Eshtë shndërruar në një bionde rebele Genta Ismajli, në këngën që ka lançuar pak ditë më parë në ekranin muzikor “Supersonic”. Bëhet fjalë për këngën “Krejt e din”, në të cilën këngëtarja kosovare, që në fakt prej kohësh nuk po e shihnim të dilte me këngë të re, shfaqet me një pamje më egër dhe me imazh të ndryshuar. Por nëse në këngët e mëparshme Gentën energjike e kemi parë të këndojë në përgjithësi për dashurinë dhe ndjenjat, këtë radhë tematika e saj është zhvendosur diku tjetër. Në një bashkëpunim me Getin (Getoarin e grupit “Tingulli 3”), kënga “Krejt e din” vjen si një dedikim për politikanin Ramush Haradinaj, ish-kryeministri kosovar, që sot ndodhet në Hagë. “Ishte një iniciativë e jona që të bënim një këngë, ku me stilin dhe muzikën tonë do të kontribuonim për heroin tonë i cili gjendet në Hagë”, tregon këngëtarja për gazetën.
Por në klipin, që Genta Ismajli ka prezantuar këto ditë, përveç veshjes shumë sportive bien në sy dukshëm edhe flokët e saj, që këtë herë ka provuar t’i bëjë të verdhë. E kështu këngëtarja kosovare vjen me një imazh tërësisht të transformuar, ndoshta një mënyrë kjo edhe për të justifikuar mungesën e gjatë në skenë dhe ekran, të paktën këtu në Shqipëri. Ka qenë gjithmonë e gjallë dhe potente në performancat e saj. E tillë shfaqet edhe në këtë klip, por duke hequr dorë disi nga joshja provokuese, që ka ditur të transmetojë në skenë. Dhe jo vetëm kaq. Nëse në ekran së pari bie në sy pamja, nuk duhet të harrojmë, që gjithçka është në funksion të këngës.
Dhe këtë radhë, ritmet që Genta na sjell kanë ndryshuar tërësisht. “Krejt e din” është një bashkëpunim i Gentës me Getoarin dhe ndoshta këto tendenca muzikore hiphop, që shfaqen në këtë këngë janë ndikim i Getit, i cili njihet jo vetëm si këngëtar, por edhe si një krijues ekzibicionist. Ndërkohë Genta pohon se shumë shpejt në ekrane do të shfaqen edhe dy këngë të reja të saj, të cilat janë regjistruar në shqip dhe anglisht. E pyetur nga gazeta “Panorama” për planet e saj për këtë verë, ajo pohon se vera do të jetë e tëra me impenjime pune, në koncerte të ndryshme. Sa për pushimet, ajo së bashku me të fejuarin, Milotin kanë menduar që në fillim të shatatorit të pushojnë në disa vende të Europës.
Marre nga : Gazeta Panorama











