Takat viti i ekstremeve

Takat, viti i ekstremeve

Për zonjat e gjata, madje edhe për ato shumë të gjata, të cilat identifikohen si gjirafa, tani u vijnë në ndihmë sandalet dhe shapkat e sheshta. Sandalet, zgjidhja e vetme për ditët e nxehta, ku zhiva e termometrit tregon 40 gradë Celsius, janë të vetmet "shpëtimtare" të stinës. Stilistët, shpeshherë të çuditshëm, kësaj radhe kanë ideuar silueta për të kënaqur çdo kërkesë dhe kapriçio të konsumatorëve dhe për më tepër ato kanë qenë në gjendje t‘i godasin, duke bërë për vete mirënjohjen e publikut femëror, që është i lodhur nga zgjidhjet e pavlefshme.

Le të fillojmë nga ato më të ulëtat, që natyrisht është një nga takat më të pëlqyera dhe më e përdorshmja nga femrat. Disa prej këtyre modeleve janë të thjeshta, madje edhe në anën e prapme. Por shpesh, në fakt, ato që bëjnë modën janë të ashtuquajturat "merimanga" ose "të përziera", si ato që bliheshin dikur me porosi në punishtet artizanale. Mite si Grace Kelly (Grejs Kelli) dhe Audrey Hepburn (Odri Hepbërn) i kishin sjellë në modë që në vitet ‘60. Këtë vit, moda e sandaleve është po ajo e viteve ‘60, por me një ndryshim disi të vogël, sandalet janë të zbukuruara me brilantë, gurë të çmuar, kristale dhe vija me ar e argjend. Është momenti i duhur për kandidatet femra, të cilat kohë më parë ishin të detyruara të mësoheshin me taka të larta, për shkak të mbrëmjeve elegante. Më në fund ky tabu është thyer, për shkak se gjithmonë kërkonte veshje dhe këpucë elegante, që detyrimisht ishin të lidhura me takat e larta.

Le t‘i rikthehemi edhe një herë asaj çka shkruam më lart. Në universin e larmishëm femëror ka edhe nga ato femra që jetojnë në mënyrë të pandarë me këpucët me taka të larta. Në rastin e grave të shkurtra, takat e larta janë zgjidhja e duhur. Por ka femra që nuk e konceptojnë dot idenë e daljes nga shtëpia pa taka. Për to imazhi i sandales së sheshtë është një ulje e prestigjit femëror. "Të shpejta si një veturë policie" ato lëvizin vazhdimisht mbi rrugët e prishura, që për pjesën tjetër të universit janë të papërdorshme, madje edhe si këpucë tenisi.

Për maniaket e lartësisë, takat janë një çështje psikologjike. Ato mbeten një element i pazëvendësueshëm i magjisë. Kur u vjen sërish koha, femrave u shtohet edhe një "hall" më shumë, ai i përzgjedhjes së tyre. Përveç skeletit që nuk perëndon, ka kunja të holla, taka picigjate dhe prodhime të pambrojtura të dizajnit, që i transformojnë këpucët në skulptura. Ndonjëherë ato duken si objekte koleksioni të vërteta. Megjithatë, pas këtyre fjalëve, edhe takat kanë avantazhet e tyre. Në kundërshtim me atë çka besohet, takat e larta ndihmojnë në mbajtjen e ekuilibrit. Në këtë mënyrë, ngritja mbi taka nuk është e fiksuar dhe pesha nuk bie e gjitha nën thembër, por mbi të gjithë shputën e këmbës, duke e bërë ecjen më të stabilizuar.

Po femrat që nuk dinë të manovrojnë dhe nuk ecin dot me taka të larta, çfarë të bëjnë? Mos u frikësoni. Mbreti i të gjithë këpucëve, i nderuari Manolo Blahnik (Manol Blejnik), pohon se: "Një grua që nuk ka një ekuilibër perfekt të jeni të sigurt se duket më seksi".

Një tjetër alternativë për femrat mbetet edhe këpucë-sandalja. Ky version është më i përshtatshëm për femrat, madje i këshillueshëm edhe nga mjekët ortopedikë. Është një lloj take që ndihmon në ecje, nuk e lodh shtyllën kurrizore, nuk e vret këmbën. Por, çudia më e madhe është se asnjë nga stilistët nuk e vë në përdorim, sepse thonë që është jashtë mode. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këpucët më në modë janë ato të markës "Taryn Rose". Një stiliste kjo, e cila në të kaluarën e saj ka qenë një kirurge ortopedie, që po revolucionon tregun e këpucëve femërore. Ideja e fitores së saj është e thjeshtë, banale: të propozojë këpucë të kohës, por sa më të lehta në përdorim.

 

Efekti lara-lara

Për ato që dëshirojnë të habisin jo vetëm me takat, por edhe me ngjyrat. Sandalet me takë ortopedie nga fantazia lara-lara, me ngjyrë vjollcë dhe të verdhë. Sandalja është e veshur me kastor.


Rrjeta e merimangës

Për nostalgjiket e viteve ‘60, merimanga klasike rikthehet në modë këtë verë posaçërisht për ju. Kjo sandale ka ngjyrë të zezë dhe një rrip që lidhet rreth kaviljes. Ky model është i disponueshëm në të gjitha ngjyrat.


Çështje gustosh

Këpucë-sandale "Dior" "Galuchat green" me takë të lartë e të njëtrajtshme. Një model që të jep përshtypjen e një këpuce të mbyllur, por është e hapur në majë. Vishet për mbrëmje speciale, edhe me fustane të gjata.


"Skllave", versioni shik

Sandale "skllavesh" me ar të shndritshëm. Punimi i ndërthurur me plastikë të bardhë i jep një pamje më tërheqëse mbi këmbën e nxirë nga dielli. Është e këshillueshme edhe për mbrëmje.


Si çorape

Një rikthim i këndshëm dhe qesharak i sandaleve romake. Janë të punuara me materiale plastike, të shndritshme, të kuqe dhe të zezë, me lidhëse të shkurtra e pak takë. Është një sandale e rehatshme.


Vepër arti

Këpuca skulpturë për Luis Vuiton: Takë e lartë e shpuar në mes, me ar të shndritshëm. Veshja në pjesën e brendshme është e mbuluar me lule dhe lidhet me disa rripa. Pothuajse një vepër arti.


Klasikja e autorit

Sandale e zezë me takë të lartë për mbrëmje. Një kombinim i përkryer i ngjyrës së zezë me pllaka metalike të shndritshme, përpara dhe pas. Sandalja është e dizajnuar nga "Guçi."


Hapa prej Masai

Kujtoni, në versionin luksoz, këpucët e Masajve (fis vendas afrikan). Modeli i "Givenshi" ka një takë shumë të lartë, është kamosh dhe e lirshme.


Në blunë e thellë

Shapka me gisht e me një rrip në mes është e sheshtë, ngjyrë blu dhe shumë e rehatshme. Është dizajnuar nga vëllezërit "Roseti".


Bardhësi prej dive

Duket sikur është dizajnuar për një divë, për një grua magjepsëse si Sheron Ston. E bardhë borë e me takë me ujëra, kjo këpucë-sandale është dizajnuar me mjeshtëri nga Salvatore Ferragamo.


Shëtitje qetë

Shapka e dizajnuar nga Santoni ka ngjyrë të kuqe të shndritshme dhe është krijuar pikërisht për të bërë shëtitje në plazh, por edhe në qytet.


Rroftë guximi

Është modeli i këpucë-sandales me ngjyrë të verdhë të shndritshme, me takë shumë të lartë dhe me gomë të bardhë, propozuar nga "Versaçe".


Sandale me qafë

"Shanel" propozon për këtë verë sandalen klasike të skllaves në versionin e kaviljes dhe poshtë saj. Është shumë e rehatshme.


Tepër e lartë

Është sandalja me një vrimë në takë dhe rripa plastikë, që propozon Emilio Puçi. Lartësia e takës është shumë e rrezikshme.


Thjesht e këndshme

Sandale e sheshtë, por e mrekullueshme për stinën e verës. Gurët me ngjyrë qelibari dhe përmasa të çrregullta "kompensojnë" mungesën e takës.

 

Dush solar

Këpucë-sandale lustrafin ngjyrë portokalli, me takë të lartë e të hapur në mes, dizajnuar nga Xhill Zender.


Këshilla


Një jetë me taka të larta


Të gjitha, të paktën një herë në jetë, kemi ëndërruar një palë këpucë me taka të larta të Manolo Blahnik, por për shumë nga ne ekuacioni takë e lartë është i njëjtë me vuajtjen e padurueshme. E keni parasysh atë dhimbjen që nis nga këmbët dhe shkon deri në tru e që në përgjithësi prish pjesën më të madhe të festës?

"Rikthimi madhështor te balerina" na kishte shpëtuar në dy sezonet e fundit, por këtë verë nuk mund të na ikë: këtë verë nuk është e detyrueshme të ecet mbi taka!

Lamtumirë stres, lamtumirë lodhje. Mirëqenia fillon nga këmbët.

Megjithatë ka edhe ekzemplare të rralla femrash (mbi të gjitha shumë të vlerësuara edhe nga meshkujt), të cilat lëvizin me shumë dëshirë mbi majat e holla të takave. Shikon zonja elegante, të cilat ecin të sigurta që herët në mëngjes, të ngjiten dhe të zbresin nga trotuaret pa asnjë problem dhe mendon me vete: Po si nuk qëllon asnjëherë që t‘u ngecë këmba në pllakat e rrugëve?

Është një çështje ushtrimi (të mësuari) thonë gjyshet, që mesa duket nga ky stil duhet të dinin diçka më shumë se sa ne...

Me të njëjtin mendim është Camilla Morton, një shkrimtare angleze, e cila për problemin e takave ka shkruar një libër "How to walk in high heels? (Si mund të ecim mbi taka të larta?).

Në "Assolutamente Glam" (Speriling & Kupfer), Cinzia Felicetti u rezervon një vend të veçantë takave, si një prej 10 mrekullive të gardërobës femërore.

Dhe tani duhet të kalojmë te faktet, ku si fillim duhet të relaksoheni!

Fillimisht duhet të mbështetet taka dhe në mënyrë sa më delikate pas saj pjesa tjetër e shollës.

Mbajini gishtat e këmbëve sa më të zgjatura të jetë e mundur.

Duhet të bilancoheni me krahët.

Mbajini këmbët e bashkuara, paralele ose sa më drejtë të jetë e mundur.

Bëni hapa të shkurtër dhe sa më të rregullt të jetë e mundur.

Duhet të evitoni vendet ku ka akull, baltën dhe kalldrëmet. Nëse është e pamundur, do të ishte më mirë të zbrisnit nga takat dhe të ecnit pa këpucë.

Kujdes me shkallët: në ngjitje e gjithë këpuca duhet të jetë e mbështetur mirë, ndërsa në zbritje vetëm shualli.

Mos i jepni makinës me taka! Në këtë mënyrë mund të evitoni incidentet, ashtu sikundër mund t‘i shkatërroni këpucët...

Duhet të praktikoheni me shumë kujdes, pasi gjithçka vjen me punë praktike.


Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama