Djegie e shtresës së tokës, erozion, humbje e rezervave ujore nga prishja e ekuilibrit hidrik, prishje e habitatit natyror të
kafshëve të egra, toka rrëshqet nga mali në det, prishje e peizazhit natyror...
Kjo është tabloja e pasojave nga zjarret që kanë përfshirë Shqipërinë, pasoja për të cilat nuk ka debate kontroverse si në rastin e efekteve të ngrohjes globale dhe ndryshimit të klimës, sepse pjesa më e madhe e tyre kanë veprim të menjëhershëm tek mjedisi dhe njerëzit. Ka edhe një fakt tjetër po kaq dramatik, të cilin kronika e mbulimit të zjarreve që kanë përfshirë vendin tonë, e ka konstatuar në mënyrë sporadike. Bëhet fjalë për fenomenin e zjarrvënies së qëllimshme, që duket se është në origjinë të të gjitha zjarreve në pyje këtë verë në Shqipëri. Ky është në fakt konstatim i specialistëve të pyjeve dhe kullotave në Drejtorinë e Përgjithshme të Pyjeve, të cilët ngrenë perden e tymit për revistën MAPO duke zbuluar tablonë e vërtetë të situatës dramatike nga zjarret që kanë përfshirë pyjet e mbarë vendit nga Tropoja dhe Kukësi e deri në Vlorë e Gjirokastër. Specialistët shpjegojnë gjithashtu se sa vështirë do të jetë që këto masive pyjore të shkrumbuara të rikuperohen në të ardhmen.
Pse po ndizen pyjet?
“Në Shqipëri nuk kemi konstatuar gjatë vrojtimeve tona në terren asnjë rast të reaksioneve ekzotermike, që mund të shkaktojë shfaqjen e zjarreve në mënyrë natyrale. Nuk ka patur as rrufe apo fenomene të tjera që të provokojnë zjarre. Kemi të dhëna që flasin se pothuajse të gjitha zjarret janë shkaktuar nga vetë njerëzit dhe shumica janë zjarrvënie të qëllimshme”, - shprehet Genci Hoxha, ekspert i kontrollit të zjarreve pranë policisë pyjore. Sipas tij pjesa më e madhe e zjarrvëniejeve kanë për protagonistë çobanët të cilët e kanë për traditë të përdorin këtë teknikë të rrezikshme për të rigjeneruar kullotat, për të vrarë insektet dhe përmirësuar cilësinë e barit të tyre. Ka dhe nga ata që i vënë zjarrin pyllit sepse kanë konflikte individuale për përdorimin e tij. I njëjti subjekt mund të bëhet shkas për vënien e zjarrit kullotave, ndërsa konfliktet për pronësinë bëhen arsye të mjaftueshme gjithashtu nga banorët e zonave për t’i vënë zjarrin pyllit, kullotës apo tokës. Një pjesë tjetër, më e vogël, sipas Genci Hoxhës, kanë në origjinë konfliktet për të përdorimin e bimëve medicinave, por nuk mungojnë as rastet e neglizhencës duke shkaktuar zjarre aksidentale. Por në asnjë rast, zjarret në Shqipëri nuk duket të jenë shkaktuar drejtpërdrejt nga temperaturat e larta apo reaksionet ekzotermike, megjithatë temperaturat kanë ndikuar në përshkallëzimin dhe përhapjen e shpejtë të flakëve.
Shkrumbimi i pishave
Cilët janë drurët që po digjen më tepër në pyjet tona? “Pa dyshim, masivët halorë. Pisha, hormoqi, rrobulli, pisha e zezë, pisha e detit... Për shkak të përmbajtjes së rrëshirës, pishat janë edhe drurët që digjen më tepër. Shumë të përhapur në pyjet e vendit tonë, pishat janë drurë me shumë vlera industriale dhe rikuperimi i tyre nuk ka për të qenë i lehtë”, - tregojnë specialistët në drejtorinë e pyjeve ku megjithatë nuk është bërë ende bilanci i hektarëve të dëmtuar nga zjarri. Por është bërë një vlerësim paraprak i zonave më të dëmtuara që janë zona e Lubonjës në afërsi të Vithkuqit në Korçë, zona e Pukës dhe Kukësit, Gërmenji, si edhe zjarret në Gjirokastër, Mirditë dhe Vlorë.
Pasojat e menjëhershme
Ndërsa skenari i rikuperimit duket me kosto tepër të lartë, tani kur vendi është ende në mes të flakëve dhe kur nuk gjenden dot mjete minimale për të shpëtuar pemët, bimët dhe tokën, nga ana tjetër të flasësh për zëvendësimin e dëmeve, duket gati futuriste. Pasojat e këtyre zjarreve do të ndihen megjithatë shumë shpejt dhe në fakt në ato vende ku zjarret janë shuar, efektet janë shfaqur sakaq. Përveç humbjes së materialit drusor, erozioni është fenomeni i parë që shfaqet në tokat e zhveshura dhe që ndihmohet nga era. Shtresa e kores së tokës pëson gjithashtu djegie dhe kjo përkthehet në shterrim të lëndëve organike për bimët e mbetura ose ato të reja, si edhe humbje të rezervave ujore. “Ekuilibrat hidrikë të tokave të djegura prishen dhe kemi humbje nga rezervat ujore, por edhe humbje të tjera në burimet pyjore, pa harruar prishjen e habitatëve të kafshëve të egra dhe pa dyshim efektin degjenerues të peizazhit natyror”, - shpjegon specialisti i pyjeve. Duke iu rikthyer rikuperimit, ai ende është larg, pasi nuk ka nisur ende para-faza e tij dhe që është vlerësimi i dëmeve, më pas vijon me marrje masash kundër erozionit, vendosja të pritave malore, mbledhje me fara dhe me fidanë, për të pritur vite dhe ndoshta shekuj që një pyll të harliset sërish.
Lufta me zjarret
Megjithatë të luftosh zjarret në pyje nuk duket punë e lehtë, pasi nevojiten jo vetëm aftësi dhe kurajo, por edhe teknologji e sofistikuar, ajo që më së shumti mungon në Shqipëri, por në vështirësi e kanë parë veten edhe vendet e tjera të rajonit si Greqia, Bullgaria dhe Rumania. Sipas llogarive, kostoja për hektarë të djegur është 1000 deri në 5000 euro. Disa nga rreziqet më të mëdha janë flakët që mund të ndryshojnë drejtim papritur, duke e bërë punën e zjarrfikësve jashtëzakonisht të rrezikshme. Edhe ngjitja e zjarrit në majat e pemëve duke i zënë zjarrfikësit poshtë është një tjetër rrezik i pyjeve që shkrumbohen. Parimi kryesor për të luftuar një zjarr është krijimi i boshllëqeve ose thyerjeve të zjarrit, në mënyrë që zjarri të mos mund të lëvizë ose përparojë. Por kjo i përngjan një gare të vërtetë kundër kohës për zjarrfikësit, që shpejtojnë të largojnë bimësinë përpara se zjarri të mbërrijë aty. Kërkohet gjithashtu aftësi dhe talent për të vendosur ku të krijohen zonat e thyerjes së zjarrit dhe sa e gjerë duhet të jetë. Një nga alternativat që mbetet kur nuk ka hapësira natyrale, është gërmimi, por për këtë nevojiten buldozerë dhe mjete të tjera. Anët lagen pastaj me ujë ose kimikate për të ngadalësuar procesin e djegies. Njihet gjithashtu edhe përdorimi i teknikave të njohura si “zjarr kundër zjarrit” dhe që konsisoton në hapjen e një zjarri tjetër në mënyrë që të krijohet një thyerje zjarri. Kjo teknikë mund të rezultojë edhe fatale, por në teori, dy zjarret takohen dhe shuajnë njëri-tjetrin.
Mushka në vend të helikopterëve
Përdorimi i helikopterëve është shumë i nevojshëm sipas specialistëve, sepse nëpërmjet tyre jo vetëm bëhet shuarja e zjarreve në mënyrë më efikase me ujë dhe kimikate, por identifikohen dhe bëhen investigime paraprake për të gjetur me saktësi ku është vatra e zjarrit dhe sa shpejt është duke lëvizur ai. Në Drejtorinë e Pyjeve të thonë se po pritet mbërritja e disa helikopterëve hidrikë, ndërsa momentalisht përdorin vetëm 6 makina që mbulojnë 28 skuadra pune. Makinat nuk janë zjarrfikëse apo autobote, por makina të lehta, të cilat mund të futen në rruge dhe terrene të vështira.
Ndërsa teknikat e luftimit të zjarreve në botë janë duke u sofistikuar, tanimë përdoren edhe informacionet me satelit për të monitoruar tokën e thatë dhe për të paralajmëruar zjarret e mundshme në avancë, gjëra të tilla në Shqipërinë e mushkave si mjete për të shuar flakët, duket e pamundur. Në fakt versioni i mushkave ka qenë zgjidhja qeveritare që ka shpallur ministri i mjedisit, Lufter Xhuveli. "Qeveria ka mundur që me financat e saj të dobëta të blejë disa kafshë si mushka e kuaj për të ndërhyrë në rastet më problematike", - është shprehur ai në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë në 19 korrik, ditën kur u ngrit edhe shtabi i emergjencës për zjarret, i drejtuar nga zvkryeministri Gazmend Oketa. Por nuk kanë munguar zërat revoltues në radhët e reparteve të mbrojtjes nga zjarret që janë ankuar për mungesë mjetesh dhe amnrtizim të atyre ekzistente. "Janë mjete me vit prodhimi 1957, ish BÇ-të e dikurshme, plus që na mungojnë që nga uniforma deri tek baza më konkrete materiale, shkuma", - është shprehur në mbledhjen e emergjencës në Fier shefi i repartit të mbrojtjes, Ahmet Çukalla.
Shtabet e emergjencës të të gjitha qyteteve kanë deklaruar pafuqinë e tyre për të vepruar kundër zjarreve. ‘Është një luftë gati e pamundur me zjarret. Mjetet zjarrfikëse nuk arrijnë të shërbejnë për asgjë, ndërkohë që edhe vullnetarët jo gjithmonë janë të gatshëm të marrin pjeë në aksionet anti-zjarr", - kanë qenë disa nga ankesat e vendorëve, të cilët vetëm pak ditë më pas u kritikuan nga kryeministri i vendit, Sali Berisha, për mungesë aktivizimi maksimal në shuarjen e zjarreve. Ministri Gjana ka propozuar gjithashtu javën e kaluar të kërkohet ndihma e KFOR-it, sidomos për zonat pranë kufirit me Kosovën, kur zjarret vijnë nga Shqipëria tjetër. Edhe pse ministrat, të paktën për një ditë, u janë drejtuar zonave të emergjencës, situata ka vazhduar të precipitojë dhe zjarret janë agracuar shumë fundjavën e kaluar ku janë përfshirë edhe parqet kombëtare dhe natyrore si Llogoraja dhe madje i janë afruar edhe Parkut Arkeologjik të Apollonisë.
Greqi, Bullari, Rumani, gjithë rajoni në flakë
Gjendje emergjence janë shpallur në Kosovë, në Maqedoni, ndërsa dramatike ka qenë situata e zjarreve sidomos në Greqi dhe Rumani, por edhe në Bullgari e Serbi ku temperaturët e javës së kaluar shënuan më shumë se 40 gradë. Greqia ka vujatur edhe "blackout" elektrikë, pasi temperaturat e larta kanë ndikuar në minimizimin e burimeve hidrike për të prodhuar energjinë elektrike. Pas vdekjes së një persni në Maqedoni ndërsa u dogjën shtëpinë afër Bitolës, qyteti i dytë më i madh, presidenti
Branko Crvenkovski deklaroi emergjencë kombëtare dhe thirri gjithashtu ushtrinë për të luftuar zjarret. Ndërsa mungesat e energjisë elektrike janë drastike në Shqipëri, energjia ka munguar edhe në Greqi, Kosovë dhe Mal të Zi. Gjithashtu, më shumë se 120 zjarre kanë vërshuar në të gjithë Greqinë dhe një nga zjarret e fundit më të rrrezikshëm ka qenë ai në ishullin Skiathos të mbushur me turistë, të cilët e kanë përshkruar progresin e zjarrit në ishullin shumë të pyllëzuar si të tmerrshëm. 500 metra në orë është konsumi i vlerësuar i pyllit nga flakët e zjarrit në këtë zonë. Ky zjarr ka rrezikuar rreth 500 turistë. Greqia është prekur megjithatë nga një seri zjarresh të pashuara gjatë kësa vere dhe tre zjarrfikës mbetën të vdekur të martën në ishullin e Kretës, ku u zunë në kurth nga flakët që ndryshuan drejtim papritmas, të ndihmuara nga erërat e fuqishme.
Belina Budina : Revista Mapo











