Nenteqinta prape ne duart e italianeve

Nëntëqinta prapë në duart e italianëve

Mes këtij Instituti dhe tre universiteteve politeknike italiane të Torinos, Barit dhe Milanos u nënshkrua dje marrëveshja "nën kujdesin e Kryeministrit Sali Berisha". Në bazë të marrëveshjes do të realizohetprojekti i vlerësimit të pasurisë arkitektonike të Tiranës me prioritet "përgatitjen e studimit të fizibilitetit me qëllim restaurimin dhe përmirësimin e funksionalitetit të tre ndërtesave: Pallatit të Brigadave, selisë së kryeministrisë dhe ndërtesës së ish -hotel Dajtit." Siç dihet, janë tre objekte qëbëjnë pjesë në ansamblin e trashëgimisë arkitektonike dhe urbane. Për t'u vlerësuar është ndërhyrja që do të bëhet në Hotel Dajti, i dalë jashtë përdorimit dhe që mbahet mend në historinë e Tiranës si simbol i të ashtuquajturës jetë mondane e kryeqytetit shqiptar në fillimet e tij dhe më pas simbol i turizmit në kohën e regjimit.

Si Hotel Dajti, si kryeministria që ndodhen në Zonën e Qendrës Historike janë ndër të paktat objekte ku nuk është vënë dorë megjithë valën e restaurimit të bllokut ministror nën drejtimin e Edi Ramës. Po ashtu në Pallatin e Brigadave një vepër e veçantë e ndërtuar në kohën e Mbretërisë, një objekt me arkitekturë italiane, restaurimi ka qenë i domosdoshëm. Në këtë Pallat u nënshkrua dje marrëveshja nga drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, njëkohësisht koordinator i grupit shqiptar të punës, Lorenc Bejko dhe Maria Adriana Giusti, përfaqësuese e politeknikut të Torinos dhe koordinatore e grupit italian të punës. Bejko tha se "restaurimi i këtyre objekteve do të bëhet duke ndjekur parimet dhe cilësinë e shekullit të 21-të në riadaptimin e këtyre objekteve në ndërtesa funksionale dhe simbolike të qytetit." Nënshkrimi i marrëveshjes u arrit pas diskutimeve të gjëra mes grupeve të ekspertëve të të dy vendeve gjatë konferencës ndërkombëtare, zhvilluar pak kohë më parë në Tiranë.

Sa për nënshkruesen e marrëveshjes, përfaqësuesen e palës italiane, Maria Adriana Giusti-n, profesore e restaurimit në Universitetin Politeknik të Torinos, ka vite që është angazhuar në Tiranë për të studiuar efektet e arkitekturës italiane në Shqipëri në dekadën e dytë të 1900-ës. Në 2004 ishte një nga kuratoret e ekspozitës me të njëjtën temë që u hap në Galerinë Kombëtare të Arteve.

E.D. : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama