Skenderbeu sfilon ne pasarelat e Londres

Skënderbeu  sfilon  në pasarelat e Londrës

Stilistja, Marinela Isaku është duartrokitur më së shumti nga spektatorët, duke justifikuar me dinjitet prestigjin e saj prej një stilisteje me brumë, tashmë të kristalizuar në mjediset e këtij universiteti. Nën tingujt e muzikës shqiptare, modelet e veshura nga stilistja e re kanë shpalosur ngjyrat tona kombëtare në pasarelën e sallës së këtij universiteti. Veshjet e dizenjuara nga Marinela kanë një tendencë të fortë tradicionale shqiptare të ndërthurur me shumë shije me modernen. Të pranishmit kanë shprehur vlerësim për intensitetin dhe kombinimin artistik të ngjyrave kuq e zi, si dhe për larminë dhe veçantinë e këtyre veshjeve.

Stilistja Isaku pohon pothuajse me krenari se veshjet tradicionale shqiptare i kane dhënë asaj shtytjen dhe frymëzimin e duhur për këtë shfaqje. “Kam bërë shumë kërkime paraprake duke hulumtuar traditën shqiptare të veshjeve popullore dhe arrita në përfundimin se motivet tona popullore kanë shumë për t’i ofruar modës. Etnografia shqiptare është kthyer nga një pasion i hershëm i imi, në një fushë të cilën kam dëshirë ta kthej në bazë të ekspertizës dhe karrierës sime”, thotë Marinela. Më pas ajo shton, se është synimi i saj që t’i përdor këto motive edhe në të ardhmen, pasi veshjet tona tradicionale janë një thesar i vërtetë. Suksesi i kësaj shfaqjeje modeste është një tregues më shumë se moda e veshjeve është bërë më e uritur se kurrë për novacione, ikona dhe simbole të reja. Në fakt, nuk është hera e parë që simbolet tona kombëtare, sidomos shqiponja dykrenore apo përkrenarja e Skënderbeut, të jenë përdorur në dizenjimin e veshjeve të modës së lartë.
 
Marre nga : Gazeta Panorama


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama