën e tretë janë elementët e rinj. Janë lagjet private të banimit me banesat arkaike helenistike, të cilat nuk njiheshin deri më sot", sqaron profesori francez Jean-Luc Lamboley.

Sipas zbulimeve të kryera janë evidentuar tre lagje banimi.

E para gjendet pranë Akropolit dhe në vazhdim të saj shtrihen dy lagje të tjera. Në këto lagje shprehen arkeologët janë banesa të përmasave të mëdha. Dhe pikërisht këto banesa i japin një imazh të plotë dhe të saktë planit të atëhershëm urbanistik të Apolonisë antike.

Ekspedita do të vazhdoj gërmimet deri në datën 8 shtator. Të gjitha zbulimet e saj do t’i nënshtrohen më pas një studimi të plotë për të nxjerrë më në pah këtë zbulim të ri dhe të rëndësishëm të Apolonisë.

Në parkun Kombëtar Apolonia janë dhënë mjaft surpriza nëpërmjet zbulimeve të ekspeditave. Kështu para disa kohësh një tjetër ekspeditë, e cila vazhdon gërmimet në pjesën perëndimore të qytetit, në tempullin e Artemisës ka arritur të nxjerrë zbulime të rëndësishme që provojnë ekzistencë e Apolonisë para kolonizimit të saj. Ndërsa në nekropolin e qytetit në fshatin Kryegjatë janë gjetur figurina dhe enë të përpunuara që kanë nxjerrë sërish në dritë lidhjet ekonomike të këtij qyteti si dhe lirinë njëkohësisht ekonomike që ka ekzistuar në periudha të ndryshme të tij përfshi atë arkaike, romake, helenistike etj.

Historia e themelimit para 2600 vjetëve, e kryeqendrës së Romës

Apolonia, qyteti antik i pari në rajon me monedhën e tij

Qyteti antik Apolonia, ndodhet fare pranë qytetit të Fierit. Rreth 12 kilometra në të dalë të qytetit shfaqet thesari i historisë shqiptare.

Në manastirin që daton në shekullin XIII janë vendosur objekte

arkeologjike, duke e kthyer atë në një muze. Brenda oborrit të manastirit ndodhet dhe një kishë e shekullit XIV.

Themelimi

Apolonia u themelua në vitin 588 në një kodër pranë detit dhe afër grykëderdhjes më të madhe të lumit Vjosa.

Helenët themeluan kolonitë e para të tyre në brigjet e Jonit dhe të Adriatikut lindor në shekullit VIII para Krishti në Ambraki (Artë) dhe në Korkyrë (Korfuz), ku qenë vendosur tregtarët liburnë, të cilët kishin zbritur nga viset veriore të Ilirisë.

Në vitin 627 para Krishti helenët themeluan Dyrrahun (Durrësi), kurse në vitin 588 para Krishtit themeluan Apoloninë (Pojani i

Fierit), mbi bazën e vendbanimeve më të vjetra ilire.

Më vonë themeluan edhe koloni të tjera si Farin (Hvar), Isen (Vish) dhe Korkyrën e Zezë (Korculla).

Themelimi i kolonive ndikoi në rritjen dhe në zhvillimin e tregtisë së ilirëve me botën helene dhe në futjen e kulturës helene në trevat e Ilirisë.

Apolonia ishte qyteti më i madh ndër 30 qytetet, që në antikitet mbanin këtë emër. Edhe ky qytet-shtet që në shekullin V para Krishti preu monedhën e vet të argjendtë, e cila u përhap shumë në Ballkan e jashtë tij.

Apolonia nuk ishte vetëm qendër e rëndësishme ekonomike, por edhe

qendër kulture.

Ciceroni e quan Apoloninë “qytet i madh e hijerëndë”. Këtu, ashtu si në Dyrrah, lulëzuan skulptura, mozaiku dhe muzika.

Për rëndësinë e madhe që kishte, Apolonia u bë arenë luftimesh ndërmjet ilirëve, epirotëve, maqedonasve e romakëve.

Zhvillimi

Suksesi gjigant i Apolonisë u rrit nga zhvillimi i madh i tregtisë së skllevërve dhe i bujqësisë. Monedha ilire e shekullit V me zhvillimin e tregtisë u përhap shumë.

Në vitin 229 sundimi romak sapo kishte filluar të hidhte rrënjët. Kohë më vonë, rreth vitit 168, sundimi romak kishte nën kontroll të tërë qytetin.

Për 200 vjet qyteti ishte qendra kryesore e Romës dhe e kolonive të saj dhe mendohet të ketë qenë gjithashtu stacioni kryesor i rrugës së famshme të asaj kohe, rrugës Egnatia. Ai ishte monopoli kryesor për Cezarin në luftën civile të tij me Pompein.

Si mbretëri Apolonia qëndroi si një qendër e suksesshme, por

filloi të rrëzohej e shkatërrohej pak e nga pak, ndërsa lumi Vjosa ndryshoi rrjedhën dhe bregdeti ndryshoi si rezultat i tërmetit të madh që ndodhi në mesin e shekullit III.

Nga porti gjigant i Apolonisë mundën të shpëtonin vetëm 100 anije.

Leon Rei, drejtuesi i misionit francez të arkeologëve, në vitin 1924 zbuloi në Apoloni dy banesa të kohës romake.

Më pas gërmimet e misionit francez, i cili shoqërohej nga arkeologu shqiptar, Hasan Ceka, zbuluan një sasi monumentesh interesante si agonotetet, odeonin, bibliotekat...

Flet drejtori i Parkut Arkeologjik Marin Haxhimihali

"Zbulimet e reja, përmbysin mendimet e deritanishme për Apoloninë antike"

Ndërsa prej disa ditësh në Apoloni kanë filluar punimet e ekspeditës shqiptaro-franceze, rezultatet e reja përmbysin mendimet dhe opinionet e deritanishme të arkeologëve për sa i përket qytetit antik të Apolonisë.

Në vazhdim të punës shumëvjeçare po nxirren në dritë të

dhëna të reja që përmbysin deri diku njohuritë e deritanishme të arkeologëve për shtrirjen e qytetit duke u

hapur rrugën zbulimeve spektakolare.

Për t’u njohur nga afër me ecurinë e këtyre kërkimeve, flet për gazetën "Metropol", drejtori i Parkut Arkeologjik Apolonia,

Marin Haxhimihali.

Çfarë të rejash po sjellin gërmimet e përbashkëta shqiptaro-franceze këtë sezon në Apoloni?

Qe prej të paktën 15 vjetësh në Apoloni barrën më të madhe të kërkimeve shkencore e ka marrë përsipër një mision arkeologjik dhe epigrafik, në kuadër të të cilit punojnë së bashku specialistë franceze dhe shqiptarë. Prej kohësh priten rezultatet e kësaj pune dhe mesa duket këtë vit do të kemi edhe konkluzionet, të cilat përmbysin deri në një farë mase njohuritë tona për qytetin antik. Frytet e punës shumëvjeçare do të botohen së shpejti në një atlas arkeologjik dedikuar tërësisht Apolonisë. Ndërkohë, që tani mund të thuhet se

disa nga rezultatet janë vërtet spektakolare. Kështu nuk është sekret të thuhet se qendra e qytetit të lashtë nuk është ajo që vizitohet sot nga turistët, siç besohej deri tani. Qendra e vërtetë e qytetit duket të ketë qenë për shekuj me radhë pikërisht në atë sektor, të cilin banorët e zonës e quajnë “fusha e sportit”, pasi aty asnjëherë nuk janë bërë gërmime dhe terreni shfrytëzohej si fushë futbolli nga të rinjtë e zonës dhe turistët. Një kërkim elektro-magnetik i vitit të kaluar dëshmoi praninë në këtë sektor të disa ndërtesave të rëndësishme.

Aktualisht kush është "fronti i punës" nga ana juaj?

Aktualisht po punohet nga ekspedita shqiptaro-franceze për zbulimin e njërës prej këtyre ndërtesave të rëndësishme, mesa duket një nga monumentet kryesore të qytetit, një ndërtesë

monumentale me portik vërtet gjigant, me një gjatuesi prej 122 metrash. Nga ana tjetër, sivjet po verifikohen edhe të dhënat e

zbulimit të vjetshëm dhe këto rezultojnë provojnë suksesshëm

praninë e monumenteve që i përkasin Agorasë së periudhës arkaike dhe klasike të jetës së qytetit. Me këtë zbulim bëhet e qartë se qendra e qytetit është zhvendosur në periudhën romake aty ku ne e shikojmë sot. Krahas identifikimit të monumenteve të Agorasë

(shesh publik ku zhvilloheshin të gjitha veprimtaritë, politike, ekonomike, kulturore të qytetit) studimet e mësipërme japin të dhëna interesante dhe për urbanistikën e qytetit me identifikimin e lagjeve të banimit, një prej të cilave gjendet në rrëzë të Akropolit.

Cili është roli i Parkut Arkeologjik në këto rrethana?

Zyra e Administrimit dhe Koordinimit e Parkut Arkeologjik në Apoloni është tërësisht e impenjuar këto ditë me ekspeditën arkeologjike. Në territorin e Apolonisë ushtrojnë aktivitet shkencor disa misione vendase dhe të huaja, por Misioni Arkeologjik dhe Epigrafik Francez është me jetëgjati në terren. Ai na jep njëkohësisht edhe ndihmën më të madhe për përmbushjen e detyrimit tonë për koordinimin e të gjitha veprimtarive kërkimore në territorin e parkut që ne kemi në administrim. Dhe rezultatet janë të dukshme për cilindo që viziton sot Apoloninë. Pastërtia, rregulli sinjalistika turistike janë vetëm disa nga aspektet e punës sonë të përditshme ku kolegët francez janë zotuar të na mbështesin në të ardhmen. Nga ana tjetër zbulimi i qendrës së epokave arkaike dhe helenistike të qyteti na detyron t’i rishikojmë itineraret turistike për të bërë të mundur zgjerimin e

zonës së vizitueshme duke përfshirë edhe pjesë të

territorit që nuk kanë qenë të frekuentuara nga vizitorët më parë. Zyra jonë po inkuadron në planin afatmesëm

të menaxhimit edhe rezultatet e zbulimeve të reja me

objektiv dyfishimin e zonës së vizitueshme të qytetit antik brenda vitit 2010.

Cila është e ardhmja e kërkimeve shkencore në Apoloni?

Apolonia është një qytet gjigant dhe do të duhej puna

e disa brezave të arkeologëve për të nxjerrë në dritë qytetin e lashtë me gjithë madhështinë e tij. Në këtë këndvështrim ka mjaft për të bere, por ajo që ka munguar deri më sot është një strategji për ta shndërruar këtë qytet në qendër të vizitueshme në shërbim të turizmit kulturor. Arkeologët me të drejtë thonë se Apolonia është "Pompei i Shqipërisë", kjo për sa u përket potencialeve arkeologjike. Por unë do të thoja se do të ishte mirë që duke respektuar të gjitha përpjesëtimet, t’i përafrohej Pompeit edhe për nga numri i vizitorëve, e theksoj duke i

ruajtur të gjitha përpjesëtimet. Në këtë kuadër mbetet mjaft për të bërë, kjo edhe në dritën e ndryshimeve më të fundit administrative në Shqipëri. Siç deklaron edhe shefi aktual i Misionit Arkeologjik dhe Epigrafik Francez Jean-Luc Lamboley do të ishte mirë që marrëveshja e ardhshme e bashkëpunimit të firmosej me Parkun Arkeologjik. Ky është një vlerësim që na rrit përgjegjësinë, por që njëkohësisht konfirmon edhe strategjinë e autoriteteve shqiptare për konsolidimin e parqeve arkeologjike si vektorë të turizmit kulturor.

Qyteti antik i Apolonisë ndahej në tre pjesë

Zona e parë

Njihet si zonë fetare. Brenda kësaj zone shtrihen tempujt e Apolonit dhe ai i Artemisit.

Zona e dytë

Njihet si zonë publike, në të cilën është ndërtuara Agoraja. Ajo është qendra ekonomike dhe politike e qytetit.

Zona e tretë

Njihet si zonë me elementë të rinj. Aty janë lagjet private të banimit me banesat arkaike helenistike.

Irena Mertiri ; Gazeta Metropol


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama