Pak e shqetësojnë gumëzhimat e njerëzve që vizitojnë ekspozitën e tij të çelur së fundi në hollin e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës. Saimir Strati, piktor e mozaiçist, shqiptari që një vit më parë theu rekordin “Gines” me portretin në gozhdë të Leonardo Da Vinçit, ka marrë udhën sërish drejt këtij rekordi. Këtë herë është një kalë në qendër të vëmendjes së tij. Pak flet, pasi kohën ia kushton kunjave apo kruajtëseve të dhëmbëve me të cilat është duke krijuar mozaikun e radhës. Këtë herë ka zgjedhur një sallë të hapur për të vijuar serbes punën e tij. Ndërsa vizitorët janë kuriozë e i afrohen për të parë veprën e radhës, ai është i përqendruar në punën e tij dhe pak e prish terezinë.
Regjimi i punës së tij është gati njësoj. Vrull nga agimi deri në muzg, për ta sjellë në jetë sa më shpejtë krijesën e tij më të re, por tepër të madhe në përmasa. Kali është një figurë e bukur dhe s’kishte pse të mos ishte ai në qendër të këtij mozaiku të radhës të shqiptarit që një herë e ka provuar ndjesinë e rekordit Gines. Por nëse numri i gozhdëve të përdoruara ishte 500 mijë, për mozaikun e kalit me kunja dhëmbësh do të duhej plot 1 milion kunja. Udhë e shkelur njëherë kjo e rekordit Gines për Stratin dhe për këdo që e kundron qoftë edhe për pak sekonda teksa ndërton mozaikun e ri, beson se emri i tij mund të shënohet për së dyti herë te rekordet. Si mozaiku u figurës së Leonardo Da Vinçit, edhe kali është i përmasave tejet të mëdha, saqë për këdo mund të duket thjesht e pamundur që të përfundojë në pak ditë. Por me gjasë do të ndodhë! Njësoj si me Da Vinçin, puna për të cilin zgjati prej 11 gushtit deri më 4 shtator të vitit të shkuar. Mbrëmje në të cilën Strati, mozaiku më i madh me gozhdë në botë dhe Shqipëria, u regjistruan në librin e rekordeve “Gines”. Edhe e para udhë e tij drejt rekordit Gines përflitej si një sfidë dhe kaq. Por pas 24 ditësh ajo përfundoi me një rekord të ri botëror. Në të njëjtën sallë ku çdo ditë, krijimi i tij më i ri merr formë, qëndrojnë edhe plot krijime të tjera. Ndër vite, me materiale të ndryshme, Strati nuk ka reshtur së krijuari mozaikët e tij.
Mbizotërojnë portretet dhe figurat e femrave te të cilat është kuruar çdo detaj. Janë vështrime të tyre që flasin përmes copëzave të pasqyrave, xhamave me ngjyra. E shpesh nëse nuk pyet, nuk mund ta kuptosh se çfarë materiali është përdorur prej tij për të mbërritur te finalja, që është një vepër e re.
Por vëmendjen e ka pushtuar kali, i cili pasi është pikturuar, po merr formë nëpërmjet kruajtëseve të dhëmbëve. Pasi duket se yshtja për të pasur edhe një tjetër vepër që të regjistrohet në listën e rekordeve Gines është e madhe. Ajo që një vit më parë u cilësua jo rrallë si “çudia e gozhdëve” që formësuan Leonardo Da Vinçin, pasi të ketë përfunduar vepra e re e Stratit do të jetë një tjetër çudi. Ajo e kunjave apo kruajtëseve të dhëmbëve, me të cilat një kalë i stërmadh do të shihet prej syve të të gjithëve. Por nëse shtatori i vitit 2006 shënoi herën e parë në botë për thyerjen e një rekordi si ai i krijimit të “Mozaikut më të madh me gozhdë në botë”, këtë herë pritet të jetë me kruajtëse dhëmbësh. E nëse vjet ishte Leonardo Da Vinçi, këtë herë është thjesht një kalë. Një vit shkuar ai theksonte se ky nuk qe rekord i forcës, por një rekord inteligjent.
Anisa Ymeri : Gazeta Koha Jone











