Ne mekatet e pleqerise se Rossinit

Në mëkatet e pleqërisë së Rossinit

Këtë herë ai është pjesë e "mëkateve" të pleqërisë së kompozitorit. Kështu e quan vetë Rossini testamentin e tij të fundit, operën "La Petite Messe Solennelle". Një nga veprat më të bukura të Rossinit, e interpretuar vetëm nga katër këngëtarë dhe një kor. Një prej solistëve është edhe tenori Saimir Pirgu, i njohur tashmë jo vetëm për publikun italian, por edhe atë vienez, berlinez, londinez e më gjerë. Është edicioni i 28-të i Rossini Opera Festival, i cili ka nisur prej datës 8 gusht dhe përfundon në datën 21 gusht në Pesaro, që ngjit në skenë këtë vepër të Rossinit. Pas një muaji të gjatë në operën e Bolonjës, ku interpretoi të riun Fenton në Operën "Falstaff", tenori shqiptar rikthehet sërish në Itali, por tashmë në një festival, jo pak të njohur për të. Këtë herë për të interpretuar në një prelud religjioz. Përgjatë ditëve të festivalit janë ngjitur në skenë opera të mëdha si "Otello", "Turco in Italia", "La gazza ladra", "Edipo a Colono", etj, drejtuar nga emra të njohur të dirizhimit dhe regjisë italiane.

Ndërsa nesër, në orën 17.00 në Teatrin të Arenës së Adriatikut (Adriatic Arena) ngjitet në skenë "La Petite Messe Solennelle". Një premierë absolute në versionin orkestral. E shkruar në vitin 1863 për 12 këngëtarë lirikë (katër solistë që i bashkohen një kori prej tetë elementësh) e dy pianoforte, "La Petite Messe Solennelle" u ngjit në skenë për herë të parë në 14 mars 1864 në shtëpinë e konteshës Louise Pillet-Ëill, së cilës edhe i dedikohet. "Ja këtu përfundon, o Zot i Mirë, kjo e shkretë Petite Messe, - shkruan Rossini duke iu drejtuar Zotit. Do të jetë një muzikë e shenjtë kjo që sapo krijova, apo muzikë e mallkuar? Kam lindur për të krijuar Opera Buffa (opera komike). Pak dije dhe pak zemër, kjo është e gjitha".

Vetëm pak kohë para se të vdiste Rossini dëshironte ta riorkestronte operën për një orkestër të madhe. Në versionin e ri sinfonik e gjithë shoqëria korale merrte përsipër pjesët e "të gjithëve", duke i lënë katër vokalistëve vetëm pjesët solistike. Vetë Verdi e ka vlerësuar shumë këtë vepër të Rossinit, duke u shprehur në një letërkëmbim, që pas kësaj opere, ai i rekomandonte Rosinit të shkruante një tjetër "Berber të Seviljes". Por në të vërtetë kjo vepër nuk u ndoq nga të tjera vepra të mëdha nga ana e Rossinit, ndaj është quajtur edhe testamenti i tij.

Kjo vënie është koncertuar nga Umberto Benedetti Michelangeli, që do të drejtojë Orkestrën e Teatrit Komunal të Bolonjës, ndërsa Korin e Dhomës së Pragës e drejton Performing Arts Center. Krahas tenorit Pirgu, tre solistët e tjerë janë sopranoja Iano Tamar, mexosopranoja Daniela Barcellona dhe basi Michele Pertusi. Pas pjesëmarrjes në këtë festival Saimir Pirgu udhëton drejt Madridit ku interpreton në operën "Il Burbero del Boncore".

Per te lexuar me teper mbi artikujt qe disponon shqiperia.com per tenorin Saimir Pirgu klikoni ketu :
Pirgu, mes grave gazmore në Bolonjë
Saimir Pirgu, sukses në Operën Mbretërore

A.Mile : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama