Ana e panjohur e Hilari Klintonit

Ana e panjohur e Hilari Klintonit

"Nga pushimet e Krishtlindjeve kam përjetuar tri metamorfoza e gjysmë. Kam filluar të ndiej se kam një personalitet të çuditshëm. Deri më tani kam treguar se kam tre lloj personalitetesh: të një akademikeje të tjetërsuar, të një pseudohipije të angazhuar dhe të një reformatoreje shoqërore dhe gjysmën tjetër mund ta quaj mizantropi". Për më tepër: "Hilari Rodham, e njohur si liberale në intelekt dhe konservatore në ndjenja dhe emocione përpiqet të përcaktojë lumturinë. Nëse jeta është absurde, përse të mos jemi të lumtur në këtë absurditet?".

"Muaji shkurt më duket se është i përbërë nga depresioni, mëngjeset e gjata të kaluara në krevat, leksione të braktisura dhe ndonjëherë shumë përçmim për veten. Vargu i gjatë i mendimeve më çon drejt një vetanalize, analizë nga e cila egoja ime del e humbur". Për ta përfunduar: "Jam shumë e ndjeshme dhe letargjike, ndonjëherë antipatike për të tjetër dhe për veten".


KORRESPONDENCA — Autorja e këtyre letrave që u përkasin viteve ‘67 është Hilari Klinton, e cila ka qenë zonja e parë, senatore që synon të marrë në 2009 presidencën e SHBA.

Hilary në atë kohë ishte njëzet vjeç, studionte në vit të dytë të universitetit në Wellesley, në tempullin femëror të republikanizmit. Në horizontit e saj nuk është shfaqur ende Bill Klinton, do e takojë më vonë në Universitetin Yale, atëherë kur do diplomohet së bashku me të për drejtësi. Shoku i saj i besueshëm ka qenë Xhon Peavoi, një shok i gjimnazit në "Park Ridge", në qytetin e saj të lindjes. Brenda katër vjetëve, ajo i ka shkruar atij rreth 30 herë. Sot Hilari konsiderohet nga pjesa më e madhe e njerëzve si një zonjë e fortë dhe shumë e përgatitur, por edhe e ftohtë, madje ndonjëherë është cilësuar si "robot". E kaluara e saj nuk flet absolutisht për një femër të tillë. Letrat e para 40 vjetëve tregojnë se ajo ka qenë një vajzë ambicioze, herë-herë e angështuar, e gjallë, e disiplinuar dhe ndonjëherë e çorientuar për avenirin e saj.

NDJENJAT - Gazeta që bëri të ditur mbi këtë korrespondencë mes Hilari dhe Xhon Peavoi, aktualisht profesor në një kolegj në Kaliforni, ka qenë prestigjiozja "New York Times". Hilari Klinton, sipas gazetës, në ato rreshta ka "treguar shpirtin e saj". Janë letra të cilat janë shkruar nga dy shokët e klasës që janë dashur shumë(por nuk janë të dashuruar) dhe që kanë qenë të parët e klasës. Shumë rrallë ajo flet rreth seksit. Ajo çka e shqetëson Hilarin janë gjëra të tjera: ndjenja dhe përgjegjësia e të qenit qytetare, domethënia e ekzistencës dhe ëndrra për madhështi.

Në letrat e saj nuk ka parandjenja për vetvete, madje mendon se do të jetë Peavoi që do shkëlqejë. Shprehja e saj e përsëritur gjatë korrespondencës ka qenë: "Kur të bëhesh i famshëm, letrat e tua do t‘i shes për një milion dollarë". Korrespondenca shërben si një dëshmi shumë e rëndësishme e evoluimit në mendime si femër dhe si politikane. Kanë qenë vitet e universitetit të cilat kanë shërbyer për formimin e saj, duke e mënjanuar edhe nga familja(sidomos nga babai i saj i rreptë) duke e transformuar atë nga një republikane në një liberale. Shkëputja ka qenë e dhimbshme.

Në përvjetorin e saj të nëntëmbëdhjetë, ajo i beson mikut të saj sekretet e fëmijërisë së humbur dhe i tregon se nuk është më: "fëmija e cila mendonte se ishte. I vetmi fëmijë në botë që ëndërronte se kërcente në kopsht me idenë se pranë saj kishte kamera që xhironin çdo lëvizje".

TRANSFORMIMI - Pas një vizite në shtëpi tregon: "Parandieja një vështirësi në komunikim me prindërit e mi, pasi ata më privonin për të kaluar një fundjavë në Nju-Jork". Ky ka qenë hapi i parë drejt pavarësisë. Arriti në Wellesley dhe aty mësoi shumë rreth politikës, gjë që i shërbeu për karrierën e saj të ardhshme. Ndryshoi tërësisht drejtimin e saj, nga republikane u bë liberale. Shpeshherë e akuzonte Peavoin duke qenë se ishte më pak aktiv se ajo në politikë, si dhe për kritikën ndaj politikës së jashtme: luan me termat "aktor", një që reagon si ajo dhe "reaktor", person që reagon si ai. Në letrat e saj ajo citon Doktor Zhivagon e Pasternakut: "Njeriu ka lindur për të jetuar jo për t‘u përgatitur për jetën".

PJEKURI - Duke analizuar korrespondencën e saj dalin në pah dy anët e ish-zonjës së parë. Ashtu si të gjithë njerëzit, edhe Hilari ka pasur procesin e saj gradual në rritjen e saj qoftë si qenie njerëzore, ashtu edhe si lidere. Në fund të çdo letre, mbylljen e bënte me inicialin "H" ose thjesht "Unë" dhe citon: "Detyrimi i brezit tonë është të organizojë protesta konstruktive". Hilari përqafonte idenë e feminizmit. Në fund të kursit, në ‘69 Hilari përfundon korrespondencën duke shkruar për luftën në Vietnam dhe kaosin kulturor. Ndër të tjera citon: "Jam e lodhur nga kjo botë akademike e pashpirt".

Një intelekt i mirinformuar si i saj, tërhoqi një njeri si Bill Klinton, i cili vendosi menjëherë t‘ia prezantonte familjes së tij: "Nuk dëshiroj që pranë vetes të kem një bukuri bosh".

Miku i saj i ngushtë, Peavoi, tregon: "Gjatë 40 vjetëve e kam parë vetëm një herë të vetme dhe kam marrë vetëm një telefonatë nga ajo në vitin ‘95". Profesori i letërsisë, një njeri i qetë nuk dëshiron të shesë korrespondencën që ata kanë pasur dikur, dëshiron t‘i rrijë besnik shoqërisë së dikurshme. "New York Times" i ka kërkuar nëse do të votojë për të në zgjedhjet e ardhshme: "Jam i pasigurt, më pëlqen edhe Obama", përfundon ai.


Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama