28 artistë nga bota marrin pjesë dhe paraqesin veprat e tyre sipas konceptit kuratorial "Të rimendojmë mospajtimin" i kuratorit shqiptar Edi Muka dhe i kuratores vendase Joa Ljungberg, e cila ka tashmë një përvojë me disa aktivitete në Tiranë. Bienalja e Goteborgut do të shtrihet në pesë vende të ndryshme qark qytetit, nga 25 gushti deri më 25 nëntor. Marrin pjesë tre artistë shqiptarë, Armand Lulaj, Sislej Xhafa dhe Anri Sala. Lulaj merr pjesë me dy punë. E para "Living in Memory" (Të jetosh në kujtesë), me të cilën është prezantuar dhe në Bienalen e fundit të Tiranës. Për kujtesë, ky artist është fitues i Çmimit të parë të Onufrit 2006. Puna e dytë quhet "Common Assembly" (Asambleja e përbashkët), një punë e re, e prodhuar për Bienalen e Goteborgut. Sipas kuratorit Muka bëhet fjalë për "një video instalacion që i referohet Këshillit të Sigurimit dhe Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Lulaj ka ndërtuar një miniaturë të tryezës së rrumbullaktë të Kombeve të Bashkuara, aty ku një grup i vogël shtetesh vendos për fatet e miliona njerëzve në botë (pra ai problematizon këtë aspekt)." Tryeza dhe karriget natyrisht janë bosh, ndërsa në murin përkundruall është një projeksion i madh ku shfaqen njëri pas tjetrit, flamujt e shteteve të OKB. Flamujt janë bërë në letër dhe papritur një grusht godet nga mbrapa dhe duke i grisur dhe penetruar në mes. Zhurma e grushtit i ngjan zhurmës së shpërthimit të një arme. "Puna ka një metaforë të qartë për dhunën, e kuptuar kjo në shumë aspekte: dhuna ndaj kombeve (përmes vendimeve të marra); dhuna e shkatërrimit (përmes penetrimit të flamujve); dhuna e revoltës/revolucionit", shpjegon kuratori Muka.
Artisti kosovar që jeton dhe krijon në SHBA, Sislej Xhafa, gjithashtu merr pjesë me një punë të re, "Khaleen" quhet. Khaleen është një qilim gjigant, 6m x 2m i thurur me dorë në Afganistan (është ende në prodhim në këtë moment). "Si gjithmonë, gjenia e Sislejt qëndron në zgjedhjen e imazhit të qilimit - një kartmonedhë 100 dollarëshe",komenton Muka i cili ka një përvojë të gjatë bashkëpunimi me artistin që ka përfaqësuar Shqipërinë në Bienalen paraardhëse në Venecia me "Ceremoninë e vajtimit". "Natyrisht që ka për të qënë një punë mahnitëse, ku vazhdon të mbizotërojë ironia kritike e Sislejt. Qilimi duket si një model i përkryer i qilimit fluturues dhe çka do të kishte më mirë se një qilim fluturues që është njëkohësisht një kartmonedhë 100 dollarëshe, për më tepër e prodhuar në Afganistan.
Artisti i tretë shqiptar në Bienalen e Artit Bashkëkohor në Goteborg është Anri Sala. Ai merr pjesë me një punë më të vjetër, "Lak-kat", një video nga 2004. Në video është një grup fëmijësh senegalezë, të cilëve mësuesi (që nuk shihet në video) u mëson shqiptimin e fjalëve të caktuara. Pikërisht fjalët që ai i mëson janë dhe çelësi i videos. "Gjuha e Senegalit ka pësuar ndryshime rrënjësore me kolonizimin e Senegalit nga francezët - njeriu i bardhë. Për pasojë në gjuhën e tyre, ka një shumëllojshmëri të madhe fjalësh që përshkruajnë një mori hijesh (tonalitetesh) mes të zezës dhe të bardhës - të gjitha të diktuara nga prania/influenca e kolonizatorëve të bardhë francezë, që nga momenti i kolonizimit, deri në ditët e sotme." Se ç'është më shumë kjo bienale dhe çfarë synon të sjellë ajo në diskutimet për artin bashkëkohor po botojmë një pjesë të konceptit të bashkëkuratorëve Edi Muka dhe Joa Ljungberg.
Elsa Demo : Gazeta Shekulli











