Më shumë se 1 mijë e 2 qind vite më parë, hordhi vikingësh të etur për gjak zbarkuan në brigjet e Irlandës, duke shkatërruar kishat dhe masakruar banorët. Të mërkurën, një prej pasardhësve të tyre e pa të arsyeshme të kërkonte ndjesë për këtë fakt të zi historik. Ishte ministri danez i Kulturës Brian Mikelson, i cili ndodhej në Dublin për të marrë pjesë në ceremoninë e mbërritjes në qytet të një anijeje vikinge të riprodhuar besnikërisht, njeriu që e pa të domosdoshme të kërkonte ndjesë për masakrat e dikurshme të paraardhësve të tij.
"Sigurisht që në Danimarkë jemi krenarë për këtë anije, por nuk jemi aspak të tillë për shkatërrimin dhe rrënimin që sollën me vete sulmet vikinge", tha Brian Mikelson në hyrjen e fjalimit që mbajti në bregun e lumit Lifi. "Por ngrohtësia me të cilën po na prisni sot ne dhe anijen vikinge tregon se, fatmirësisht, tashmë gjithçka është harruar".
Havhingsten (hamshori i detit) lundroi më shumë se 1 mijë milje kësaj vere nëpër detin e Veriut, me një ekuipazh të përbërë nga 65 gra e burra, në atë që është përkufizuar si "eksperiment i jetuar arkeologjik".
Riprodhimi i anijes është bërë duke u bazuar te një anije e mbytur, zbuluar në fjordin Roskilde në jug të Kopenhagenit. Mjeti origjinal i lundrimit mendohet se ishte ndërtuar në Dublin, i cili në atë kohë ishte kthyer në një qytet viking, në vitin 1042 dhe se ishte mbytur 30 vjet më pas.
Mbetjet u zbuluan në vitin 1962 dhe testet e materialeve të përdorura për ta ndërtuar i treguan shkencëtarëve se druri me të cilën qe ndërtuar anija vinte nga Irlanda.
Valët e para vikinge ranë mbi brigjet e Irlandës në vitin 795. Në shënjestër kishin kryesisht manastiret e pasura në ishujt përreth, siç janë Rathlin, Kounty Antrim dhe Inishmurray, Kounty Sligo. Duke nisur që nga viti 841, vikingët ishin vendosur në vendbanime të fortifikuara, siç qe ai i Dublinit, Ueksfordit dhe Uoterfordit. Gjatë dy shekujve që kaluan, këto qytete u absorbuan pak nga pak në mbretëritë lokale irlandeze.
Vikingët
Një nga aspektet më interesante të këtij riprodhimi ka të bëjë me fuqinë luftarake që fshihte brenda vetes kjo anije. Duket se etimologjia e fjalës viking lidhet drejtpërsëdrejti me fjalën "vik", që do të thotë gji, fjord. Pikërisht për shkak të zonave të rrezikshme nëpër të cilat lundronin, këto tribu nisën të ndërtonin anije sa më të forta dhe të manovrueshme. Pjesa më e madhe e anijeve të tyre luhatej mes 16 dhe 25 metrave, skafet manovroheshin me shumë lehtësi. Ishin të të gjitha llojeve, anije luftarake, tregtare, përdoreshin madje edhe si monumente funebre. Në ndërtimin e saj morën pjesë specialistë danezë, norvegjezë dhe islandezë, të cilët u qëndruan besnikë teknikave të përdorura në të shkuarën nga vikingët.
Udhëtimi
Gjatë udhëtimit që nisi nga brigjet e Danimarkës disa javë më parë ishte llogaritur të mos përdorej asnjë lloj motori, ndërkohë që rremat do të viheshin në veprim vetëm kur anijes t‘i duhej të afrohej në porte apo të ankorohej. Edhe udhëtimi u mbështet te mënyrat dhe mjetet e përdorua nga vikingët e dikurshëm, ndërkohë që me besnikëri u ruajt gjatë tij stili i jetesës në anije i këtyre tribune të ashpra. Ekuipazhi, mes të cilit numërohen edhe 20 gra, udhëtoi duke u mbështetur te plotësimi i nevojave bazë të jetesës në hapësira shumë të reduktuara.
Më shumë se fuqia, ishte aftësia ajo që mundësoi mbërritjen me sukses në destinacion të anijes "Hamshori i detit" në udhëtimin gjashtë javor. Vikingët e bazonin lundrimin te forca e erës dhe e krahëve të njerëzve. Por për fat të keq, këtë vit, era u ndal thuajse tërësisht, kështu që u desh që anija të rimorkiohej për 345 milje. Me gjithë këtë, sipas arkeologëve që këshilluan realizimin e projektit, eksperimenti kishte vërtetuar me sukses standardet e larta të lundrimit që ofronin mjetet vikinge.
34-vjeçari Diarmuid Murphy nga Bantri, një nga detarët e anijes, pranoi se që në fillim gati kishte vendosur të tërhiqej nga eksperimenti. "Pas 18 orëve të para që kaluam mbi anije isha aq i lagur e kisha aq ftohtë, sa as më shkonte ndër mend se mund të duroja deri në fund të udhëtimit", u tha gazetarëve. Dieta e ekuipazhit përbëhej nga ushqime të thata, ndërkohë që u duhej të flinin nën qiell të hapur e në hapësira të ngushta për plot gjashtë javë - me ndonjë rast të veçantë në një barkë shoqëruese.
"Ishte ftohtë, disa ditë ra shi nga mëngjesi deri mëngjesin tjetër", tha menaxheri i projektit të anijes Prieben Rather Sorensen. "Nuk kishim aq kohë sa ç‘kishin vikingët, pasi duhet të ishim këtu sot për përurimin. Ishte kjo edhe një nga sfidat kryesore". Anija do të kthehet sërish në Danimarkë verën e ardhshme.
Marre nga : Gazeta Shqip











