Mund të duket e pabesueshme, por në monizëm ka pasur edhe rekorde të shikueshmërisë së filmave shqiptarë. Një i tillë ishte filmi “Ngadhnjim mbi Vdekjen”, i Gëzim Erebarës, në bashkëautorësi me Pirro Milkanin, i vitit 1967. Filmi u nderua me çmimin e Republikës dhe u komercializua gjerësisht në Kinë dhe vende të tjera komuniste ku pati një sukses të jashtëzakonshëm me mbi 100 milionë shikues të rregjistruar. Filmi “Ngadhnjim mbi Vdekjen”, një përshkrim i qëndresës së dy partizaneve të kapura rob dhe të ekzekutuara nga gjermanët gjatë Luftës së dytë Botërore, vazhdon të shitet edhe sot në Kinë. Transmetimi i filmit u ndalua në Shqipëri për dy dekada për shkak se Edi Luarasi, aktore kryesore u persekutua pas Festifalit të 11-të në RTSH.
Gëzim Erebara njihet si regjisori i të parit film të pavarur, “Guximtarët”, që u prodhua në vitin 1970. Por suksesin më të madh e arriti me filmin “Në fillim të Verës”, më 1975. Filmi “Nusja” konsiderohet gjerësisht si një eksperiment që nuk pati sukses tregtar, por që paraqiti botën e dokeve ballkanike dhe u vlerësua nga kritika.
Në vitin 1976, realizoi filmin “Pylli i Lirisë”, një histori nga rezistenca antifashiste e filmuar në pyllin e Divjakës, ku e veçanta qe vendosja e një kali, si personazh kryesor. Siç ka treguar ai vetë, frika ishte e madhe për shkak se prania e kuajve në një film shqiptar si dhe koinçidenca historike; në atë kohë pat ndodhur vrasja e Petrit Dumes dhe shpallja e garave me kuaj u quajt sport mikroborgjez; këto pra patën krijuar një situatë të tensionuar. Edhe kali personazh në film, pati rënë pre e luftës politike të kohës, ku nga hipodromi i Ministrisë së Mbrojtjes, qe dërguar për kalë karroce në një fshat në Përmet, ku i kishin prerë krifën. Gjatë filmimeve, krifa e kalit u realizua me trukim. “Pylli i Lirisë” është edhe filmi i parë me ngjyra me ekran të gjerë i realizuar në Shqipëri.
Gëzim Erebara, “Artist i merituar”, lindi më 19 maj 1929 në Dibër; vdiq më 12 shkurt 2007.
Në festivalin e parë të filmit shqiptar, më 1976, Gëzim Erebara ishte fituesi i çmimit të parë me filmin “ Në fillim të verës”. Sandër Prosi që e pranoi me dyshim rolin e Jaho Labit, u shpreh kështu pas marrjes së trofeut: “Ndodh që aktori ka fiksime. “Ky rol nuk është për mua! E kam të vështirë ta zbërthej këtë personazh”. Kështu më ndodhi me rolin e Jaho Labit. “more Gëzim, I them regjisorit, mos keni gabuar që më dhat ëkëtë rol?” “Jo”, tha Gëzimi. “Fshatar të Shqipërisë së Mesme kam luajtur, por malësor, aq më tepër fshatar lab, jo. Ka, frikë se s’e nxjerr dot”. I trembesha përgjegjësisë. Me guxim iu futa rolit. Bëra grimin, u vesha. Shokët ishin tek sheshi I xhirimit. Tek sheshi njerëzit shtyheshin. Më kishin zënë rrugën. Fillova të futem mes tyre. “Ej, xhaxho, nuk je në fshat që shtyn”, tha dikush. Askush nuk e njihte Jaho Labin….”
Kundër rrymës
Lexoi fshehurazi Niçen për të realizuar filmin për Migjenin
Shumë herë në emisione televizive, Erebara ka treguar se filmi i tij i pëlqyer ishte “Një natë pa dritë”. I realizuar në vitin 1981, filmi paraqiti figurën komplekse të Migjenit. Dy dekada më parë, në vitin 1961, pati realizuar një dokumentar për figurën e Migjenit, ndërsa kësaj here, e mitizoi atë në kinema. Për këtë vepër, Gëzim Erebara, lexoi pothuajse në ilegalitet veprat e Niçes, studimet e huaja mbi Migjenin, gjë që binte ndesh me politikën zyrtare që e paraqiste pjesën Niçeane të Migjenit si një periudhë kalimtare e gjendjes shpirtërore të poetit dhe jo si burim i rëndësishëm frymëzimi. Në biseda të ndryshme ka treguar se mendimi i tij mbi këtë debat, është se Migjeni ishte niçean. Ndër filma të tjerë të tij renditen: “Vajzat me kordele te kuqe”, 1979 (Historia e lëvizjes feministe shqiptare gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore). “Fushë e gjelbër, fushë e kuqe”, 1984 (Historia e skuadrave të futbollit të Tiranës para dhe gjatë luftës). “Një Jetë më shumë”, 1985, me bashkëautor Gavrosh Haxhihysenin. (Historia e një jetimi në Tiranë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore). Ka realizuar me dhjetëra dokumentarë gjatë karrierës së tij të gjatë. Ka përkthyer shumë vepra letrare si dhe lëndë profesionale. Njohës i thellë i estetikës së kinemasë dhe historisë së Kinemasë. Për artikujt e panumërt është konsideruar nga miqtë e vet si një “magazinë pa inventar”. Punoi si pedagog i jashtëm për shumë vite në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë.
karriera
Gëzim Erebara
Në fillim, ai punoi is asistent regji në filmat “Tana”, “Furtuna” dhe “Debatiku”, ndërsa në vitin 1967 realizoi filmin e parë “Ngadhnjimi mbi vdekjën”, film i cili nuk u prit mirë nga cenzura dhe u ndalua. Për 30 vite, ai punoi në Kinostudion “Shqipëria e re” dhe realizoi shumë filma artistikë dhe dokumentarë. Pos kësaj, Gëzim Erebara është marrë edhe me publicistikë, duke botuar artikuj të shumtë të sferës profesionale për regjisurë, por ka bërë edhe analiza e vështrime nga sfera e krijimtarisë së tij profesionale.
Incidenti
“Enver Hoxha, më pak i kulturuar se një çek i zakonshëm”
Djali i një familjeje tregtare që u vendos në Tiranë rreth viteve ’30, për shkak të persekutimit etnik në ish-Jugosllavi. Studimet e larta i kreu në insitutin kinematografik “Famu” në Pragë, 1947-51. Në vitin e fundit të studimeve, iu ndërpre bursa dhe u kthye forcërisht në atdhe për shkak se pati deklaruar në një takim studentor se “Enver Hoxha ka më pak kulturë se një qytetar i mesëm çek”. Më 1957 fillon të punojë në Kinostudion “Shqipëria e Re”, ku kontribuoi në filmat e parë shqiptarë si dhe në filmat shqiptaro-sovjetikë.
Filmografia
Filma televizivë
Debatik - (1961)
Ngadhnjim mbi vdekjen - (1967)
Guximtarët - (1970)
Në fillim të verës - (1975)
Pylli i lirisë - (1976)
Vajzat me kordele të kuqe - (1978)
Nusja - (1980)
Një natë pa dritë - (1981)
Fushë e blertë-fushë e kuqe - (1984)
Një jetë më shumë - (1986)
Filma dokumentarë
"Migjeni" (1961),
"Gjirokastra" (1962),
"Vangjush Mio" (1965),
"Ndre Mjeda" (1962),
"Ata quheshin Arbër" (1973), etj.
Marre nga : Gazeta Metropol











