Viti i zi ne rruge te mbare

Viti i zi, në rrugë të mbarë

Për disa arsye: lënda e filmit të ardhshëm mbështetet në një nga veprat më të vështira të shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, romani i shkurtër "Viti i mbrapshtë"; buxheti i filmit mendohet të shkojë mbi 2.5 milionë euro. Nuk ka deri më sot tjetër film shqiptar që të jetë prodhuar as me gjysmën e kësaj vlere. U deshën thuajse katër vjet që regjisori Koçi njëherësh bashkëproducent në film, të mbledhë partnerë për këtë ditë: të mos fillojë punën pa pasur kushtet optimale dhe garancinë financiare. Është një film i kushtueshëm sepse ka skena lufte dhe synon të sjellë Shqipërinë e 90 viteve më parë.

Dhe si çdo film madhështor historik një buxhet i tillë mbetet përsëri i pmjaftueshëm. Ngjarjet zhvillohen ndërmjet viteve 1913- 1914, një vit i keq për Shqipërinë që ndodhet në pritje të një princi të huaj të komanduar nga fuqitë evropiane dhe kur kufijtë e vendit, 2 vjet pas shpalljes së pavarësisë janë të shqyer. Nga do t'ia mbajnë shqiptarët në këtë prag furtune, kur bota përgatitet të hidhet në Luftën e Parë Botërore? Stafi i filmit prej 10 ditësh ndodhen në Shkup ku xhirohet një pjesë e mirë e "Kohës së kometës". Grupi realizues del nesër para gazetarëve në një konferencë për shtyp në orën 13.00 në hotel "Internacional" ku të pranishëm do të jenë regjisori Fatmir Koçi, aktori kryesor njëherësh bashkë-producent Blerim Destani i cili interpreton Shestan Verdhën; përkrah tij aktorja Masiela Lusha në rolin e Anjezës; aktorët Ralf Moeller dhe Tomas Haince, producenti i kompanisë filmike L.A.R.A Enterprises Alan Mixhiç, drejtori i Qendrës Kombëtare Kinematografike Xhevdet Feri i cili interpreton në këtë film.

Në këtë prezantim të parë të filmit me trupën merr pjesë edhe shkrimtari Ismail Kadare i cili nuk ka bërë asnjë koment deri dje për ekranizimin e veprës në fjalë. Ky është bashkëpunimi i dytë i Kadaresë me regjisorin Koçi pas
skenarit të filmit dokumentar "Shqipëria: Vendi i shqiponjave" ku përshkruhet Shqipëria e shekullit të 20-të, në harkun kohor 1908-1991. Për "Vitin e mbrapshtë" shkrimtari vetëm sa ka dhënë të drejtën e autorit, pasi adaptimi dhe dialogët e skenarit janë shkruar nga Fatmir Koçi dhe Pierre Gautard. Në fillimet me këtë projekt Koçi ka pretenduar të krijojë një univers tjetër brenda filmit "që të vijë nga i njëjti lloj gjaku i veprës së Kadaresë, por të ketë ritëm tjetër, fytyrë tjetër". Nëse projektit i janë hapur jo pak dyer nga producentë të huaj apo mundësia që u krijua që aktorë të njohur të huaj të interpretojnë në një film shqiptar, shanset lidhen dhe me energjinë që kësaj vepre të Kadaresë ku do të shihet jo vetëm ç'ishte shqiptari në fillimin e shekullit të njëzetë, po edhe fqinjët e tij.

Historia ndodh në një fshat të vogël në juglindje të Shqipërisë në vitin 1914. Pesë fshatarë vendosin të nisen në luftë. Vendi po kalon një periudhë në kaos. Shqipëria po jeton 6 muajt e mbretërisë së Vilhelm Vidit. Shestan Verdha, një burrë i pashëm, beqar, vihet në krye të këtij grupi burrash. Luftëtarët gjejnë një hartë të vjetër të perandorisë osmane që nuk i korrespondon aspak kufijve shqiptarë e ballkanikë të epokës. Burrat marshojnë ditë e natë për të gjetur luftën, por nuk e gjejnë, ndoshta kanë humbur rrugën për shkak të hartës së tyre të vjetër. Pas shumë shtegtimesh, Shestan Verdha takon Anjezën, një vajzë e re katolike të cilën i ati po e dërgon në manastir. Takimi i tyre ishte fatal. Bien në dashuri. Në këtë film do të gjejmë personazhe historikë qoftë të pranishëm qoftë të përmendur si mbreti Vilhelm Vid, Kuz Babai një rebel mysliman, përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha, ushtritë e huaja prezente në Shqipëri si Gjermania, Austro-Hungaria, Anglia, Italia. Edhe thirrja "Dum Babën…Dum babën" e cila na sjell frymën në ikje të Sulltanit dhe hijen 450-vjeçare të perandorisë otomane në Ballkan. "Koha e kometës" pas xhirimeve në Maqedoni kthehet në Shqipëri ku mendohet të xhirohet në Shkodër.

Elsa Demo : gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama