E fokusuar te kënga, videoklipet "hot" me ndërthurje erotike, temë dite e faqeve të gazetave me lajme rozë, Çelo kësaj here përsëri tenton të realizojë diçka ndryshe.
Aventura e saj e re, e mbajtur sekret, i ka kapur të gjithë në befasi. Në veçanti, emigrantët shqiptarë, të cilët janë shtangur kur në valët e BBC, gjatë fundjavës, kanë parë këngëtaren në një audicion të konkursit "DanceX".
Ky është një "reality show", ku marrin pjesë shumë konkurrentë, nga ku zgjidhen gjashtë më të mirët, të cilëve u jepet e drejta të formojnë një grup vallëzimi, i quajtur "Dance Super Group".
Ledina, për t‘u prezantuar, kishte zgjedhur videoklipin e saj të Eurovizionit, "Tomorrow I‘ll Go".
Për t‘i dhënë sado pak atmosferë britanike prezantimit të saj, artistja në klipin prezantues, kishte futur edhe komentin e Terry Wogan, komentues i BBC-së për Eurovizionin. Atëherë, ai komentoi se performanca e saj në skenën evropiane të këngës ishte e mërzitshme.
Si gjithmonë konfidente në skenë, Ledina në këtë audicion kërceu përpara një jurie të përbërë nga Arline Philips dhe Bruno Tonioli.
Kur mbaroi interpretimin dhe priste që të kualifikohej për turin tjetër, lajmi nuk ka qenë aspak i mirë për bukuroshen e gjatë shqiptare. Ledina Çelo nuk ka mundur të bindë jurinë për të qenë e denjë të vazhdojë rrugën drejt "Dance Super Group". Vlerësimi i tyre ka qenë shumë i thatë, i përshkruar shkurt, me pak fjalë, si i pavlerë dhe shumë evropian.
Pavarësisht nga mossuksesi, këngëtarja Çelo, e cila ka disa muaj që i është rikthyer jetës në Londër, mund të thuhet se po bën të gjitha përpjekjet që të jetë pjesë e jetës artistike në një metropol, ku ambiciet e miliona artistëve bëhen gjithnjë e më të vështira për t‘u realizuar.
Tani këngëtarja shqiptare ka filluar të marrë leksione private kantoje nga një pedagoge britanike.
Përpara se të vinte në Londër, duke marrë një risk të madh mbi vete, Çelo që po i afrohet të 30-tave, luajti me sensualitetin e saj.
Videoklipi i fundit "Po vij tek ty", ku këngëtarja lëshon klithma eksitomi, sikur të ishte duke kryer marrëdhënie seksuale, do të rezultonte si një përpjekje e suksesshme.
Madje ky videoklip është cilësuar si videot më të nxehta të prodhuara ndonjëherë në Shqipëri. Në faqen "YouTube", kjo video deri dje ishte parë nga 22.000 veta.
Ajo nuk ka dhënë ende një version zyrtar, se ku e ka gjetur guximin për të eksperimentuar në këtë mënyrë.
Por nga faqet e internetit, që merren me lajmet "show biz" të këngëtarëve shqiptarë jepen dy versione për këtë videoklip.
E para, Ledina e realizoi atë për t‘u ngjitur në majat e shitjes së CD-ve.
Ndërsa teoria e dytë lidhet me të dashurin e saj, me të cilin është ndarë këtë fillim viti, për t‘i thënë se çfarë ka humbur. Në mos e para, apo e dyta, kjo ka pak rëndësi. Ledina me anë të këtij videoklipi, tani ka fituar shumë audiencë. Sidomos, përtej kufijve të Shqipërisë, në diasporë, ku ajo mbetet një ndër këngëtaret më të kërkuara.
.
Marre nga : Gazeta Shqip











